E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në ditën e parë të vitit të ri shkollor

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha morën pjesë sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në përurimin e shkollës së mesme, profesionale “26 marsi”, në qytetin e Kavajës. Me këtë rast, Kryeministri Berisha uroi të gjithë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë që sot ulen në bankat e shkollave, një vit të mbarë dhe të suksesshëm në rrugën e dijes.

Në përshëndetjen drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve të pranishëm, kryeministri Berisha u shpreh se shkolla e mesme profesionale do të luajë një rol  shumë të rëndësishëm në edukimin e të rejave dhe të rinjve të zonës, duke iu dhënë mundësinë atyre të përshtaten me kushtet e tregut.

Kryeministri tha se qeveria i ka kushtuar dhe do ti kushtojë një rëndësi kryesore reformës së arsimit dhe do të bëjë çdo përpjekje që fëmijët shqiptarë, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të shkollohen në kushtet më moderne.  “Dita e fillimit të shkollës është një ditë e shënuar. Shkolla dhe shkollimi juaj ka një rëndësi vendimtare për të ardhmen tuaj dhe të vendit në tërësi. Në bankat e shkollave iniciohet Shqipëria e dekadave që vijnë.”

Kryeministri u shpreh se ndonëse në mandatin e parë u shënuan arritje në  shkollat shqiptare, në mandatin e dytë , qeveria do të përballet me sfida të reja në fushën e arsimit për ta përsosur dhe modernizuar më tej atë. “Gjatë mandatit të parë ne ndërtuam dhe rindërtuam rreth 1100 shkolla të reja apo rindërtuam ekzistueset. Gjatë mandatit të parë ne bëmë një revolucion të vërtetë duke shtrirë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Gjatë mandatit të parë ne dyfishuam rrogat e arsimtarëve dhe ia dolëm të kapim standardin evropian në përqindjen e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme dhe ndjekin universitetet. Ne mbidyfishuam numrin e studentëve në universitete. Ky mandat parashtron para nesh detyra shumë më të mëdha.  Në rast se ne shtrimë kabinetet e informatikës dhe internetit në të gjitha shkollat, gjatë këtij mandati ne do të shtrijmë në të gjitha shkollat e-learning, mësimin digjital,  si formën më të përshtatshme. Gjatë këtij mandati ne do ti shndërrojmë shkollat në qendra të fuqishme të përhapjes së shoqërisë së informacionit në komunitet.”

Kryeministri theksoi se në mandatin aktual del si detyre parësore për qeverinë ti japë shtysë zhvillimit të arsimit profesional, në mënyrë që të rejat dhe të rinjtë shqiptarë krahas shkollimit të marrin edhe aftësimin për tu punësuar në degë të ndryshme  të ekonomisë dhe tu përshtaten kërkesave të saj.

“Në këtë kontekst kjo shkollë e re profesionale përbën një arritje jo vetëm për rrethin tuaj, por edhe për vendin. E themeluar me 6 degë shkolla ka potencial të madh për ti dyfishuar ato. Shkollat profesionale të vendit duhet të funksionojnë si shkolla të hapura për kualifikimin dhe rikualifikimin e punëtorëve. Gjatë këtij mandati ne synojmë të rrisim së paku me 10 % pjesëmarrjen e nxënësve në këto shkolla.

Gjatë këtij mandati ne synojmë që shkollat profesionale të vihen në shërbim të plotë të tregut të punës, të kualifikojnë , të rishkollojnë  punonjësit  që humbasin vendet e punës për ti përshtatur ata me vende të reja sipas kërkesave të tregut.”

Gjatë këtij mandati, vijoi kryeministri, qeveria ka si objektiv të mbikalojë standardin evropian, një student për 1000 banorë dhe kjo kërkon që në fund të mandatit Shqipëria të ketë mbi 150 mijë studentë në universitete  e saj.

Duke theksuar rëndësinë e madhe të angazhimit  të sektorit privat, në fushën e arsimit, Kryeministri garantoi se të gjithë afaristët dhe biznesmenët shqiptarë që do të investojnë në këtë fushë, do të vlerësohen dhe do të mbështeten fuqishëm nga qeveria. “Barra e shkollimit bëhet gjithnjë e më e madhe, detyrimet ndaj tij bëhen gjithnjë e më të mëdha. Vendi dhe shoqëria do të mund ta përballojnë me sukses të plotë  vetëm duke gjetur të gjithë mekanizmat për të angazhuar tregun privat në fushën e arsimit. Ndaj dhe unë garantoj të gjithë afaristët shqiptarë, biznesin shqiptar se investime te tyre në fushë e arsimit do të vlerësohen shumë nga kjo qeveri, se ato do të mbështeten fuqishëm me stimuj fiskal dhe me mjete të tjera. Partneriteti publik, privat, në sektorin e arsimit është vendimtar për të ruajtur cilësinë dhe kapur standardet evropiane.”

Duke iu uruar nxënësve mësim të mbarë në shkollën e re, kryeministri i garantoi ata se  në  4 vitet e ardhshme, shkollimi i tyre do të jetë përparësia më madhore e qeverisë.

Së bashku me kryeministrin Berisha në këtë aktivitet ishin të pranishëm, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Fatos Bejo, drejtues të pushtetit lokal të zonës, si dhe nxënës, mësues e prindër. Shkolla e mesme profesionale “26 marsi”  e  ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me vlerë  83 milion lekë, ka 24 klasa  dhe 170 nxënës.


14/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›