E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Dr. Ymer Dishnica ka firmën në ato akte, që shndrisin në historinë tonë kombëtare

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Dr.Ymer Dishnicës, një nga intelektualët, atdhetarët dhe humanistët më të shquar. Në këtë aktivitetet, që organizohej në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të pranishëm ishin Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Aldo Bumçi, pjesëtarë të familjes Dishnica, të afërm, miq, e të ftuar të tjerë. 

Në hapje të ceremonisë, Kryeministri Berisha dhe të pranishmit ndoqën një dokumentar të hollësishëm mbi jetën dhe veprën e Dr. Ymer Dishnicës.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e Dr.Ymer Dishnicës, si një nga intelektualët më të shquar, më atdhetar të kombit shqiptar, një nga personalitetet politike më të pamposhtur të historisë sonë, por, gjithashtu, edhe një nga humanistët më të mëdhenj.

Jo rastësisht,- theksoi Kryeministri - Ymer Dishnica ka firmën në ato akte që shndrisin dhe do të shndrisin gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Ymer Dishnica ishte një nga personalitetet kryesore të Konferencës së Pezës, por dhe organizator kryesor i Konferencës së Mukjes, e cila realisht hodhi themelet e një Shqipërie të ardhme pluraliste, demokratike, por edhe të një bashkimi të pashmangshëm të trojeve shqiptare. Por kjo firmë në Konferencën e Mukjes, nënvizoi Kryeministri, i kushtoi karrierën e tij.

Kryeministri theksoi se nderimi që i bëhet Dr Ymer Dishnicës në 100 vjetorin e lindjes së tij, por edhe në 100 vjetorin e lindjes së Shqipërisë së pavarur, është një rast i jashtëzakonshëm, unik, për të nxjerrë të vërtetat tona kombëtare. “Ky është një rast t’u bëj apel historianëve e studiuesve tanë, të vendosin në piedestal të vërtetat tona kombëtare”, tha Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:   

“Jemi sot, këtu, për të nderuar pasardhësin e një prej familjeve më atdhetare, më të shquara të kombit shqiptar, për të nderuar një nga intelektualët më të shquar, më atdhetar të kombit shqiptar, për të nderuar një nga personalitetet politike më të pamposhtura të historisë sonë, por, gjithashtu, edhe një nga humanistët më të mëdhenj, Doktor Ymer Dishnicën.

Ymer Dishnica mbarti dhe i qëndroi besnik trashëgimisë së tij të shkëlqyer familjare. I mëkuar me një dashuri të pakufishme për vendin dhe flamurin, ai ia përkushtoi jetën,  vendit dhe flamurit të tij. Ymer Dishnica ishte një intelektual, një personalitet që besoi në idealet më të larta të njeriut, që janë idealet e lirisë. Ai u qëndroi besnik atyre idealeve, i vendosur për çdo sakrificë, në çdo rrethanë. Ai ishte një personalitet që për pasion kryesor kishte lirinë. Ai u besoi ideve social demokrate, i përqafoi ato, i bindur se në atë kuadër, do të mund të ndihmonte më shumë kombin dhe vendin e tij, do të mund të bënte më të lirë kombin dhe vendin e tij.

Ymer Dishnica u kthye në atdhe, në një kohë kur një pushtim i egër u vendos mbi Shqipërinë dhe shqiptarët dhe rrëmbeu armët. Ishte intelektual, por në momente të caktuara, poemë e të gjitha poemave, këngë e të gjitha këngëve, është arma dhe vetëm arma. Ai këtë gjë bëri! U shndërrua në një nga personalitetet kryesore të Luftës Nacional Çlirimtare, por, jo rastësisht, në të gjitha aktet dhe vendimmarrjet e asaj periudhe, Ymer Dishnica ka firmën në ato akte që shndrisin dhe do të shndrisin gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Ymer Dishnica ishte një nga personalitetet kryesore të Konferencës së Pezës, konferencë në të cilën, ata që morën pjesë besuan se po hidhnin themelet e një lufte të përbashkët kundër okupatorit. Firma në dokumentin e Konferencës së Mukjes, Ymer Dishnicës, organizator kryesor i kësaj Konference, e cila realisht hodhi themelet e një Shqipërie të ardhme pluraliste, demokratike, por edhe të një bashkimi të pashmangshëm të trojeve shqiptare, i kushtoi karrierën.

Diktatori e demonizoi njeriun që simbolizonte në të vërtetë një nga aktet më madhore të historisë sonë kombëtare, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë. Ai e vendosi atë në një kalvar persekutimi, të pafund. Ashtu siç shprehet dokumentari për jetën e tij, është shumë e vërtetë se ai nuk pësoi fatin e shumë bashkëluftëtarëve të tij, por është e vërtetë, nga ana tjetër, se nuk u mposht kurrë, qëndroi i pamposhtur në dinjitetin e tij. Ai u shndërrua në personalitetin, qytetarin më të dashur për qytetarët e Beratit, me shërbimet që u ofronte, me humanizmin që dëshmonte.

Tashmë, ky personalitet në moshë të shtyrë, në ndryshimet e para demokratike do të shndërrohej në një nga kontribuuesit kryesorë, në një nga mbështetësit më të fuqishëm të lëvizjes demokratike të sapofilluar. Ne patëm fatin e madh të kishim mbështetjen e tij. Mesazhi i tij, në Kuvendin e parë të Partisë Demokratike, do të mbetet në memorien e delegatëve dhe shqiptarëve, si një nga mesazhet më të shkëlqyera.

Historia tonë, e cila nuk është asnjëherë bardhë e zi, nuk është asnjëherë vetëm lavdi, ka personalitetet e veta të shumta, aktorët që kanë luajtur në të. Ajo që spikat te Doktor Ymer Dishnica është konsekuenca e tij ndaj vlerave që ai besoi. Ai besoi ato vlera që Sami Frashëri, rilindasit kishin vendosur në themelet e shqiptarësisë. Të mos harrojmë se për shekuj, nën Perandorinë Osmane, ne, si komb, pësuam shumë transformime. Ndaj rilindasit shkruan doktrinën kombëtare, doktrinën e kombit. Ata shkruan një doktrinë perëndimore. Ymer Dishnica, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova u përjashtuan nga Lidhja, sepse donin orientimin perëndimor të kulturës shqiptare, e cila ishte vokacion shpirtëror i kombit shqiptar, në shekuj e mijëvjeçarë.

Ne e nderojmë këtë burrë të madh të kombit, në 100 vjetorin e lindjes së tij, në 100 vjetorin e lindjes së Shqipërisë aktuale, Shqipërisë së pavarur dhe në këtë 100 vjetor, ne kemi një rast të jashtëzakonshëm, unik, për të nxjerrë të vërtetat tona kombëtare. Të vërtetat për kombin tënd janë të vërtetat e para dhe më të rëndësishme. Ky është një rast t’u bëj apel historianëve e studiuesve tanë, të vendosin në piedestal të vërtetat  tona kombëtare. Nuk duhet të kemi frikë prej tyre, nuk duhet të përpiqemi kurrë t’i manipulojmë ato. Ne, si komb, nuk mund të pretendojmë as se jemi  komb i zgjedhur i Zotit, sepse nuk kemi qenë ndonjëherë, as se kemi pasur vetëm lavdi. Sigurisht kemi pasur të tilla, por kemi pasur edhe turpërime të mëdha. Kjo është historia dhe kështu duhet t’i qëndrojmë asaj, sepse vetëm kështu do të mund të nxjerrim mësimet më të vyera, më të shkëlqyera, në mënyrë që fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, të mos pësojnë ato që pësuam ne, që pësuan baballarët e gjyshërit tanë. Kjo kërkon një vlerësim real e objektiv të kontributeve.

Ne nderojmë sot, Ymer Dishnicën, i cili u rreshtua në krahun komunist që në rininë e tij, por asnjë nga ne nuk mund të thotë se ai nuk mund të ishte njëkohësisht një udhëheqës i shquar i forcave nacionaliste të vendit, një udhëheqës kryesor i forcave liberale të vendit, me të gjitha qëndrimet e tij.

Lufta Nacional Çlirimtare është një faqe e ndritur e historisë sonë kombëtare. Shqiptarët u organizuan në këtë luftë, me yll në ballë apo pa yll, me shkabë në ballë, ata ranë heroikisht për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, ata ranë për të fituar pavdekësinë, që vendi dhe kombi i tyre të renditej në anën e drejtë të historisë, në koalicionin antifashist. Lufta, si çdo luftë, ka problematikat e veta, sigurisht, ka ligjet e veta, por nuk mund të pretendohet, sado që ashtu duhet, të ndjekë tërësisht ligjin dhe shtetin ligjor. Por periudha tragjike dhe dramatike ishte periudha paslufte. Paslufta ishte një kapitull më i zi, më i hidhur, më poshtërues në historinë tonë kombëtare. Ne duhet që detyrimisht ta njohim atë, detyrimisht ta pasqyrojmë atë. Kjo zgjidhet në radhë të parë, duke operuar në fushën e mendimit.

Ne nuk mund të krahasohemi me asnjë vend tjetër komunist. Unë isha mjek dhe në një kohë kur krahina të tëra të vendit tim vuanin nga pelagra dhe uria kronike, unë kthehesha nga Hungaria e Kadarit, ku i gjeja supermarketet e dyqanet, absolutisht, me shumë pak dallime nga të vendeve të tjera. Kjo ishte diktatura hoxhiste. E dhashë këtë shembull se komunizmi vërtetë u shtri nga kanali i Korfuzit deri në gadishullin e Kamchatkas, por atë që pësuam ne, nuk e pësoi asnjë komb. Në luftë, kjo nisi me një qëllim të caktuar, nisi me çdo kusht që fibra nacionaliste e shqiptarëve të shkatërrohej, sepse ajo ishte fibra e bashkimit kombëtar. Ndaj, ata, të cilët themeluan Partinë Komuniste, ishin gardianë të idesë serbomadhe, para së gjithash dhe mbi të gjitha. Paslufta ishte e tëra përpjekje demoniake, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.

Ndaj, le të na frymëzojë edhe 100 vjetori i lindjes i këtij burri të madh, i cili diti një jetë të tërë, t’u qëndrojë vlerave të tij pa u mposhtur, që të nxjerrim të vërtetat e kombit tonë, në mënyrë që të mos ndodhë në të ardhmen që personalitete të shquara si Ymer Dishnica, burra të tjerë të shquar të kombit, themelues të pavarësisë, ndërtues të shtetit, të syrgjynosen në galerat e historisë, por të zënë vendin e tyre përgjithmonë në panteonin e burrave dhe grave të ndritura të kombit.”


21/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›