Kryeministri Berisha takon zotin Pradeep Mitra, Drejtor Ekonomik pranë zyrës së Zëvendëspresidentit të Bankës Botërore
Sot paradite, Kryeministri Berisha prit në takim zotin Pradeep Mitra, Drejtor Ekonomik pranë zyrës së Zëvendëspresidentit të Bankës Botërore, i shoqëruar nga shefi i misionit të BB-së në Shqipërisë, zoti Nadir Mohamed.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen unanime, që Banka Botërore i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Në fillim të takimit, zoti Mitra i shprehu Kryeministrit mbështetjen unanime të Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë të BB, për qeverinë shqiptare dhe procesin e reformave që ajo ka ndërmarrë. "Vendi është me të vërtetë në një rrugë të suksesshme, nën drejtimin e qeverisë suaj", - u shpreh z. Pradeep Mitra. Gjithashtu zoti Mitra përcolli kënaqësinë e Bordit Ekzekutiv të BB-së, për hapat që ka ndërmarrë qeveria gjatë zbatimit të fazës së parë të Programit për Politikat e Zhvillimit.
Kryeministri bëri një ekspoze të reformave të qeverisë, ku u ndal në reformën rregullatore, fiskale, luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, si një nga sfidat më të mëdha të qeverisë. Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi ligjin e ri i prokurimeve publike dhe të koncesioneve, të hartuara me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare.
Z. Berisha veçoi disa nga hapat e ndërmarra në drejtim të futjes së metodave elektronike në veprimtarinë e administratës si: regjistrin elektronik të biznesit, metodat elektronike në fushën e taksave, prokurimet "on line" etj. Kryeministri theksoi se energjia mbetet një nga prioritetet e mëdha të qeverisë, duke shprehur bindjen se menaxhimi e ri do të sjellë një performancë shumë të mirë të këtij sektori.
Për shkak të nevojës së finalizimit të projekteve të nisura në Shqipëri, Kryeministri kërkoi gjithashtu vazhdimin e kredisë e IDA-s edhe pas vitit 2008.
Në mars të këtij viti, Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB-së miratoi kredinë e IDA për Shqipërinë me një shumë prej 10 milion dollarë.