E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Ministren e Drejtësisë dhe Ministrin e Shërbimeve Publike të Republikës së Kosovës

Kryeministri Berisha mirëpriti sot Ministren e Drejtësisë së Kosovës, zonjën Nekibe Kelmendi si dhe Ministrin e Shërbimeve Publike të Republikës së Kosovës, zotin Arsim Bajraktari.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen përfaqësueseve të lartë të ekzekutivit të Kosovës, shprehu kënaqësinë e tij për përparimet e dukshme të Kosovës dhe shtetit të ri të saj në shumë fusha zhvillimi, veçanërisht në legjislacion. Kryeministri Berisha shprehu bindjen se të dyja qeveritë do të kenë një bashkëpunim dhe një bashkërendim të frytshëm në reformimin dhe në standardizimin dhe modernizimin e institucioneve.

Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se një bashkëpunim shumë i mirë ekziston në fushën e drejtësisë, bashkëpunim i cili do të jetë aktiv me shkëmbime të eksperiencave dhe në përafrimin e standardeve.

Kryeministri theksoi se në përgjithësi ligjet në Kosovë janë të standardeve shumë të mira, ndërsa u ndal në punën që po bëhet në Shqipëri për zëvendësimin apo përmirësimin e mjaft ligjeve, duke theksuar këtu se reforma e sistemit të drejtësisë po zhvillohet dhe se ajo do të ketë ecuri në një bashkëpunim të ngushtë me opozitën.

Ministrat e qeverisë së Kosovës falënderuan Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke i shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të tij, qeverisë së tij dhe të klasës politike shqiptare në proceset zhvilluese dhe të modernizimit në Kosovë.

Ndërkohë ata shprehën angazhimin e tyre për një bashkëpunim dhe bashkërendim të punës së tyre me homologët shqiptarë duke theksuar se do të jetë i vazhdueshëm shkëmbimi i eksperiencës dhe ndarja e vlerave të përbashkëta në të gjitha fushat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›