E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton familjen e Nëntetarit të plagosur Aleksandër Peci

Kryeministri Berisha vizitoi sot në mbrëmje, familjen e Nëntetarit Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4”, në Afganistan, i cili u plagos një ditë më parë në Kandahar.

Në bisedën me familjarët, kryeministri Berisha u shpreh se gjendja e Aleksandrit është përmirësuar dhe të dhënat e deritanishme japin shpresë se Aleksandri do të bëhet mirë. Duke vlerësuar misionin fisnik që Aleksandri dhe kolegët  e tij po realizojnë në Afganistan, kryeministri tha se në këtë detyrë të rëndësishme, ata përfaqësojnë me dinjitet vendin dhe kombin shqiptar.

Kryeministri u përcolli familjarëve përshëndetjet e Komandantit të ISAF, Gjeneralit John Allen, i cili nëpërmjet telefonatës me kryeministrin Berisha shprehu vlerësimin për aftësinë e ushtarakëve shqiptarë, në përmbushjen me sukses  të detyrave të ngarkuara. Kryeministri Berisha u shpreh për familjarët se Gjenerali John Allen e siguroi se ata që kryen këtë akt të shëmtuar kriminal do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për familjen e Aleksandër Pecit, por edhe për të gjithë familjet, bijtë e të cilëve përfaqësojnë vendin në detyra dhe misione të rëndësishme, në mbrojtje të sigurisë dhe paqes, kudo në botë. “Ne ju jemi mirënjohës familjes suaj. Të gjithë shqiptarët ju janë mirënjohës, por dhe të gjithë familjeve te tjera, sepse këta djem shkojnë në fushë betejë dhe pa mbështetjen e familjes, detyrën do ta kishin shumë të vështirë” tha kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri Berisha vlerësoi vendimin e marrë nga bashkia  e Kamzës për shpalljen e Aleksandër Pecit, “Qytetar Nderi”. “Aleksandri dhe të gjithë shokët  e tij na nderojnë ne, vendin, flamurin dhe dinjitetin  e kombit”, u shpreh kryeministri.

Nga ana  e tyre, familjarët  e Aleksandrit, duke falënderuar kryeministrin Berisha për vizitën, shprehën mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen dhe kujdesin e treguar nga ana e strukturave shtetërore, në përballimin e kësaj situate.

Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Kamzës, zoti Xhelal Mziu dhe deputeti i zonës, zoti Myqerem Tafaj.


21/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›