E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha vlerëson bashkëpunimin në fushën e arsimit me Maqedoninë

- Kryeministri pret Ministrin e Arsimit të Maqedonisë Sulejman Rushidi

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Ministrin e Arsimit të Maqedonisë, zotin Sulejman Rushidi, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri në kuadër të nënshkrimit të Programit Ekzekutiv të Marrëveshjes dypalëshe në fushën e arsimit, të nënshkruar në vitin 2001.

Në takim u diskutua për reformat në fushën e arsimit, nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve dypalëshe në këtë drejtim, etj..

Ministri i Arsimit Rushidi e njohu Kryeministrin Berisha me reformën arsimore që po ndjek ministria e Arsimit e qeverisë maqedonase, duke vlerësuar se arsimi mbetet një vlerë e patjetërsueshme për çdo vend. Bashkëbiseduesit shprehën të njëjtat pikëpamje për domosdoshmërinë e reformës arsimore, si hap thelbësor për zhvillimin dhe të ardhmen e çdo shoqërie. Gjithashtu, ai e informoi Kryeministrin me nismat më të fundit në Maqedoni për hapjen e disa institucioneve kulturore shqiptare, duke i konsideruar ato si një vlerë e kulturës evropiane.

Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm, pasi të dy vendet ndajnë të njëjtat sfida në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në këtë kuadër, theksoi Kryeministri, mbështetja që po u jepet vendeve tona për integrim në NATO është një sinjal pozitiv për thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e reformave integruese.

Kryeministri Berisha dhe ministri Rushidi ndanë të njëjtin mendim për nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe qeverive tona në të gjitha fushat, në fushën e mbrojtjes, policisë, ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›