E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin për hapjen e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në takimin e zhvilluar për hapjen e procesit të legalizimit dhe urbanizimit të ndërtimeve pa leje. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të qeverisjes vendore, drejtues të Agjencisë së Legalizimeve, Privatizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimit Informal (ALUIZNI) dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:

"Ky takim shënon pa asnjë mëdyshje fillimin e një kthese rrënjësore në përpjekjen tonë për rivendosjen e shtetit ligjor në mbarë territorin e vendit, në kompletimin e reformës së pronësisë, si kushti më themelor i administrimit ligjor të territorit dhe i konsolidimit të bazave të rendit të ri ekonomik që mori jetë pas shembjes së perdes së hekurt në Shqiperi. Është kushti më themelor për të ridimensionuar ekonominë e tregut në vendin tonë.

Lëvizja e lirë që nisi në vitin '90 solli bashkë me një sërë faktorësh të tjerë vendosjen e një rendi të ri në Shqipëri. Në këtë kontekst, ajo çka del para nesh si informalitet apo ekstralegalitet, është dëshmi e vendosjes së një rendi të ri ekonomik, i bazuar mbi vlerat, mbi liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Në Shqipëri fenomeni i ekstralegalitetit mori përmasat më të mëdha se në çdo vend tjetër ish komunist. Ndër të tjera, kjo ndodhi për faktin se në asnjë vend tjetër ish komunist lëvizja e qytetarëve nuk ishte kaq e ndaluar sa në Shqipëri. Shqipëria në tërësi, zonat rurale që përbënin dhe pjesën më të madhe të vendit, u shndërruan pergjate gjysmë shekulli në një rezervat të madh njerëzor. Askush në Europë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka provuar vuajten, dhimbjen, urinë që kanë përjetuar bujqërit shqiptar.

Unë jam i bindur se ajo që krijoi sistemi kolektivist është e papërsëritshme në historinë kombëtare, ndaj dhe në të gjitha rrethanat, pas shembjes së perdes së hekurt, "skllevërit" e sistemit socialist ndiheshin më mirë sesa aty ku ishin gozhduar për 50 vite. Dhe ata lëvizën vendbanimin. Por shteti nuk u garantoi atyre atë që duhej, truallin, parcelën, për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Në këtë mënyrë, fenomeni i levizjes në periudhën e tranzicionit, mori ato përmasa saqë sot Shqipëria ekstralegale është më e madhe se Shqipëria legale, në rrafshin e ndërtimeve.

Gjatë këtyre viteve është zhvilluar një debat i madh. Ka patur dy qëndrime. Njëri qëndrim është ky që paraqitet sot, një trajtim miqësor ndaj të shpërngulurve, legalizimi i tyre sa më i shpejtë, shndërrimi i këtij kapitali të jashtëzakonshëm në një kapital që prodhon çdo ditë fitim dhe zhvillim. Ndërsa ekzistonte edhe një rrymë tjetër e cila iu kundërvu me të gjithë forcën këtij procesi. Megjithatë, ne nisim këtë proces me vendosmërinë më të madhe për ta kompletuar në një kohë sa më të shkurtër.

Qeveria ka garantuar ekspertizën më të mirë në fushën e legalizimeve, ekspertizë kjo që mbartet nga Instituti për Liri dhe Demokraci, i zotit Hernando De Sotto. Dua të theksoj se vepra e tij ka qenë frymëzuese në hartimin e programit tonë për legalizimin. Ne bëmë një ligj në mënyrë që të sistemojmë këtë diamant që krijuan shqiptarët, të cilët ndërtuan në këto 15 vite më shumë dhe pakrahasimisht shumë herë më mirë se në 50 vitet e diktaturës. Tani ata do të marrin tituj, do të marrin pronësi. Në këtë mënyrë çlirohet një kapital prej 3 miliardë dollarë, qe per nje vend si Shqipëria eshte një shumë jashtëzakonisht e madhe.

Unë i ftoj të gjithë të përkrahin frymën e kësaj filozofie, e cila ka në qendër qëndrimin miqësor ndaj këtyre qytetarëve. Në çdo gjë që bëjmë ne duhet të vendosim të parin qytetarin. Cdo ditë unë takoj grupe ekspertësh të fushave të ndryshme dhe ju parashtroj në ekspertizat e tyre vetëm një kërkesë; qytetari dhe interesi i tij është i pari. Po këtë kërkesë ua kam përsëritur drejtuesve të ALUIZNI-t dhe ua paraqes sot edhe juve. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të kompletojmë brenda një kohe të shkurtër këtë proces i cili të tjerëve u ka marrë dekada e dekada.

Duhet të punojmë me përkushtim, të përzgjedhim njerëzit më kompetentë, me aftësi, në kompletimin e drejtorive rajonale të ALUIZNI-t. Qeveria është e vendosur të japë mbështetje të plotë dhe të gjithanshme përpjekjeve tuaja për t'i shndërruar këta qytetarë në zotër të vërtetë të shtëpive të tyre. Ky është një detyrim i madh. Nuk mund të gjendet në tërë letërsinë botërore një sakrificë kaq e madhe mbinjerëzore, sa sakrifica e atyre njerëzve për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Shtëpitë, objektet e ndërtuara janë shkrirje e energjive të qytetarëve shqiptarë që kanë punuar aq shumë jashtë e brenda vendit. Ky është sensi që duhet të na udhëheqë në qëndrimin ndaj tyre. Tashmë janë thjeshtuar të gjitha procedurat. Nga rreth 20 dokumenta që duheshin për këtë proces, ato janë reduktuar në 7 te tilla. Nga dhjetra vajtje-ardhje të qytetarëve për kompletimin e dokumentacionit ato janë reduktuar në 3 të tilla.

U bëj thirrje qytetarëve të marrin përgjegjësitë për të kontribuar në realizimin e këtij procesi, për t'u dalë zot ndërtimeve të tyre. Ne po i pronësojmë ata. U bëj thirrje ndërtuesve të dëshmojnë seriozitet absolut në kompletimin e këtij procesi. Dua të informoj shqiptarët se çdo kërkesë e tyre është përfshirë në ligj. I takon Shoqatës së Ndërtuesve dhe të gjithë ndërtuesve t'i përgjigjen një për një ligjit. Po të dalësh në Linzë dhe të hedhësh sytë mbi Tiranën vihet re se janë qindra pallate të ndërtuara, por ato nuk janë të leglizuara, të hipotekuara. Ndaj ne duhet ta shndërrojmë këtë në procesin e legalizimit dhe legjitimimit të tyre. Qeveria ka plotësuar cdo kërkesë të tyre. Ne presim që ndërtuesit të përgjigjen me të njëjtin qëndrim, presim nga qytetarët një rol dhe pjesëmarrje aktive në proces. Po ashtu, u kërkoj drejtuesve të ALUIZNI-t të gjejnë mënyrën për të vendosur bashkëpunimin më të ngushtë me komunitetin. Legalizimi është një cështje e gjithë komunitetit. Ligji i miratuar tashmë është diskutuar përgjatë një viti në çdo zonë informale ndaj tani ky ligj duhet të zbatohet.

Unë garantoj pronarët se qeveria do të kompensojë me vlerë tregu dhe me përparësi të plotë dhe totale cdo metër katror të pushtuar. Qeveria, me këtë akt, ka si synim t'u japë mundësinë shqiptarëve të firmosin kontratën sociale në rendin e ri. Shqiptarët kanë domosdoshmëri jetike, ashtu si çdo komb tjetër i qytetëruar, një kontratë sociale me pronën, shtetin, shoqërine. Por nuk e kanë patur këtë fat. Pushtimet e gjata, diktaturat e egra, nuk i lejuan ata. Edhe një herë i garantoj pronarët se do të jenë një përparësi e madhe në këtë proces. Krahas reformës së legalizimit do të përshpejtohet tërësisht procesi i reformës së kthimit dhe kompensimit të pronave, i cili në kuptimin mitologjik ka hyrë në kalendat greke. Nuk mund të pranohet më kjo gjendje. Ky proces do të shpejtohet dhe do të njohe ritme krejtësisht të tjera. Në këtë mënyrë ne plotësojmë reformën më të rëndësishme të kombit e të vendit, reformën e pronësisë.

Edhe një herë dua të falënderoj përfaqësuesit e PNUD-it, të OSBE-së, të Bankës Botërore, Institutin për Liri e Demokraci të zotit Fernando De Sotto, Grupin e ekspertëve shqiptarë, të gjithë ata që bënë një punë jashtëzakonisht serioze dhe ngritën në këmbë këtë strukturë, si një shtyllë kryesore të reformës së pronësisë në vendin tonë.

Faleminderit"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›