E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim i Kryeministrit Berisha për ABC News për aksidentin tragjik në Himarë

Zoti Berisha, mirëmbrëma, ku ndodheni aktualisht?

Kryeministri Berisha: Aktualisht po shkoj drejt aeroportit për t’u kthyer në Shqipëri.

Zoti Berisha, jeni rrekur të gjeni një mënyrë për t’u kthyer më shpejt. Samiti ka përfunduar? Në fakt, ju keni bërë edhe një njoftim për media për këtë çështje.

Kryeministri Berisha: Në fakt, vazhdon një takim, por unë jam nisur drejt aeroportit, se dua të kthehem në kohën më të parë të mundshme.

Kur e mësuat lajmin zoti Kryeministër?

Kryeministri Berisha: Jam pothuaj ndër të parët që mësova lajmin. Më kanë informuar njëkohësisht disa burime nga Tirana dhe e kam ndjekur dhe jam lidhur me të gjitha agjencitë dhe ministritë përkatëse: Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, të Shëndetësisë, të Arsimit, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, me Kryetaren e Parlamentit dhe e kam ndjekur në mënyrën më konstante, në mënyrë të vazhdueshme si nëpërmjet lidhjeve me ta, por edhe nëpërmjet live stream të ABC News. Jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente sa më të shpejtë dhe sa më eficente. Besoj se ka pasur një mobilizim e angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik.

Me këtë rast dua t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim më të mirë, për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur ministrin e Shëndetësisë të marrë çdo masë, në mënyrë që t’u jepet ndihma më eficente, për çdo ndihmë që do të kenë nevojë, brenda dhe jashtë vendit.

Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet, solidaritetin tim më të lartë njerëzor, të familjes sime dhe qeverisë shqiptare, i lutem Zotit të gjejnë forcë, për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme, për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur. Uroj që shpirti i viktimave të këtij aksidenti kaq tragjik të gjejë paqen e merituar.

Falenderoj shumë të gjithë ata, në radhë të parë fshatarët e qytetarët e Himarës, të zonës, që janë mobilizuar me shpejtësi e përkushtim të madh dhe kanë bërë gjithçka për të ndihmuar të plagosurit e këtij aksidenti. Falenderoj ekipet mjekësore që kanë qenë në kohën më të shkurtër të mundshme në vendin e ngjarjes dhe që po japin me përkushtim ndihmën në spitalin e Himarës, Vlorës e Spitalin Ushtarak të Tiranës. Dua të falenderoj qytetarët e shumtë, efektivat e Forcave të Armatosura që ofruan gjak, në ndihmë të të plagosurve. Është me të vërtetë një situatë shumë e vështirë.

Zoti Kryeministër, me vendim qeverie, i cili hyri në fuqi menjëherë, dita e nesërme është shpallur ditë zie kombëtare, për përmasat e këtij aksidenti.

Kryeministri Berisha: Natyrisht do të shpallej patjetër ditë zie, sepse kemi humbur deri tani 13 të rinj, të cilët u këputën në lulen e rinisë së tyre, në një aksident tragjik dhe është e drejtë që me familjet e tyre, mbarë shqiptarët të ndajnë zinë, dhimbjen, pikëllimin e të shprehin solidaritetin  tyre njerëzor, ditën e nesërme. Unë edhe një herë u shpreh familjeve, të afërmve, miqve, ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare.

Nesër është ditë zie dhe shqiptarët që nga dita e sotme i janë bashkuar kësaj dhimbjeje dhe do të përpiqen ta ndajnë mes vedi, për t’ia minimizuar atë ankth, atë moment të vështirë që kanë familjarët, megjithëse nuk ia zëvendësojmë dot të afërmin e humbur. Por çfarë ndihme tjetër mund të jepnit për t’ia lehtësuar pasojat e kësaj humbjeje, i referohem edhe shpenzimeve që bëhen në këtë rast.

Kryeministri Berisha: Qeveria do të marrë përsipër gjithçka, të gjitha shpenzimet e nevojshme për kapërcimin e pasojave të kësaj drame të rëndë, të këtij aksidenti tragjik me pasoja shumë të rënda, siç është humbja e jetës së 13 studentë, mesa më thonë edhe pedagogë, shoferi. Nuk dihet shkaku, po shqyrtohen të gjitha. Por qeveria do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e lidhura me këtë aksident tragjik.

Jeni informuar edhe me ecurinë e hetimeve, zoti Kryeminisër?

Kryeministri Berisha: Jam informuar nga shumë burime dhe e kam ndjekur në mënyrën më të pandërprerë. Natyrisht, ky është një lajm shumë i dhimbshëm, tragjik, por kur je jashtë lajmet të vijnë disa herë më të rënda.

Zoti Berisha, kur do të jeni në Tiranë?

Kryeministri Berisha: Unë po nisem dhe arrij në Tiranë nesër paradite.   

Unë ju falenderoj për këtë lidhje të drejtpërdrejtë, për të ndarë dhimbjen së bashku me shqiptarët, në cilësinë e kreut të qeverisë.

Kryeministri Berisha: Unë ju falenderoj për mundësinë, shpreh falënderimet për të gjithë ata, që me përkushtim të madh u angazhuam në këtë operacion shpëtimi dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave.

Faleminderit zoti Kryeministër! Rrugë të mbarë!


22/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›