Kryeministri Berisha pret në takim lamtumire ambasadoren e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri znj. Carola Müller-Holtkemper, me rastin e përfundimit të detyrës së saj në vendin tonë
Kryeministri Berisha priti sot në një takim lamtumire ambasadoren e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri znj. Carola Müller-Holtkemper, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, të cilat janë forcuar dhe thelluar edhe më tej gjatë këtyre viteve në shumë fusha. Në mënyrë të veçantë kryeministri vlerësoi projektet e financuara nga vendi mik Gjermania dhe të zbatuara nga kompanitë gjermane në vendin tonë.
Nga ana e saj, ambasadorja gjermane znj. Carola Müller-Holtkemper falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e saj kryeministrit Berisha për bashkëpunimin e hapur që qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha kanë ofruar, si dhe për kontributin e dhënë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes dy vendeve dhe popujve. Ajo vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të realizuar nga Shqipëria në të gjithë këto vite, si dhe arritjet në fusha të ndryshme dhe uroi për suksese të mëtejshme në të ardhmen.
01/07/2013