E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë

Kryeministri Berisha priti sot në mesditë një delegacion të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Pasi i uroi mirëseardhjen e përzemërt, Kryeministri shprehu falënderimet për ndihmën e çmuar që Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura turke ka dhënë dhe jep për modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe integrimin e Shqipërisë në NATO. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat, duke vlerësuar miqësinë midis dy popujve tanë dhe lidhjet e shumta të bashkëpunimit.

Kryeministri paraqiti përpjekjet e qeverisë për realizimin e projektit madhor të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe arritjet e reformave në fushën e mbrojtjes. Ai e njohu delegacionin e gjeneralëve me arritjet në procesin e transformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe shndërrimin e tyre në një ushtri moderne, të vogël dhe profesioniste të standardeve të NATO-s, si dhe angazhimin e qeverisë për mbështetjen e gjithanshme të kësaj reforme, në veçanti rritjen e buxhetit në masën 2 për qind të GDP-së në vitin 2008.

Gjeneralët turq falënderuan Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe shprehën përkrahjen për reformat e ndërmarra në vend dhe aspiratën e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Aleancë. Delegacioni turk vlerësoi arritjet për progresin e bërë duke theksuar se Shqipëria po bën me shpejtësi hapa përpara drejt anëtarësimit në NATO.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›