E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron kryetarin e Forcës politike të “Demokracia e Re”, zotin Antonio Samaras, për fitoren në zgjedhjet e zhvilluara në Greqi

Kryeministri Berisha përshëndeti sot nga mbledhja e Grupit parlamentar të PD, zhvillimin e zgjedhjeve të 17 qershorit, në Greqi, duke uruar forcën politike fituese ”Demokracia e re” të drejtuar nga Antonio Samaras, për rezultatin e arritur në këto zgjedhje.  Kryeministri, vlerësoi se kjo fitore shënon një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi dhe kombi për t’u përballur me dinjitet me krizën që përjeton.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh;

‘Zonja e zotërinj deputetë,

Dje, populli grek ka bërë një votim historik, votim i cili është përshëndetur nga mbarë Evropa dhe bota e qytetëruar. Kombi grek votoi për forcat politike të cilat janë të angazhuara të zbatojnë dhe nderojnë marrëveshjet, në interesin më të mirë të kombit dhe vendit të tyre me Bashkimin Evropian dhe eurozonën. Kombi grek ia besoi qeverinë Qendrës së Djathtë të drejtuar nga Antonio Samaras, partisë simotër të Qendrës së Djathtë, anëtare e Partive Popullore, me një traditë 20 vjeçare bashkëpunimi të ngushtë midis Partisë Demokratike dhe Demokracisë së Re.

Dua të theksoj këtu se ky votim, pas rëndësisë jetike që ka pasur për kombin grek, rëndësinë e dytë jetike e ka pasur për kombin shqiptar, pasi në këtë vend, më shumë se në çdo vend tjetër, gjenden qindra e mijëra vëllezër e motra tonat, të cilët shkuan aty për të ndërtuar jetën e tyre, për shkak të gjendjes së stërmjerë nga e cila ata dolën nga diktatura komuniste. Në mënyrë graduale, pozicioni, jetesa dhe gjendja e tyre, ka njohur përmirësime të vazhdueshme, të gjithanshme. Ata u bënë një faktor shumë i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë së Greqisë mike, por u bënë një faktor shumë i rëndësishëm i rritjes ekonomike të Shqipërisë gjithashtu. Ndaj dhe çdo vështirësi e tyre është direkt vështirësi, dhimbje edhe për çdo shqiptar në Shqipëri. Fakti që Demokracia e Re, në një hark kohor të shkurtër, nga 8 maji, u rrit me 10 për qind, dëshmon se elektorati grek zgjodhi forcën politike më serioze, e cila ka të gjithë potencialin, e cila nuk bëri asnjë mashtrim të vetëm elektoral, e cila jashtë çdo lloj demagogjie, mbrojti me vendosmëri të madhe projektin evropian të Greqisë, si projektin më të mirë dhe më të sigurt për të kapërcyer vështirësitë. Kjo është një arritje e madhe për Greqinë, është një arritje e madhe për rajonin, për eurozonën. Në vlerësimin tim, ajo shënon një kapitull të ri në përpjekjet e këtij vendi dhe kombi për t’u përballur me dinjitet me krizën që përjeton.

 Ndaj unë shfrytëzoj rastin, në emrin tuaj, t’i përcjell urimet më të përzemërta Kryetarit të Demokracisë së Re Antonio Samaras, për fitoren e shkëlqyer që ai arriti në zgjedhjet e djeshme, në kushtet e një agresioni populist të shfrenuar të faktorëve të ndryshëm. Le të shprehim vlerësimin më të madhe për faktin se Demokracia e Re, jashtë çdo note populiste, mbrojti vlerat e Qendrës së Djathtë, mbrojti programin që e kishte mbështetur edhe kur PASOK kishte qenë në qeveri, duke dëshmuar seriozitetin më të madh, në kushtet më të vështira për vendin dhe kombin e tyre.”


18/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›