E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, LtG Sulejman Selimi

Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant Sulejman Selimi. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe vlerësimin më të madh për Forcën e Sigurisë, reformat e ndërmarra për konsolidimin e saj, duke e shndërruar atë në një faktor të rëndësishëm të paqes, sigurisë dhe integrimit te Kosovës në strukturat e Aleancës së Atlantikut te Veriut.

Kryeministri u shpreh me tej se i ndjek me shumë admirim zhvillimet e rëndësishme pozitive në Kosovë, konsolidimin e pavarësisë si dhe rolin e pozitiv që luan Kosova për paqen dhe stabilitetin në rajon.  Kryeministri Berisha e siguroi Komandantin e Forcës së Sigurisë se Kosovës së Shqipëria është e hapur për bashkëpunimin e ngushtë midis dy forcave tona, dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në konsolidimin e saj.

Nga ana e tij, Komandanti i Forcës se Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant Sulejman Selimi shprehu kënaqësinë për pritjen dhe falenderoi për mbështetjen që Shqipëria dhe Kryeministri kanë dhënë për Kosovën dhe institucionet e saj.  Po ashtu, Komandanti i FSK Selimi e njohu Kryeministrin Berisha me reformat e ndërmarra për konsolidimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se në përbërje të saj ka rreth 8% nga minoritetet.  Kjo është një arritje e madhe theksoi Kryeministri Berisha.  

Më tej zoti Berisha u shpreh se është shumë rëndësishme që të parandalohet dhe shmanget çdo lloj provokacioni me të cilin synohet të errësohen arritjet e mëdha te Kosovës.  Kryeministri Berisha i kërkoi Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjeneral Lejtnant Selimi t’u dërgonte përshëndetjet e tij Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës dhe u shpreh se pret me kënaqësi vizitën e tij të ardhshme në Kosovë.


05/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›