Kryeministri Berisha përshëndet 45 vjetorin e themelimit të Universitetit të Arteve
“Në këto 45 vite, universiteti juaj ka nxjerrë kolosë të mëdhenj në të gjitha artet, artet pamore, artet e bukura, artet skenike, në të gjitha zhanret.”
“Sot është një ditë shumë e veçantë, gjithashtu, është dita kur një vit më parë, ne shqiptarët, për herë të parë në historinë tonë, lëvizëm të lirë pa viza në Europë.”
Kryeministri Berisha përshëndeti dhe u shprehu sot mirënjohjen, të gjithë artistëve shqiptarë për kontributin e jashtëzakonshëm në pasurimin e kulturës shqiptare, forcimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare. Këto vlerësime, Kryeministri Berisha i bëri gjatë fjalës së tij, në ceremoninë për kremtimin e 45 vjetorit të themelimit të Akademisë së Arteve (sot, Universiteti i Arteve).
“Njëlloj si bleta që mbledh nektarin më të mirë për të krijuar produktin e saj unik në univers, - u shpreh Kryeministri - edhe artisti mbledh nektarin e ndjenjave më fine, për të kuruar shpirtin, për të kuruar identitetin e kombit të vet.”
Kryeministri Berisha siguroi trupën akademike dhe komunitetin e artit në përgjithësi se mbështetja e qeverisë do të jetë e vazhdueshme.
Kryeministri ftoi të gjithë artistët që të bëhen pjesë e kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nëpërmjet “derdhjes në vepra të ndjenjave më të mira ndaj vendit”.
Në atmosferën e kësaj ceremonie festive, Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu urimet për këtë 15 dhjetor, që shënon edhe njëvjetorin e lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në Europë, si një “arritje e madhe për artistët, të rinjtë, për të gjithë shqiptarët”.
Më poshtë përshëndetja e Kryeministrit në ceremoninë e 45 vjetorit të krijimit të Universitetit të Arteve.
“Është privilegj dhe nder i veçantë për mua t’ju përshëndes ju studenteve dhe studentëve, pedagogeve e pedagogëve, drejtues të Universitetit të Arteve, në këtë ditëlindje tuajën, të cilën së bashku me ju, me ndjenjën e madhe të krenarisë, të dashurisë dhe respektit, e festojnë sot, shqiptarët e të gjitha moshave. Me krijimet tuaja, ju artistët e të gjitha zhanreve jeni një element thelbësorë, ndër më finët e lumturisë njerëzore, e kënaqësisë së njeriut. Duke përcjellë eksperiencën e ndjenjave tuaja tek të tjerët, duke krijuar, ju, faktikisht, i prini një realiteti që vjen.
Ju jeni më shumë se të tjerët pjesë e krenarisë kombëtare të qytetarëve. Me asgjë nuk krenohen më shumë qytetarët e këtij vendi e të çdo vendi, se me artistët e vet. Dhe kjo nuk është e rastit. Jo, aspak! Tek ata ekziston vetëdija se jeta merr ngjyrat nga ju. Me veprat e krijimet tuaja, ju i jepni asaj të gjitha koloritet që e bën atë të bukur. Por jo vetëm kaq. E vërteta është se asgjë nuk lidhet më shumë se puna, vepra e krijimi juaj me atë që është edhe thelbi i vërtetë i një kombi, me identitetin e tij. Njëlloj si bleta që mbledh nektarin më të mirë për të krijuar produktin e saj unik në univers, edhe artisti mbledh nektarin e ndjenjave më fine, për të kuruar shpirtin, për të kuruar identitetin e kombit të vet. Ndaj roli juaj është kryesor, është i jashtëzakonshëm dhe kam shumë kënaqësi që ju e festoni këtë 45 vjetor me krenari të madhe, së bashku me të gjithë shqiptarët.
Në këto 45 vite, universiteti juaj ka nxjerrë kolosë të mëdhenj në të gjitha artet, artet pamore, artet e bukura, artet skenike, në të gjitha zhanret. Edhe këto 20 vitet e fundit, jo me përkrahjen e merituar, por sërish ia keni dalë të përfaqësoni me dinjitetin më të madh kulturën, artin, shpirtin e këtij vendi. Ia keni dalë si krijues e artistë të lirë të pasuroni në mënyrën më të shpejtë, galerinë, thesaret e mëdha të artit shqiptar.
Qeveria është përpjekur që universitetin tuaj ta mbështesë, por ajo do të bëjë shumë më tepër. Ky universitet ka specifikat e tij. Në rast se dikush që nuk ka nuk arrin të hyjë në një degë të caktuar është e dhimbshme, por, në rast se kjo ndodh në art është fatkeqësi, sepse përjashtohet një talent. Ndaj me Ministrinë e Arsimit, me rektoratin do të përcaktojmë mënyrën më të mirë të financimit të universitetit dhe studentëve, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të shpalosin talentin e tyre në këtë universitet, të mund të shkollohen e të kenë të gjithë mbështetjen e domosdoshme nga trupa pedagogjike, pavarësisht nga mundësitë e tyre ekonomike.
Zoti rektor, ju njoftuat këtu se keni bërë një punë shumë të mirë me lidhjet ndërkombëtare. Këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe unë ju përgëzoj për këtë, sikundër përgëzoj të gjitha universitetet që tani janë në një garë, për të konsoliduar gjithnjë e më shumë lidhjet ndërkombëtare me simotrat e veta në Europë e në botë. Ky është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, me leverdi të madhe për të çuar përpara procesin e mësimdhënies, për ta përsosur atë, për të diversifikuar programet e pasuruar kurrikulat. Sikundër do të jetë shumë e dobishme që ju, si rektorat i universitetit, të keni një bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë artistët e mëdhenj shqiptarë kudo që janë në Europë e në botë. Sot ka zëra magjepsës, instrumentistë virtuozë në skenat e teatrot më prestigjioze të muzikës klasike, në Europë e në botë. Sot ka talente dhe korifenj të vërtetë në artet e aplikuara dhe artet e tjera. Ata, sigurisht, do të debutojnë aty ku fama e tyre rritet më shumë dhe ne krenohemi me të, por sot janë të gjitha detyrimet ndaj tyre, që të jenë pjesë e pandarë gjithashtu e universitetit tonë, e Operës e Baletit, institucioneve tona. Ministria e Kulturës duhet t’i mbështesë fuqishëm në këtë përpjekje, në mënyrë që të ketë një tërësi të pakëputur kombëtare.
Së fundi, ky është një rast shumë i veçantë. Ne jemi në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe unë do t’u bëja thirrje artistëve, pedagogëve e studentëve të këtij universiteti të bëjnë gjithçka për t’i derdhur në vepra ndjenjat tona më të mira ndaj këtij vendi, gjatë këtij viti që vjen e në vazhdim.
Unë u bëj thirrje, gjithashtu, të gjitha autoriteteve vendore të vendosin një bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Arteve, sepse këtu ka talente të mëdha e të vërteta, të cilat mund të transformojnë qytetet e tyre. Rastësisht, kryetari i Bashkisë së Tiranës më tregoi disa projekte të ofruara nga studentë të universiteteve dhe idetë e tij që të punonte me studentet e arteve e të tjerë për qytetin. Por kjo duhet të ndodhë për të gjitha qytetet. Duhet ta bëjmë këtë, sepse me shumë pak përpjekje, ju japim atyre pamjen që meritojnë, ju japin qytetarëve të tyre respektin e dinjitetin që ata meritojnë, nëpërmjet veprave të talenteve shqiptare.
Edhe një herë ju falenderoj shumë. Sot është një ditë shumë e veçantë, gjithashtu, është dita kur një vit më parë, ne shqiptarët, për herë të parë në historinë tonë, lëvizëm të lirë pa viza në Europë. Kjo përbën një arritje të madhe për të gjithë, një arritje të madhe për ju artistët, të rinjtë, për të gjithë vendin. Ndaj dua të shfrytëzoj rastin t’u shpreh mirënjohjen më të thellë partnerëve evropianë, të cilët morën këtë vendim iluminist, të vërtetë, për Shqipërinë. Shpreh gjithashtu kënaqësinë se ky vit ka dëshmuar seriozitetin e qeverisë shqiptare, në trajtimin e këtij vendimi bujar që u mor ndaj nesh. Uroj të gjithë shqiptarët në këtë njëvjetor, ju uroj ju, të gjithë artistët e vendit, për suksese të mëtejshme.”
15/12/2011