Kryeministri Berisha pret znj. Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e BB-së në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti në një takim zonjën Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri , e cila bëri një vizitë zyrtare për t’i uruar Kryeministrit fillimin e punës në krye të qeverisë së re.
Znj. Camile, pasi e përgëzoi për mandatin e dytë në krye të qeverisë “Berisha 2”, shprehu gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm të mëtejshëm, me qeverinë shqiptare. Ajo e siguroi Kryeministrin se Banka Botërore do të vazhdonte me të njëjtin përkushtim punën për përfundimin e projekteve të nisura, si dhe fillimin e projekteve të reja, konform strategjisë së tij për zhvillimin e vendit.
Zonja Camille Nuamah i ofroi Kryeministrit asistencë edhe për përballimin e pasojave të tërmetit, në lidhje me rehabilitimin e 3 shkollave të dëmtuara në këtë zonë. Po kështu, asistenca e BB-së, së bashku me atë të donatorëve të tjerë, do të vazhdojë në fushën e shëndetësisë, të ambientit, etj.
Kryeministri Berisha e falënderoi për vizitën dhe e garantoi zonjën Nuamah se qeveria e tij do të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore, në suksesin e projekteve ekzistuese, si dhe në atë të projekteve të ardhshme. Ai tha se ambiciet e qeverisë së tij janë shumë më të mëdha se të 4-vjeçarit të parë të qeverisjes dhe se bashkëpunimi me BB dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, është shumë i rëndësishëm për të. Kjo edhe per faktin se ky mandat i qeverise se tij, përkon edhe me objektivin e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian.
Kryeministri theksoi se zhvillimi i bujqësisë është një nga objektivat kryesore të qeverisë së tij, dhe si pjese e tij, dyfishimi i prodhimit bujqësor, edhe pse jo i lehtë, lufta kundër varfërisë, zhvillimi i sipërmarrjeve në bujqësi dhe i burimeve të financimit të një sërë projekteve madhore. Këto janë midis te tjerave, objektiva afatshkurtër dhe afatgjatë në axhendën e punës së qeverisë në një sektor kaq vital për ekonominë zhvillimin e vendit. Përgatitja e një masterplani për turizmin malor, vazhdimi i projekteve të infrastrukturës, për të lidhur zonat e largëta malore dhe ato bujqësore me zonat urbane, krijimi dhe zgjerimi i sipërfaqeve me ullinj e dru frutorë, janë projekte te mundshme të cilat mund të asistohen edhe nga pjesëmarrja e Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë.
Midis të tjerave Kryeministri përmendi dhe projektet në lidhje me furnizimin me ujë dhe ato sistemeve vaditës e kullues, pjesëmarrjen dhe rritjen e përgjegjësisë së komunave në këtë fushë, krijimin e një kulture dhe tradite për kultivimin e drurëve frutorë, si pjesë te rëndësishme te programit të qeverisë Berisha 2. Ai shprehu sigurinë për suksesin e bashkëpunimit të mëtejshëm me BB-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtar.
Zonja Camille Nuamah njoftoi gjithashtu se Banka Botërore po bën një studim në lidhje me zhvillimet klimatike dhe situatën e burimeve ujore në Ballkan, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
14/09/2009