E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”

Këshilli i Ministrave miratoi sot, projektligjin “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Kryeministri Berisha prezantoi projektligjin, duke e konsideruar Regjistrin e Pasurive të Pajuatshme si regjistrin e dytë themelor më të rëndësishëm të shtetit, pas atij të gjendjes civile.

Kryeministri Berisha njoftoi se hartimi i këtij Regjistri po drejtohet nga Task Forca, e kryesuar nga Kryeministri dhe e përbërë nga ministra e drejtues kryesorë të agjencive të linjës, një proces që pritet të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Hartimi i Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme do të shoqërohet edhe nga reformimi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.  

“Janë kontraktuar firma ndër më seriozet, - informoi Kryeministri - të cilat po bëjnë regjistrimin e parcelave, dixhitalizimin dhe brenda vitit që vjen, ky proces do të përfundojë. Ky është një proces i një rëndësie jetike, vendimtare për themelet e tregut e stabilitetin e tij. Qeveria austriake dhe Banka Botërore kanë dhënë e po japin një ndihmesë shumë të çmuar. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, në këtë proces, ka propozuar reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, drejtimin e saj nga një Bord me përfaqësues të disa institucioneve dhe shndërrimin e saj në një institucion që varet nga Ministria e Drejtësisë, por që kalon në vetëfinancim”.

Me këtë ligj, theksoi Kryeministri, kompletohet reforma e sistemit të regjistrimit të pasurive, çka përbën “një zhvillim shumë pozitiv dhe një detyrim madhor në reformat në tërësi.”


30/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›