Rritet besueshmëria e Shqipërisë
Zëdhënësja e Qeverisë, njëkohësisht dhe Ministre e Integrimit, zonja Majlinda Bregu tha sot gjatë konferencës së rradhës për shtyp se "si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha, Shqipëria po shndërrohet përditë e më tepër në një destinacion të sigurt për udhëtarët vendas e të huaj".
Lufthansa, një nga kompanitë ajrore lider në botë rifilloi këtë javë fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, pas një ndërprerjeje 9 vjeçare. Kompania vjen me dy fluturime në ditë me destinacion Shqipërinë.
Rikthimi i Lufthansës, kompanisë më me eksperiencë në botë që kryen transportin e rreth 53 milionë pasagjerëve në vit, tregon qartë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur.
Shqipëria është shndërruar në një destinacion tërheqës për turistët.
Standardet e larta të sigurisë po tërheqin më shumë kompani që të përdorin Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për t'iu përgjigjur kërkesave në rritje të pasagjerëve.
Me ngritjen e terminalit të ri të Aeroportit, me rrugën e re, si dhe infrastrukuturën ndihmëse, komoditeti dhe cilësia e shëbimve janë përmirësuar ndjeshëm.
Vitin e kaluar, British Airways, një kompani prestigjoze britanike nisi fluturimet mbi Shqipëri, ndërsa Adria Airways rifilloi operimet pas rritjes së standartit të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, që po menaxhohet nga TIA SHPK.
-Shqipëria e sigurtë dhe në zhvillim përshkohet për herë të parë nga gara e famshme GUMBALL 3000
Nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Sali Berisha, turi i makinave luksoze dhe Rally në botë, që niset nga Londra, përfshiu si destinacion edhe Shqipërinë duke shënuar kështu një eveniment unik për promovimin e imazhit pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare.
Gara u përcoll nga mediat ndërkombëtare: CNN, Financial Times, Channel 4, Vogue, Rolling Stone. Ky eveniment shërbeu si pikënisje për një tjeter aktivitet që do të përshkojë Shqipërinë, "Eurobike", gara e klubit ndërkombëtar të motoçiklistëve.
-Departamenti i Shtetit vlereson Shqipërinë për rolin në luftën kundër terrorizmit
Sipas raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi terrorizmin, gjatë vitit 2006, Shqipëria ka dhënë një kontribut të vyer në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shqipëria ka dërguar 150 trupa në Irak dhe Afganistan, ka ngrirë shtatë llogari bankare të lidhura me pastrim parash e financim terrorizmi, si dhe ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për të luftuar terrorizmin. Vitin që shkoi, Shqipëria u dha azil politik 8 ish të burgosurve në Guantanamo Bei, të cilët nuk konsiderohen më luftëtarë armiq. Raporti vë në dukje se, pavarësisht nga mungesa e burimeve financiare dhe sfidave me të cilat përballet, qeveria shqiptare është angazhuar plotësisht për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
-Shqipëria ngjitet një vend më sipër në raportin e Freedom House për Lirinë e Mediave
Organizata monitoruese e mediave, Freedom House vlerëson se qeveria shqiptare respekton lirinë e medias dhe fjalen e lirë. Në raport thuhet se gazetarët kanë qëne të lirë të përdorin kritikën për qeverinë dhe nuk ka patur asnje rast të hedhjes në gjyq nga qeveria të ndonjë gazetari. Po ashtu theksohet se nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka patur asnjë rast të diktimit të politikës editoriale.
Gjithashtu në dokument shprehet shqetësimi se mediat në Shqipëri cënohen nga mungesa e transparencës së të ardhurave. Freedom House raporton se botuesit dhe pronarët e mediave kanë tendencën t'i përdorin gazetarët për preferencat ekonomike dhe politike duke ushqyer një kulturë censurimi.
Këshilli i Ministrave me vendimin e tij të djeshëm eleminoi shpifjen si veprim penal, duke u garantuar kështu gazetarëve mbrojtjen në ushtrimin e fjalës së lirë.
Kryeministri Berisha ftoi gjithashtu shoqatat e gazetarëve që nën shembullin e legjislacionit të shumë vendeve evropiane, si përshembull Austria, të kontribuojnë në hartimin e ligjeve, të cilat mbrojnë gazetarët dhe lirinë e tyre të shprehjes nga brutaliteti i pronarëve dhe mungesa e profesionalizmit.
Zëdhënësja e Qeverisë znj. Majlinda Bregu gjatë konferencës për shtyp i'u përgjigj pyetjeve të gazetarëve;
Pyetje: Zonja Bregu dje është publikuar lista e pagave për efekt të kontributeve të Sigurimeve Shoqërore a keni një faturë për efektin financiar që do të ketë ndryshimi i pagave, gjithmonë për efekt të kontributeve?
Zonja Bregu: Unë mund t'ju them që vendimi i djeshëm ka qenë në bazë të një studimi i cili është ndërmarrë nga qeveria shqiptare që para dy vjetësh. Së shpejti ju do të keni dhe përllogaritjet e fundit, të cilat do të bëhen me dije nga Ministria e Financave. Unë mund t'ju them se qëllimi kryesor i vendimit është pikërisht lufta kundër informalitetit.
Nuk do të ketë efekte te pagat e ulëta. Tashmë janë përcaktuar dy instrumente për të kompensuar efektin te ky nivel pagash; rritja e pagës minimale dhe mos tatimi i një pjese të pagës, siç mund të jetë 10 mijë lekëshi i parë i pagës ose thënë ndryshe 100 mijë lekë të vjetra. Në këtë moment nuk do të ketë ulje të kontributit të sigurimeve shoqërore, por qeveria është e vendosur të vazhdojë me ulje progresive të këtij kontributi për periudhën në vazhdim. Përsa i përket tatimit mbi të ardhurat personale qeveria e ka bërë publik qëndrimin e saj për të reduktuar nga 20 % në 10 % shkallën tatimore për individët. Kjo skemë nis zbatimin më 1 korrik 2007.
Unë mund të them se TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) sjell sot në buxhetin e shtetit 88 miliardë ose afro 8.8% të GDP-së, ndërsa Sigurimet Shoqërore kanë sjellë në buxhetin e shtetit vetëm 4.5 %. Ndërkohë që mesatarja e një vendi më të ulët në rajon e ka 13-14 % sikurse është Maqedonia. Pra, qëllimi i këtij vendimi është për të luftuar informalitetin edhe në sistemin e pagave.
Pyetje: Zonja Bregu a keni ndonjë koment rreth deklaratave të përfaqësuesve të Bashkisë së Himarës apo dhe të Organizatës "Omonia", të cilët dy ditë më parë kanë folur për autonomi të Himarës?
Zonja Bregu: Unë mendoj që i vetmi status për t'u diskutuar sot në rajon, e vetmja autonomi apo pavarësi për t'u përcaktuar dhe për t'i dhënë formën e saj përfundimtare, është statusi i Kosovës. Kush jeton në vitin 2007, sigurisht që duhet të jetë shumë i qartë që artikulimet dhe frazat absurde mbeten vetëm pretendime absurde.