E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton familjen e dëshmorit Vasil Shanto dhe dëshmorit Skerdilajd Llagami

Në nderim të Ditës së Dëshmorëve, Kryeministri Berisha bëri sot një vizitë në familjen e dëshmorit, Heroit të Popullit, Vasil Shanto.

Në bashkëbisedim me familjarët e dëshmorit Vasil Shanto, zoti Berisha vlerësoi jetën dhe kontributin e tij dhe të gjithë të rënëve për lirinë e vendit, duke theksuar se: "Sot të gjithë qytetarët e këtij vendi përulen me nderimin më thellë për veprën e Vasilit dhe të gjithë atyre që vendosën e sakrificën e tyre sublime në themelet e lirisë. Shpirti i tyre, sakrifica e tyre, është dritë për rrugën e lirisë, është nder i madh për ju, për të gjithë familjarët e të rënëve, sepse të gjithë e duan lirinë por ata kanë bërë sakrificën më të madhe, sakrificën më sublime. Sot është ditë nderimi për ju, për të gjithë familjarët e dëshmorëve".

Po sot, Kryeministri Berisha vizitoi familjen e dëshmorit Skerdilajd Llagami, i quajtur "Komandant Shpendi", pjesëmarrës në luftën për clirim e Kosovës.

Z. Berisha vlerësoi lart kontributin e dëshmorit dhe Komandantit trim Skerdilajd Llagami, në realizimin e ëndrrës së të gjithë kosovarëve dhe shqiptarëve.

"Dua të shpreh nderimin tim më të thellë, të përulem me respekt të madh para Skerdilajdit, Komandantit trim dhe të mençur, dëshmorit të kombit tonë, i cili atë çfarë pati më të shtrenjtë, më të çmuar e dha për lirinë kombëtare. Skerdilajdi mund të ishte këtu sot, me moshatarët e tij, me shokët, me miqtë, me familjarët, por ai zgjodhi më të vështirën, më dinjitozen rrugë, në një moment kur liria kombëtare e thirri, sepse liria kombëtare është një dhe e pandarë. Ai që mendon se është i lirë vet kur pjesët e kombit janë të shtypura, ai është fatkeq dhe mashtron veten.

Djali juaj, jo vetëm shkoi në Kosovë, por atje u shndërrua në një komandat të shquar, trim, të mençur, të dashur dhe fitoi respektin e të gjithë UshtrisëÇlirimtare.

Sot Kosova është e lirë, ajo do të bëhet e pavarur dhe me këtë merr realizim të plotë ëndrra e djalit tuaj dhe e të gjithë kosovareve, e të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trevat, që ranë për liri dhe dinjitet kombëtar".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›