Kryeministri Berisha pret një delegacion të Asamblesë së Rajoneve Europiane
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një delegacion të Asamblesë së Rajoneve Europiane (AER), të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i AER-së, zotin Pascal Goergen.
Zoti Goergen, pasi e falenderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë të shikonte se Shqipëria po ecën drejt konsolidimit të politikave rajonale dhe përgatitjes me konceptet europiane të strukturës rajonale. Misioni i Asamblesë së Rajoneve, tha ai, lehtësohet mjaft, kur politikat e qeverive ndaj rajoneve synojnë forcimin e bashkëpunimit midis tyre.
Kryeministri Berisha tha se zhvillimi rajonal përbën një prioritet dhe qeveria e vlerëson atë, me rëndësi të posaçme, për të afruar politikat e qeverisë me kërkesat e qytetarëve dhe të komuniteteve lokale dhe si një mjet i fuqishëm në përpjekjet për zhvillimin ekonomiko-social dhe kundër varfërisë. Kryeministri theksoi se përpjekjet janë të vazhdueshme për të forcuar rolin e autoriteteve rajonale dhe krijimin e kushteve e kapaciteteve administrative për thithjen e fondeve në kuadrit e programit të IPA-s. Modeli ynë rajonal ka dhënë rezultat, por ne synojmë konsolidimin e këtij modeli. Tashmë, në këtë kohë krize ekonomike europiane e botërore, qeverisja rajonale, nënvizoi Kryeministri, merr përparësi për vetë dinamikën dhe gjenerimin e burimeve në njësitë vendore dhe rajonet.
Zoti Goergen shprehu mbështetjen e AER-së në zhvillimin e konsolidimin e këtyre politikave, përmes rritjes së bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave. Shqipëria, tha ai, është në rrugën e integrimit europian dhe kjo, padyshim, është një arsye më shumë, për të besuar në të ardhmen e rajoneve shqiptare.
13/11/2012