E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me drejtues të kompanisë gjermane WAZ

Kryeministri Berisha priti sot në takim drejtuesit e kompanisë prestigjoze gjermane WAZ. Përfaqësuesit e kompanisë gjermane falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen dhe shprehën kënaqësinë e tyre për hyrjen e kësaj kompanie prestigjoze e cila është prezente në shumë vende të Europës, në tregun mediatik shqiptar.

Ata shprehën angazhimin e tyre për një bashkëpunim në rritjen e cilësisë dhe profesionalizimit të tregut mediatik shqiptar duke vlerësuar arritjet e vendit tonë në zhvillimin ekonomik dhe atë social.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij për prezencën e një kompanie prestigjoze gjermane në vendin tonë, lajm ky mjaft i mirë, veçanërisht në fushën mediatike, që përbën një sektor mjaft të rëndësishëm në një shoqëri të lirë.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria përfaqëson një treg mediatik më të gjera se sa kufijtë e saj, duke përfshirë këtu shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi si dhe diasporën shqiptare kudo në botë.

Në këtë drejtim biznesmenët gjermanë u shprehën entuziastë për një treg në zhvillim që ka nevojë për gazetari profesionale dhe një biznes serioz në këtë fushë.

Përfaqësuesit e kompanisë  gjermane shprehën interesin e tyre për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, si dhe për mundësitë për të investuar në vendin tonë. Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me një sëre reformash të ndërmarra në të gjitha fushat me qëllim përmbushjen e dy projekteve madhore për kombin shqiptar, atë të integrimit të plotë në NATO dhe në BE.  Kryeministri theksoi se në sajë të masave të ndërmarra, për përmirësimin e klimës së biznesit, tashmë Shqipëria është një vend tërheqës për investimet e huaja, me potenciale të pafundme natyrore për tu shfrytëzuar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›