E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon delegacionin kinez të Asamblesë Popullore

Tiranë, 24 nëntor NOA Kryeministri, Sali Berisha priti sot delegacionin Delegacionin Parlamentar të Komisionit të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Republikës Popullore të Kinës, kryesuar nga z. Sun Uen-Sheng, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe Nënkryetar i Komitetit të Çështjeve Bujqësore dhe Rurale.

Sun Uen-Sheng u shpreh se kjo vizitë është me rëndësi edhe sepse bujqësia është një nga çështjet jetike, për një popull të madh siç është populli kinez dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe ndihma reciproke  në këtë drejtim është mjaft e rëndësishme.

Ai theksoi se takimet e zhvilluara në Shqipëri, janë përqendruar në tri fusha të rëndësishme siç janë sistemi i tokave bujqësore; sistemi i ndërmarrjeve bujqësore dhe sigurimet shoqërore për popullsinë rurale.

Në fjalën e tij Berisha u shpreh se në vitet e fundit ka pasur një zhvillim intensiv të marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona dhe qeveria shqiptare është e përkushtuar që të punojë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke u ndalur në zhvillimin e bujqësisë dhe të zonave rurale në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se Kina dhe Shqipëria kanë të përbashkët luftën që i kanë shpallur të dyja qeveritë varfërisë, e cila është e përqendruar në Shqipëri kryesisht në zonat rurale dhe në zonat malore, të cilat kanë pak tokë.

Arritjet e Kinës, në këtë aspekt janë unike në botë dhe janë bërë në një kohë rekord dhe bashkëpunimi me Kinën në këtë drejtim është mjaft i dobishëm u shpreh kryeministri.

k.k/NOA        

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›