Kryeministri Berisha pret raportuesit e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës
- Kryeministri theksoi se reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare janë fokusuar në konsolidimin e demokracisë, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe thellimin e lirisë së tregut
Kryeministri Berisha priti sot në një takim z.David Wilshire dhe z.Jaakko Laakso, të cilët ndodhen në Shqipëri në cilësinë e raportuesve të Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës.
Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu reporterëve vlerësimet maksimale për ndihmën që Këshilli i Evropës ka dhënë ndaj Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke ndihmuar në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, duke theksuar se bashkëpunimi shumë i mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës kanë kontribuar shumë në këtë drejtim.
Kryeministri theksoi se reformat e gjithanshme të qeverisë shqiptare janë fokusuar në konsolidimin e demokracisë funksionale në vend, në konsolidimin e shtetit ligjor dhe thellimin e lirisë së tregut.
Gjatë bisedës, Kryeministri Berisha u paraqiti raportuesve të KE-së një ekspoze të reformave të qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, reformat në fushën ekonomike dhe fiskale, thjeshtësimin e procedurave dhe dixhitalizmin e tyre, reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi.
Kryeministri Berisha u ndal dhe në hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur për lehtësimin e klimës së biznesit në vend dhe uljen e barrës fiskale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Më tej, Kryeministri nënvizoi vlerësimin e raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2009”, që e rëndit Shqipërinë në vendin e 2-të në botë sa i përket reformave dhe në 10-të ekonomitë e para në botë sa i përket reformave në ekonomi dhe biznes në vitin e fundit.
Raportuesit z.David Wilshire dhe z.Jaakko Laakso pasi vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe reformat e qeverisë shqiptare, u interesuan në mënyrë të veçantë për reformën në drejtësi, reformën elektorale. Raportuesit e KE-së ndanë të njëjtën pikëpamje me Kryeministrin Berisha sa i përket rëndësisë që ka kufizimi i imunitetit të personave që e gëzojnë atë, në rastet e hetimit për korrupsion. Kufizimi i imunitetit, theksuan përfaqësuesit e KE-së, në raste të tilla është një faktor i rëndësishëm për luftën ndaj korrupsionit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias në përgatitjen e instrumenteve ligjorë të rëndësishëm, duke theksuar se këto marrëdhëniet duhet të thellohen edhe më tej.
Kryeministri Berisha, duke folur për angazhimin e qeverisë për siguruar infrastrukturën më moderne e të sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, i ftoi raportuesit që të inkurajojnë Këshillin e Evropës të dërgojë në Shqipëri një delegacion sa më të zgjeruar vëzhguesish për të ndjekur nga afër zhvillimin e zgjedhjeve te përgjithshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke i garantuar ata se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur qe zgjedhjet e vitit 2009 të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.