E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret delegacionin e Zyrës Europiane të Patentave

Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion nga Zyra Europiane e Patentave, të kryesuar  nga Presidenti i saj Benoit Battistelli.  

Zoti Battistelli, pasi falënderoi Kryeministrin për kohën dhe interesin e dedikuar, i shprehu në emër të zyrës që ai kryeson, kënaqësinë për bashkëpunimin me Shqipërinë, si anëtarja më e re e këtij organizmi shumë të rëndësishëm të Bashkimit Europian. Numri i vendeve është 38, tha zoti Battistelli, por numri i anëtarëve si individë është me miliona. Është hera e parë, u shpreh më tej ai, që vizitoj Shqipërinë dhe u impresionova me atë çka pashë.

Zoti Battistelli e konsideroi të rëndësishme hyrjen e Shqipërisë në këtë organizëm, duke shprehur besimin se duke punuar së bashku do të prezantojmë standardet europiane të pronësisë industriale dhe intelektuale edhe në Shqipëri. Zoti Battistelli tha se Shqipëria si anëtarja më e re e këtij organizmi do të ketë rolin e saj në strukturat e Zyrës Europiane të Patentave.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Battistelli për këtë vizitë dhe e siguroi se për qeverinë shqiptare problemi i pronësisë industriale dhe intelektuale është shumë i rëndësishëm. Në këtë drejtim, prezantimi i standardeve europiane dhe forcimi i kapaciteteve të Zyrës shqiptare përbën një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit.

Kryeministri shprehu besimin se përfitimet e anëtarësimit në këtë organizëm europian janë të shumanshme. Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë pa rezerva e me prioritet zhvillimin e kësaj Zyre dhe realizimin e objektivave të saj, si dhe bashkëpunimin e Zyrës shqiptare me Zyrën Europiane të Patentave, në drejtim të formimit të ekspertëve publikë e privatë, të zhvillimit të kapaciteteve teknike dhe prezantimit të standardeve europiane në modernizimin e funksionimit të saj.

Qeveria shqiptare, tha Kryeministri, është e ndërgjegjshme për përfitimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë organizëm dhe nga mbështetja e zhvillimi i pronësisë industriale. Patentat dhe markat e regjistruara dhe të mbrojtura përbëjnë një nxitje dhe garanci për sipërmarrësit vendas dhe në tërheqjen e investitorëve dhe sipërmarrësve të huaj.


09/02/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›