E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me drejtues të Fondacionit "Robert Schuman"

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e fondacionit "Robert Schuman", zotin Dominique Giuliani dhe zotin Ksavier de Villepin, personalitet i shquar i politikës franceze, disa herë ministër dhe senator.

Presidenti Giuliani dhe zoti De Villepin falenderuan Kryeministrin Berisha për mikëpritjen dhe shprehen vlerësimin e tyre të madh për reformat e ndërrmarra nga qeveria shqiptare. Duke vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare në rrugën drejt integrimit, bashkëbiseduesit shprehën përkrahjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe bindjen se Presidenti Sarkozy do të punojë fuqishëm për axhendën e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë kontekst personalitetet franceze shprehën dëshirën për takim të afërt mes Presidentit Sarkozy dhe Kryeministrit Berisha.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit. Gjithashtu Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta të vendit, duke u ndalur në mënyrë të posaçme në përpjekjet e qeverisë për të luftuar informalitetin në ekonomi dhe thellimin e reformave fiskale. Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në përkujdesjen e treguar nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për biznesin në tërësi, duke theksuar se kjo klimë ka ndikuar në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë kuadër Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me nismën "Shqipëria një euro" të ndërrmarrë nga qeveria.

Në takim u diskutua gjithashtu për situatën në rajon, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në çështjen e Kosovës, për të cilën Kryeministri theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështje në përputhje të plotë me planin Ahtisari.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›