E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR

P R O J E K T L I GJ  PËR MBROJTJEN E FAUNËS SË EGËR


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,  Kuvendi i Republikës së Shqipërisë


V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË  PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

1. Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen, menaxhimin dhe kontrollin e faunës së egër, me synim për të ruajtur llojet, popullatat, habitatet, ku ato jetojnë, rrugët e shtegtimit, si dhe për të siguruar kërkesat e tyre për ushqim, strehim dhe shumim.

 2. Fauna e egër në territorin e Republikës së Shqipërisë është pasuri kombëtare, që administrohet dhe mbrohet me ligj, në përputhje edhe me konventat përkatëse ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.


Neni 2
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtme do të nënkuptohen:

1. “Fauna e egër”, të gjitha llojet e nënllojet e vertebrorëve, jovertebrorëve dhe popullatat e tyre, që jetojnë në gjendje të lirë, në habitatin e tyre natyror, të vendosura në mënyrë të përkohshme ose të përhershme, në një territor të dhënë.
2. “Habitate natyrore”, zonat tokësore, ujore apo të përziera, të dalluara nga tiparet gjeografike dhe abiotike, të cilat shërbejnë si mjedise të individëve, të popullatave, të llojeve ose të bashkësive të tyre.
3.   “Hyrja” (introduktim), sipas kuptimit, që ka në ligjin nr.9587,     datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.
4. “Rihyrja”(riintroduktim), rihyrja dhe përhapja e llojit të faunës për t’u rivendosur në mjediset natyrore.
5.  “Rrugët e shtegtimit”, rrugët gjeografike, përgjatë së cilave shpendët shtegtojnë zakonisht.
6. “Lloj shtegtar”, lloji ose pjesa e popullatës, për të cilin është tipike  shtegtimi në distanca të largëta, në mënyrë ciklike dhe të parashikueshme, dhe që kalon kufijtë e Republikës së Shqipërisë.
7. “Kushtet e shumimit”, kushtet dhe rrethanat konkrete materiale në një habitat të dhënë, të cilat mundësojnë veprimtarinë biologjike të riprodhimit.
8.  “Shumimi”, riprodhimi i llojeve të faunës autoktone dhe joautoktone.
9. “Ruajtja e numrit të popullatës”, procesi i programuar, që synon të ruajë e rivendosë ekuilibrat e përshtatshëm, ndërmjet shtimit të popullatës së llojit e mundësive natyrore, për jetesën dhe ushqimin e tij në një habitat të dhënë.
10. “Lista e kuqe”, llojet e faunës, të shpallura të mbrojtura me një akt normativ, konkretisht me urdhrin nr.146, datë 8.5.2007, të ministrit, “Për miratimin e listës së kuqe të florës dhe faunës”.
11. “Libri i kuq”, botimi, që përmban përshkrimin, shpërndarjen dhe karakteristika të tjera të llojeve të listës së kuqe, si dhe masat për përmirësimin e statusit të tyre të rrezikuar.
12.  “Vjelja”, tërësia e veprimeve, të planifikuara e të miratuara, si mbledhja, kapja, vrasja, etj., që përdoren për rregullimin e kuotave.
13. “Përfitimi i veprimtarisë jetësore”, përdorimi i individëve apo i popullatave të llojit, për të përfituar nga pjesë të veprimtarisë së tyre jetësore.
14. “Përfitimi i produktit të veprimtarisë jetësore”, përdorimi i individëve apo i popullatave të llojit, për të përfituar produkte, që ata i prodhojnë gjatë veprimtarisë së tyre jetësore, si helmi i gjarpërinjve, mjalti dhe produkte të tjera të bletëve, fija e krimbit të mëndafshit, etj
15. “Numri minimal i popullatës së llojit”, numri kritik i individëve të llojit, nën të cilin nuk garantohet riprodhimi natyral dhe vazhdimësia e llojit.
16. “Ministria”, institucioni qendror, i ngarkuar për mbrojtjen e faunës së egër.
17. “Ministri”, ministri, që drejton ministrinë e ngarkuar me mbrojtjen e faunës së egër.


Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për të gjitha llojet e nënllojet e faunës së egër, përfshirë vezët, foletë, të vegjëlit dhe habitatet, ku jetojnë të lira, përgjithmonë ose përkohësisht, në mjedise natyrore, tokësore e ujore, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Për qëllime të këtij ligji, fauna e egër nuk përfshin kafshët shtëpiake.


Neni 4
Fondi i faunës së egër

1. Fondi i faunës së egër përbëhet nga tërësia e llojeve të egra, nga popullatat e tyre, si dhe nga habitatet, ku ato jetojnë në gjendje të egër.

2. Në habitatet e faunës së egër, në funksion të këtij ligji, përfshihen edhe mjedise konkrete, në zona e territore urbane, në zona industriale, arkeologjike, historike e kulturore.


KREU II
MBROJTJA

Neni 5
Synimet e mbrojtjes

Mbrojtja e faunës së egër synon:

1. Ruajtjen e rimëkëmbjen e larmisë së llojeve dhe tërësinë e  tyre gjenetike;

2. Mbrojtjen e habitateve, të rrugëve të shtegtimit e të kushteve të shumimit të tyre;

3. Ruajtjen e integritetit të komuniteteve natyrore;

4. Përdorimin e faunës së egër për qëllime studimore-shkencore, që sigurojnë rigjenerimin e tyre;

5. Rihyrjen e llojeve të faunës, të zhdukura apo të rrezikuara.


Neni  6
Kërkesat e mbrojtjes

Për mbrojtjen e faunës së egër duhen patur parasysh kërkesat e mëposhtme:

1. Sigurimi i mbrojtjes tërësore për faunën e egër, si dhe i mbrojtjes së veçantë për llojet e saj, në përputhje me gjendjen konkrete të llojit dhe të habitatit ku jeton, duke u dhënë status të veçantë mbrojtjeje llojeve të kërcënuara e në rrezik zhdukjeje;

2. Sigurimi i mbrojtjes së barabartë për llojet dhe i mbrojtjes së një lloji të veçantë, për të mos dëmtuar një lloj tjetër;

3. Ruajtja dhe rehabilitimi, kur është e mundur, i habitateve natyrore, rrugëve të shtegtimit dhe i krijimit të kushteve për shumimin e llojeve të faunës së egër;


4. Rimëkëmbja e  popullatave të pakësuara të llojeve në një apo në disa habitate të caktuara;

5. Sigurimi i mbrojtjes së llojeve nga fatkeqësi natyrore, në rastet e dukurive epizootike e gjatë kushteve të vështira të motit, duke asistuar individë të llojeve të egra;

6. Shmangia e keqtrajtimit, dëmtimit dhe e plagosjes së individëve të llojeve gjatë veprimtarive bujqësore, hidroteknike, të mirëmbajtjes e shfrytëzimit të pyjeve dhe veprimtarive të tjera, ekonomike e shoqërore, që mund t’i dëmtojnë;

7. Krijimi i zonave të mbrojtura, duke patur si bazë habitatet e llojeve;

8. Shtimi ex-situ i llojeve të kërcënuara dhe endemike;

9. Kufizimi i përdorimit të llojeve të egra për qëllime koleksionimi e për çdo qëllim tjetër;

10.  Mbrojtja e llojeve nga ndikimet negative të përhapjes e shumimit të llojeve invazive, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”;

11. Organizimi i kërkimeve shkencore për mbrojtjen e llojeve të faunës së egër;

12. Ndalimi dhe eliminimi i sjelljes çnjerëzore (mizore) mbi llojet e faunës së egër, si dhe i torturës ndaj tyre;

13. Nxitja për mbrojtjen e faunës së egër dhe promovimi i politikave e i qëndrimeve njerëzore për to;

14. Ruajtja e tërësisë gjenetike dhe sigurimi i numrit minimal të popullatave të llojeve;

15. Krijimi i qendrave të shpëtimit të llojeve të faunës së egër;

16. Mbrojtja nga sëmundjet infektive e zootonike;
17. Nxitja e përkrahja nga shteti i projekteve dhe i veprimtarive të biznesit, të OJF-ve e të donatorëve, që synojnë mbrojtjen dhe shtimin e llojeve të faunës së egër;

18. Rikthimi në natyrë i individëve të robëruar.

 
Neni 7
Mbrojtja e llojeve të kërcënuara dhe endemike

1. Llojet e kërcënuara dhe endemike, të përcaktuara në listën e kuqe, gëzojnë mbrojtje të veçantë  ligjore, që ka të bëjë me:

a) hartimin dhe zbatimin e planeve të veçanta të veprimit, për ruajtjen e këtyre llojeve, sidomos kur shumimi i tyre, në kushte natyrale, është shumë i kufizuar;
b) monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes faktike e të ecurisë së popullatave të ty

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›