Kryeministri Berisha pret kryesuesin e Dhomës së Parlamentit të Bosnje - Hercegovinës, zotin Denis Bećirović
Kryeministri Berisha priti sot në një takim kryesuesin e Dhomës së Parlamentit të Bosnje - Hercegovinës, zotin Denis Bećirović.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme, e cila do të sjellë një kontribut të ri në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mirë dhe në konsolidimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryesuesi i Dhomës së Parlamentit të Bosnje - Hercegovinës, Denis Bećirović, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i bëri me dije se qëllimi i vizitës së tij është jo vetëm një rikonfirmim i marrëdhënieve shumë të mira dhe i vullnetit të të dy vendeve për t’i zgjeruar edhe më tej ato në të ardhmen, por dhe shprehje e angazhimit të të dy vendeve për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, në mënyrë të veçantë atij ekonomik. Ndaj, gjatë kësaj vizite, delegacioni zyrtar i kryesuar nga zoti Denis Bećirović shoqërohet edhe nga një grup i zgjeruar biznesmenësh dhe përfaqësues interesash ekonomik të Bosnje - Hercegovinës.
Zoti Bećirović shprehu vlerësim për transformimin rrënjësor që ka pësuar Shqipëria në të gjitha fushat gjatë viteve të fundit, si dhe arritjet e mëdha, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe avancimi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në takim u evidentuan si fusha me interes për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh ajo e prodhimit të energjisë hidrike, sektori i industrisë minerare, fusha e turizmit, por edhe sektorët e ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme, shkëmbimet kulturore, etj.
Në këtë kontekst u shpreh, gjithashtu, vlerësimi për një sërë marrëveshjesh dypalëshe që janë nënshkruar midis dy vendeve, si dhe angazhimi i dy vendeve për të kompletuar kuadrin ligjor, i cili do të lehtësojë dhe promovojë këtë bashkëpunim.
Kryeministri Berisha e siguroi zotin Bećirović se Shqipëria do të vijojë të mbështesë aspiratën dhe të gjitha përpjekjet e Bosnje – Hercegovinës për anëtarësim në NATO.
Gjithashtu, në takim u ritheksua se projekti i përbashkët i vendeve të rajonit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është dhe mbetet e ardhmja më e mirë e sigurisë dhe mirëqenies së popujve të rajonit.
14/12/2011