E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga projekti i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e simpoziumit për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri, e organizuar nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë, kushtuar projektit të gazsjellësit Trans Adriatik(TAP). Ky simpozium u përshëndet edhe nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë z. Edmond Haxhinasto, Drejtori Menaxhues i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) z. Kjetil Tungland, ndërsa ishin të pranishëm përfaqësues dhe faktorë kyç të sektorit të gazit dhe energjisë në Shqipëri, si dhe vendeve te tjera.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha vlerësoi mbajtjen e këtij simpoziumi në Tiranë, duke e shndërruar atë sot në kryeqytetin evropian të debatit për gazin. Duke u shprehur se gazsjellësi Trans Adriatik përbën kryeprojektin për Shqipërinë në procesin e një industrializimi, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet multilaterale me vendet fqinje dhe konsorciumin e TAP-it.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha tha se po punohet me intensitet për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. “Qeveria ka ndërmarrë një seri masash, të cilat kanë bërë që Shqipëria të renditet në një vend të lakmueshëm në tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas UNCTAD ky vend mori vitin e kaluar investime më shumë seç ka kapacitetet dhe këto për shkak të përpjekjes sonë për një klimë sa më miqësore me biznesin. Ky do të jetë dhe qëndrimi ynë në fushën e energjisë”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Para së gjithash, dëshiroj të përshëndes përzemërsisht praninë e përfaqësuesve të kompanive të mëdha të gazit, si Statoil, British Petroleum, TOTAL, SOCAR, E.ON Ruhrgas, AXPO, Despa, Fluxys, Snam Rete Gas, Plinacro, përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Oxford Economics, të cilët, me praninë e tyre në këtë sallë, e kanë shndërruar sot Tiranën në kryeqytetin evropian të debatit për gazin, këtë materie energjetike të një rëndësie strategjike të pazëvendësueshme. Ky takim, kushtuar gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, por dua të theksoj se rëndësia e tij del jashtë kufijve të vendit tim. Gazsjellësi Trans Adriatik është, padyshim, projekti më i madh dhe më me perspektivë në fushën e energjisë, në fillimet e këtij shekulli; është pa mëdyshje projekti më fizibël, ç’ka u bën nder të veçantë atyre që kanë vite e vite që punojnë me përkushtim të madh në këtë projekt; është projekti më strategjik për Evropën, pasi balancon dhe diversifikon burimet e saj energjetike, lidh më ngushtë në korridore energjetike rajonet e saj dhe më pas Turkmenistanin e zona të tjera. Për Shqipërinë gazsjellësi Trans Adriatik përbën krye projektin e saj në procesin e një industrializimi. Ne po bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh ndaj konsorciumit dhe palëve të tjera për një partneritet luajal dhe serioz në këtë projekt të madh. Shqipëria u është mirënjohëse partnerëve të saj në këtë projekt për gatishmërinë që ata kanë shprehur për të ndihmuar vendin tonë në masterplanin e gazifikimit. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë në maksimum dhe me një ndikim direkt për nivelin e jetesës së tyre nga përdorimi në shkallë të gjerë i gazit, në të katër skajet e vendit.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është në rrugën e transformimit të një superfuqie energjetike rajonale. Ajo ka rezerva enorme ujore dhe përfaqëson një Norvegji të vogël në gadishullin e Ballkanit. Shqipëria, sipas të dhënave më të fundit, ka depozita enorme hidrokarburesh. Kompanitë më serioze janë duke eksploruar të bindura për sukses të pashmangshëm në zona të ndryshme të vendit. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të përshtatshëm, përballë Italisë, një tregu gjigand energjetik, me një ngushticë që të kujton Gjibraltarin. Të gjitha këto e bëjnë për ne projektin TAP një projekt jetik, të një rëndësie të madhe strategjike. Unë dua t’i garantoj partnerët se do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet multilaterale me vendet fqinje dhe konsorciumin e TAP. Sikundër, qeveria është e vendosur të bashkëpunojmë për zgjerimin e hapësirave dhe të tregut për këtë projekt në veri të Ballkanit dhe më gjerë. Ajo është e vendosur të vërë në dispozicion depot e saj natyrore të gazit dhe të parashikojë bashkëpunim, në të gjitha rrethanat, e zbulimit të depozitave të rëndësishme të gazit në Shqipëri.

Shqipëria po punon me intensitet për të përmirësuar klimën e biznesit. Qeveria ka ndërmarrë një seri masash, të cilat kanë bërë që Shqipëria të renditet në një vend të lakmueshëm në tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas UNCTAD ky vend mori vitin e kaluar investime më shumë seç ka kapacitetet dhe këto për shkak të përpjekjes sonë për një klimë sa më miqësore me biznesin. Ky do të jetë dhe qëndrimi ynë në fushën e energjisë. Ne do të bëjmë gjithçka për tregun më liberal, për standardet më të hapura në këtë fushë. Në pamje të parë, ne jemi një konsumator i parëndësishëm, por kjo është vetëm përshtypja e parë. Në të vërtetë tregu i gazit në Shqipëri do të ketë një partner shumë të rëndësishëm. Shqipëria, përveç ambicies së saj për tu shndërruar në një superfuqi energjetike rajonale, disponon pellgjet botërore të kromit, nikelit, hekurit, hekur-nikelit, bakrit, të cilat në vitet që vijnë do të njohin në Shqipëri të gjitha proceset e përpunimit. Në këtë kontekst, gazi ka një rëndësi parësore. Duke shpresuar dhe besuar në vendimin përfundimtar pozitiv të konsorciumit Shah Deniz 2 për të përzgjedhur TAP-in si projektin më fizibël, si projektin më strategjik, në sensin që balancon më mirë furnizimin me gaz të kontinentit Evropain dhe vendeve perëndimore.

I uroj suksese këtij simpoziumi dhe i siguroj për një partneritet luajal, të vendosur, të vendit tim me ta.”


13/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›