Kryeministri Berisha pret një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Indonezisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Indonezisë, të kryesuar nga z. Muhammad Hidayat Nur Wahid, Kryetar i Këshillit të Bashkëpunimit Ndërparlamentar.
Pasi u uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut real në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve e popujve.
Deputetët e Parlamentit të Republikës së Indonezisë, pasi falënderuan Kryeministrin për pritjen, vlerësuan progresin e madh që Shqipëria ka bërë gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket ecjes përpara dhe zhvillimit, ashtu edhe konsolidimit të demokracisë në vend.
Ndër të tjera, parlamentarët indonezianë vlerësuan suksesin e reformave të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, në veçanti faktin që, edhe pse qeveria ka reduktuar shpenzimet administrative burokratike, sërish buxheti i sektorëve të rëndësishëm si arsimi, apo pagat e punonjësve, ka vijuar të rritet. Gjithashtu, ata vlerësuan si shumë impresionues faktin që në 4 vjet, nga viti 2005 deri në vitin 2009, qeveria ka arritur të mbidyfishojë të ardhurat në buxhetin e shtetit, përmes politikave të drejta ekonomike e fiskale.
Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët me ecurinë e reformave në të gjitha fushat dhe në veçanti me faktin që Shqipëria është tashmë vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë dhe me klimë shumë të favorshme për biznes dhe investime, si dhe mundësitë e mëdha që vendi ofron në fushat e turizmit, energjisë hidrike, etj.
Në këtë kontekst, parlamentarët indonezianë e siguruan Kryeministrin Berisha se me kthimin në vendet e tyre ata do të bëjnë një lobing të fuqishëm për të nxitur investitorët indonezianë për të ardhur me investimet e tyre në Shqipëri, duke theksuar mundësitë e mëdha që Shqipëria ofron, si dhe klimën shumë të favorshme që ka krijuar qeveria shqiptare për biznesin dhe investimet.
Në takim u diskutuan gjithashtu edhe zhvillimet në rajon, veçanërisht njohja e shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës. Kryeministri Berisha u shpjegoi parlamentarëve se pavarësia e Kosovës është një rast sui generis, siç u konfirmua qartësisht edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe se, Republika e Kosovës është sot një kontribuues realë i paqes, stabilitetit dhe i promovimit të bashkëpunimit në rajon dhe se çdo njohje e re e pavarësisë së saj do të sillte një kontribut të ri për konsolidimit të mëtejshëm të paqes, stabilitetit në rajon e më gjerë.
25/07/2011