Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Sheffer
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha mirëpriti në një takim të veçantë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Sheffer. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Sheffer, bënë këto komente për median:
Zoti Jaap de Hoop Sheffer: Është kënaqësi e madhe që jam sërish në Shqipëri. Është kënaqësi të takoj kryeministrin, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Mbrojtjes.
Kohët e fundit marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n janë intensifikuar. Më lejoni t'ju them shkurtimisht përse jam sot në Tiranë. Në fund të muajit nëntor kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të NATO do të mblidhen në një samit në Riga, Letoni. Qëllimi i këtij samiti nuk do të jetë vetëm zgjerimi i NATO-s, por jam i sigurt se do t'u jepet një sinjal pozitiv atyre vendeve si Shqipëria, të cilët aspirojnë të bëhen anëtarë të NATO-s. Ky nuk është një proces automatik, por varet nga rezultatet e secilit vend. Duke qenë se NATO mbështetet në vlera, NATO dhe aleatët e saj kërkojnë që këto vlera të respektohen. Këtë temë diskutova me kryeministrin dhe kjo nënkupton luftë kundër korrupsionit, kundër krimit, trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore, respektimin e minoriteteve, zbatimin e ligjit. Këto janë bazat mbi të cilat aleatët e NATO-s do të japin vendimin.
Dëshiroj të siguroj publikisht kryeministrin dhe ju të gjithë se dera e NATO-s është e hapur. Nuk ka asnjë dyshim për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s. Nuk mund t'ju them ku dhe kur, pasi kjo bazohet në performancën e çdo vendi. Dyert e NATO-s janë të hapura. NATO-ja do ta ndihmojë Shqipërinë për të përmbushur kriteret dhe standartet. Parimi bazë është: kur ju të jeni gati, ne jemi gati. Unë kam shpresë, duke parë punën që po bëhet, se Shqipëria do të bëjë maksimumin. Për këtë më siguroi edhe kryeministri.
Më lejoni të shpreh edhe një herë kënaqësinë që jam, sot, në Tiranë dhe që takova kryeministrin dhe ministrat e qeverisë së tij.
Kryeministri Berisha: Dëshiroj të falenderoj shumë përzemërsisht Sekretarin e Pergjithshëm të NATO-s për këtë vizitë, në vendin dhe kombin me aspiratat më të zjarrta për anëtarësimin në NATO. Dëshiroj ta falenderoj për mesazhin e shkëlqyer që solli. Samiti i Rigës është një ngjarje e madhe për NATO-n dhe vendet partnere. Sinjali pozitiv i këtij samiti është inspirues për Shqipërinë dha ata që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.
Në bisedimet që patëm e sigurova Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se ne jemi plotësisht dakort me konceptin e progresit mbi bazën e performancës dhe jemi të vetëdijshëm se cilësia e Aleancës është parësore në zgjerimin e saj. Në këtë kontekst ne do të bëjmë çdo përpjekje, ashtu siç kemi bërë deri më sot, për të vendosur shtetin ligjor, për të luftuar me zero tolerancë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të bëjmë çdo përpjekje për garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe minoriteteve, për përmirësimin e standarteve të të drejtave të njeriut dhe zgjerimin e lirisë së tregut. Gjithashtu unë shpreha dëshirën e qeverisë shqiptare që të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në aksionet e NATOS, qoftë kjo në Afganistan, apo dhe në Afrikë, ku NATO-ja të ketë nevojë.
Ne jemi të vendosur të konsolidojmë dhe të zgjerojmë bashkëpunimin me NATO-n si partnerë, duke u përgatitur sa më mirë për anëtarësimin e plotë.
Unë e sigurova zotin Sheffer se Shqipëria është shumë e vendosur të japë ndihmesën e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit në tërësi janë miqësore, por konsolidimi i këtyre marrëdhënieve, paqja dhe stabiliteti i rajonit, traumat e fundit që rajoni përjetoi, kanë si zgjidhjen më të mirë integrimin në Nato dhe në BE.
Edhe njëherë dua tu falenderoj shumë përzemërsisht për nderin e madh që i bëtë Shqipërisë me vizitën tuaj.
Pyetje: Zoti Sheffer, si e vlerësoni punën e bërë nga qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionint. A mendoni se kjo do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugën drejt antërësimit në NATO?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Sigurisht. Lufta kundër korrupsionit, përpjekjet për të vendosur shtetin ligjor, lufta kundër trafikut, është e rëndësishme jo vetëm për imazhin e Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për antërësimin në NATO, por është e rëndësishme për vetë Shqipërinë. Organizata si NATO-ja dhe BE -ja bazohen në vlera dhe ata nuk do të pranonin kurrë si anëtarë vende që nuk do të luftonin kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të qënieve njerëzore. Kryeministri më siguroi se është plotësisht dakort me mua në këtë pikë. Ndamë të njëjtin mendim se çështja nuk është thjesht miratimi i ligjeve, por kryesore është zbatimi i tyre.