E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Zv/kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z. Miroslav Lajcak

Në Dubrovnik, ku mori pjesë në punimet e Samitit të kryetarëve tё qeverive dhe personaliteteve nё fushën e vendimmarrjes dhe opinionbёrjes me temё “Shtet-ndёrtimi dhe eksperienca evropiane“, Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendës Kryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z. Miroslav Lajcak.

 Në takim u diskutuan  zhvillimet e fundit në Shqipëri, e në veçanti, ecuria  e reformave për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, me qëllim ecjen përpara në procesin e integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

 Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu Zv/kryeministrin Lajcak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën jashtëzakonisht të rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve dhe me arritjet e rëndësishme në përmbushjen e një pjese të rëndësishme të rekomandimeve, si edhe punën intensive e gjithëpërfshirëse për përmbushjen sa më parë të këtij procesi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

 Zv/kryeministri Lajcak vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e risiguroi Kryeministrin Berisha se Bashkimi Evropian është tërësisht i vendosur të vijojë të mbështesë e ndihmojë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha  gatishmërinë  e Sllovakisë për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë  në këtë përpjekje madhore, në çdo  kohë.

 Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.

 Kryeministri Berisha i ripërsëriti zv/kryeministrit Lajcak dëshirën për ta mirëpritur në Tiranë, në çdo kohë, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.


08/07/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›