E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vlerëson qëndrimin e bashkuar të vendeve anëtare të NATO-s në favor të Planit Ahtisaari

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në takimin e Grupit Këshillimor të Politikave Atlantike (APAG), që po zhvillohet në vendin tonë përgjatë datave 10-11 maj. Takimi, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga vendet anëtare të EAPC (Këshilli Europian i Partneritetit Atlantik), drejtohej nga Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zoti Martin Erdman.

Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme të Evropës Juglindore, roli i NATO-s dhe partnerëve të saj në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi për rajonin, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik, e ardhmja e integrimit euroatlantik dhe roli i NATO-s në këtë proces të rëndësishëm.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, u ndal në çështjen e Kosovës, ku u shpreh se Kosova ndodhet para një vendimi historik. "Zgjatja e mëtejshme e statusit nuk i shërben stabilitetit të këtij vendi. Në të kundërt, do të rriste pasigurinë, do të pengonte seriozisht zhvillimin ekonomik të tij, do të krijonte probleme të mëdha sociale. Unë mendoj se qëndrimi i bashkuar i vendeve anëtare të NATO-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e këtij problemi. Ndaj, edhe njëherë, do të ftoja autoritetet e Beogradit që të mbajnë një qëndrim më realist ndaj problemit të Kosovës", theksoi ai.

Kryeministri falënderoi të pranishmit për zhvillimin e këtij takimi në Shqipëri, duke shprehur mirënjohjen ndaj NATO-s dhe vendeve anëtare të saj për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në aspiratën për anëtarësim në NATO, veçanërisht ndihmën në kuadrin e Kartës Adriatik 3. Kryeministri inkurajoi bashkëpunimin e të gjitha vendeve të rajonit në këtë drejtim. "Vendet e Ballkanit do të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të shkëlqyer në bashkëpunim njëra me tjetrën dhe jo në dominim me njëra - tjetrën. Politikat e dominimit nga një apo një tjetër komb janë provuar se nuk prodhojnë stabilitet", tha Kryeministri.

Kryeministri u ndal edhe në reformat e ndërmarra në vend, duke theksuar se qeveria është totalisht e angazhuar në një luftë me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, korrupsionit, informalitetit. Ai përmendi disa suksese të qarta ekonomike në këto përpjekje, si rritjen ekonomike që në këtë vit parashikohet 6 për qind, rritjen shumë të madhe te eksporteve, rritjen e interesit të kompanive të huaja për të investuar në Shqipëri në të gjitha fushat, etj..

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

"Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes këtë takim, t'i drejtohem këtij auditori shumë të nderuar, t'ju uroj mirëseardhjen e përzemërt në Shqipëri, t'ju falënderoj për nderin që na keni bërë me praninë tuaj këtu dhe të uroj suksese për punimet e këtij takimi, në të cilin do të diskutojmë çështje të rëndësishme të Europës Juglindore.

Përfitoj nga rasti që nëpërmjet jush, të nderuar miq, t'i përcjell përshëndetjet më të përzemërta Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Scheffer, si dhe falënderimet më të sinqerta për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që zoti Scheffer ka dhënë dhe vazhdon të japë për integrimin e Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të rajonit në Aleancën më të suksesshme politike dhe ushtarake që kohërat kanë njohur, Aleancën e vlerave më progresive, Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Në kuadrin e Partneritetit për Paqe (PfP), Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë bashkëpunimi luajal me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ne i jemi shumë mirënjohës NATO-s, vendeve anëtare të saj për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë dhe aspiratës së kombit për anëtarësim në NATO, veçanërisht ndihmën në kuadrin e Kartës Adriatik 3, së bashku me dy vende të tjera mike, Kroacinë dhe Maqedoninë. Deklarata e Samitit të Rigës ishte shembulli më i qartë i këtij bashkëpunimi. Vendet tuaja anëtare vlerësuan pozitivisht arritjet e vendeve të Kartës së Adriatikut në përgatitjen e tyre për anëtarësim, kontributin që ato kanë dhënë dhe japin në operacionet paqeruajtëse të sigurisë, si dhe rezultatet e mira në promovimin e bashkëpunimit rajonal. Ne jemi mirënjohës dhe ndihemi edhe krenar me vlerësimin që ju keni bërë në Samitin e Rigës për ne.

Rajoni ka bërë hapa të mëdha pozitive drejt afrimit me NATO-n. Pranimi i Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, si vende anëtare të Partneritetit për Paqe, është një zhvillim pozitiv për rajonin tonë, një hap i rëndësishëm drejt sigurisë kolektive.

Në këtë kontekst, ne presim me kënaqësi të jashtëzakonshme vizitën dhe takimin me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, muajin e ardhshëm në Tiranë. Kjo vizitë historike për Shqipërinë, por edhe për vendet e Kartes A 3 përbën një akt kulmor në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe këtyre vendeve me aleatin më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria u është shumë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara për ndihmën dhe kontributin e tyre të çmuar për shembjen e diktaturës komuniste në Europë dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Përkrahja e çmuar që SHBA dhe Presidenti Bush i japin integrimit të Shqipërisë dhe vendeve mike të Kartes A3 në NATO, në bazë të performancës së tyre, përbën një faktor të fuqishëm promovues në përpjekjen tonë për përmbushjen e standardeve të NATO-s.

Aktualisht rajoni ynë është i përfshirë në një proces ndryshimesh epokale. Vende, që pak vite më parë kishin një vështrim jo miqësor ndaj njëri-tjetrit, sot bëjnë përpjekje të hapura, serioze e të ndershme për një bashkëpunim sa më të ngushtë njëri me tjetrin në të gjitha fushat. NATO ka luajtur rolin kryesor në këtë transformim epokal të gadishullit ballkanik. NATO gjithashtu ka sot një rol kryesor në sigurinë e këtij gadishulli.

Zonja dhe zotërinj,

Problemi i Kosovës është një problem kryesor në rajon. Kosova ndodhet para një vendimi historik, jo vetëm për të, por për mbarë rajonin. Shqipëria ka përkrahur dhe përkrah paketën e propozimeve të Presidentit Ahtisaari për Statusin e ardhshëm të Kosovës. Ne vlerësojmë si shumë të rëndësishëm faktin që kjo paketë, në thelbin e saj, synon integrimin e Kosovës në bashkësinë e vlerave euroatlantike, ndërtimin e një shoqërie të lirë të qytetarëve të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Ne besojmë se paketa e propozuar nga Presidenti Ahtisaari, e cila bën të mundur realizimin e aspiratës së shumicës dërrmuese të popullsisë së Kosovës për një shtet të lirë dhe të pavarur, do të shndërrohet, me kontributin e qytetarëve të Kosovës, kontributit të NATO-s, të komunitetit ndërkombëtar dhe vendeve të rajonit, në një marrëveshje të vërtetë paqeje, stabiliteti për vet Kosovën, por edhe për rajonin e më gjerë.

Zgjatja e mëtejshme e statusit nuk i shërben stabilitetit të këtij vendi. Në të kundërt, do të rriste pasigurinë, do të pengonte seriozisht zhvillimin ekonomik të tij, do të krijonte probleme të mëdha sociale. Unë mendoj se qëndrimi i bashkuar i vendeve anëtare të NATO-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e këtij problemi. Ndaj, edhe njëherë, do të ftoja autoritetet e Beogradit që të mbajnë një qëndrim më realist ndaj problemit të Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj,

Kosova banohet në 90 për qind nga shqiptarët. Aty ka edhe pakica të tjera, sikundër pakica ka edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit. Një nga leksionet më të rëndësishme për të gjitha vendet tona, pas rënies së perdes së hekurt, është respektimi dhe garantimi i të drejtave të pakicave. Ky rregull është i vlefshëm për Shqipërinë, për Maqedoninë, për Kosovën, Serbinë dhe të gjitha vendet. Mendoj se çdo gjë e nxjerrë jashtë këtij koncepti është jashtë realitetit. Le ta shohim këtë çështje me kurajo edhe në një aspekt tjetër. Të dy kombet tona, kombi shqiptar dhe kombi serb janë kombe rajonale. E ardhmja e tyre më e mirë është në Bashkimin Evropian. Duhet të lemë mënjanë faktet se përse këto kombe u gjendën në rajon. Por një gjë është e sigurt se politikat që ndërtuan Ballkanin në fillimin e shekullit që shkoi përbëjnë bazën e konflikteve që shpërthyen në fund të shekullit të kaluar. Ndaj vendet e Ballkanit do të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të shkëlqyer në bashkëpunim njëra me tjetrën dhe jo në dominim me njëra - tjetrën. Politikat e dominimit nga një apo një tjetër komb janë provuar se nuk prodhojnë stabilitet.

Unë dua të jem i hapur me ju.Çështja më themelore në Ballkan ka qenë çështja mes shqiptarëve dhe serbëve. Këto dy kombe nuk kanë alternativë tjetër përveç asaj që të vendosin të shkruajnë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis tyre. Unë dua t'ju siguroj se shqiptarët në Shqipëri janë të gatshëm për këtë, por nga të gjitha kontaktet që unë kam me udhëheqjen politike të Kosovës konstatoj se edhe ata janë gati për këtë.

Shqipëria, Koracia dhe Maqedonia janë përfshirë në një proces të gjerë transformimesh drejt standardeve të kërkuara për anëtarësim në NATO. Përveç kësaj nisme, në Selanik, Tiranë dhe në vende të tjera po zhvillohen takime të shumta të përfaqësuesve ushtarakë të rajonit. Ky bashkëpunim dhe takimi i sotëm janë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ne jemi kombe që tani ndajmë të njëjtat vlera dhe përpiqemi për të njëjtin projekt.

Në Shqipëri qeveria është e angazhuar në një proces të thellë reformash. Drejtimet kryesore të tyre kanë qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një hark kohor shumë të shkurtër, falë bashkëpunimit të shkëlqyer me agjencitë e vendosjes së ligjit të shumicës së vendeve tuaja, ne ia kemi dalë të vendosim para ligjit të gjitha grupet e rrezikshme kriminale shqiptare, anëtarët dhe bosët e tyre. Ne jemi të vendosur të adaptojmë tolerancën zero ndaj krimit të organizuar. Shqipëria është shumë më e sigurt se ç'ka qenë më parë.

Ne jemi angazhuar gjithashtu në një betejë me tolerancë zero ndaj korrupsionit. Korrupsioni është një kancer i vërtetë që duhet luftuar në çdo sekondë, në çdo orë, në çdo ditë. Për Shqipërinë, asgjë nuk ngjason me kancerin më shumë se sa ky fenomen. Unë ju siguroj se ne jemi të vendosur dhe po shqyrtojmë të gjitha ligjet, të gjitha praktikat dhe procedurat tona, në mënyrë që të bëjmë të mundur luftën efiçente kundër korrupsionit.

Ne po bëjmë një luftë të ashpër kundër trafiqeve. Vendosëm një Moratorium për skafet, për mjetet e vogla e të shpejta që përdoreshin për trafiqe kriminale dhe transport klandestin, në ujërat tona, për një periudhë 3 vjeçare. Kemi vendosur një ligj tjetër ku autoritetet lokale do të mbajnë përgjegjësi në rast se gjenden plantacione kanabis. Kemi krijuar në mbarë vendin komunitetet antitrafik për të mbrojtur fëmijët dhe gratë tona, që të mos jenë subjekte të grupeve kriminale të pamëshirshme. Në bashkëpunim me vendet mike, ne po ia dalim të spostojmë rrugët e drogës nga Shqipëria dhe vihet re se ka rënë në mënyrë dramatike mbjellja e kanabisit. Në këtë aspekt, bashkëpunimi me vendet tuaja është i domosdoshëm dhe unë u jam mirënjohës shumë prej vendeve anëtare të NATO-s për ndihmën që na japin.

Lufta kundër informalitetit është një drejtim madhor i përpjekjeve të qeverisë sonë. Ekonomia formale është e vetmja rrugë për t'u përballur me sukses me sfidat e integrimit dhe globalizmit. Ne kemi arritur disa suksese të qarta ekonomike në këto përpjekje: një rritje ekonomike që parashikohet 6 për qind këtë vit; rritje shumë e madhe të eksporteve; është rritur jashtëzakonisht interesi i kompanive të huaja për të investuar në Shqipëri në të gjitha fushat. Më vjen mirë sepse çdo ditë e më shumë biznesi ndërkombëtar po vlerëson se Shqipëria është një vend i vogël me potenciale të mëdha. Unë ju ftoj të inkurajoni investitorët e vendeve tuaja që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.

Unë ju njoha ju me disa prej përpjekjeve tona dhe nuk mund të mos ju njoh edhe me problemet që kemi. Ne jemi një demokraci e re por funksionale dhe duhet bërë një punë shumë e madhe për konsolidimin e normave dhe të standardeve të saj në vend, për reformën në sistemin gjyqësor dhe konsolidimin e pavarësisë së tij, zgjerimin e hapësirave për shoqërinë civile dhe rritjen e rolit të saj, rritjen e pjesëmarrjes së grupeve të interesit në disa veprimtari të rëndësishme, etj..

Një gjë është shumë pozitive për ne në raport me NATO-n. 95 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë ndihem shumë mirë në takimet e NATO-s kur e deklaroj këtë, sepse NATO-ja nuk ka manifestuar shenjat e lodhjes së zgjerimit. Unë e deklaroj këtë edhe në takimet me Bashkimin Evropian, sepse edhe interesi i shqiptarëve për anëtarësim në BE është shumë i lartë.

Ne jemi të angazhuar me përkushtim për reformat në fushën në mbrojtjes dhe reformat e tjera politike, të cilat do ta bëjnë vendin të përshtatshëm për ftesën në Samitin e Bukureshtit. Qeveria po punon me seriozitet të madh për zbatimin e Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO. Vendimi saj për të pasur një forcë ushtarake të vogël dhe profesionale po zbatohet më shpejtësi dhe para afateve. Kam kënaqësinë t'ju them se kam bindjen më të madhe se ky është interesi i vendit. Në vitin 2008, do rrisim me 2 për qind GDP-në për reformën në Forcat tona të Armatosura.

Motoja jonë është: Duhet të jemi të pranishëm atje ku është NATO-ja. Kemi qenë në Bosnje, për arsye të njohura nuk mund të jemi në Kosovë, jemi në Afganistan, do të dy-trefishojmë praninë tonë në Afganistan, jemi në Irak, në Gjeorgji dhe do të dërgojmë një njësi edhe në Liban.

Duke përfunduar, edhe njëherë, i uroj shumë suksese këtij takimi dhe ju siguroj se qeveria do të marrë çdo vendim, do të kalojë çdo ligj, do të bëjë çdo përpjekje, që Shqipëria të meritojë ftesën në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit, për t'u bashkuar me kombet tuaja në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si e ardhmja më e shkëlqyer dhe më e sigurt për shqiptarët. Faleminderit"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›