E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha në Forumin e Krans Montanës: Shqipëria ka bërë hapa të sigurta drejt tërheqjes së investitorëve

Nisi sot në Tiranë punimet sesioni i hapjes së Forumit të Krans Montanës, i cili zhvillohet për herë të dytë në Shqipëri. Së bashku me Kryeministrin Berisha nderuan këtë eveniment të rëndësishëm Presidenti dhe themeluesi i Forumit Krans Montana Jean Paul Carteron, Kryeministri i Kosovës AgimÇeku si dhe personalitete të larta të qeverisë shqiptare dhe qeverive rajonale. Ishin të ftuar gjithashtu përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, investitorë shqiptarë dhe të huaj, përfaqësues të trupit diplomatik, etj..

Në përshëndetjen e rastit, Kryeministri Berisha falenderoi të ftuarit që, me pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për vendin, dëshmuan respektin dhe besimin tek Shqipëria dhe mundësitë që ajo ofron.

Më pas, Kryeministri Berisha paraqiti disa prej arritjeve dhe progresit të shënuar nga qeveria shqiptare në një vit, pas mbledhjes së parë të Forumit në Shqipëri. Duke vlerësuar ndryshimet rrënjësore që ka pësuar vendi në rrafshin ekonomik, Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të sigurta drejt objektivit të saj më madhor, për të qenë vendi më mikpritës dhe më i sigurtë për investitorët.

Në fjalën e tij , ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Forumi i Krans Montanës, i cili mbahet për herë të dytë në Shqipëri, është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin tonë. Me këtë rast, dua të falenderoj zotin Jean Pol Carteron, ekipin e tij, KryeministrinÇeku dhe te gjithë të pranishmit që, cilët me pjesëmarrjen e tyre sot, dëshmojnë respekt të veçantë dhe besim tek Shqipëria dhe mundësitë e saj.

Ky forum, që mblidhet pas një viti, e gjen Shqipërinë të ndryshuar. Në harkun kohor të këtij viti, Shqipëria ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe po punon intensivisht për zbatimin me seriozitt të marrëveshjes Ad-Interit me BE-në. Shqipëria ka dhënë prova të qarta të kontributit në sigurinë e brendshme, atë rajonale dhe më gjerë. Për këtë ajo meritoi mesazhin e Samitit të Rigës, si një nga vendet potencialisht të mundshme për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.

Shqipëria e këtij viti ka shënuar mjaft ndryshime edhe në rrafshin ekonomik. Ajo ka bërë hapa të sigurta drejt objektivit të saj më madhor, për të qenë vendi më mikpritës, vendi ku ju të zbatoni me lehtësinë më të madhe, shpejt dhe me siguri të plotë projektet dhe ëndrrat tuaja.

Në harkun kohor të një viti, ne kemi bërë ndryshime të mëdha në sistemin fiskal, mund të them një revolucion të vërtetë fiskal, me të cilin ne synojmë që Shqipëria të jetë vendi me barrën fiskale mnë të ulët në Evropë. Nga 1 korriku deri në 1 janar ne instalojmë taksën e sheshtë me 10 për qind. Ne ulëm me 30 për qind kontributet për sigurimet shoqërore, ulje të tjera të ndjeshme do të bëhen në muajt që vijnë, kemi ulur çmimin e energjisë për biznesin 33-45 për qind, kemi transformuar tërësisht burokracinë ndaj tyre dhe procedura për regjistrimin e bizneseve u zbrit nga 42 në 8 ditë, është kompletuar regjistri elektronik i biznesit dhe së shpejti instalohet One Stop Shop, nëpërmjet një programi e sponsorizuar nga Agjencia Amerikane e Ndihmës, në kuadrin e Pragut të Llogarisë së Mijëvejcarit. Gjithashtu janë shënuar hapa shumë të rëndësishme në aspektin ligjor, është miratuar ligji i ri i patrtneritreti publik, privat; është miratuar ligji i ri i prokurimeve dhe Shqipëria brenda 2 apo 3 muajve do të jetë vendi i prokurimit elektronik.

Në kuadrin e programit të Pragut të Mijëvjeçarit, po punohet gjithashtu për përmirësimin e administratës fiskale. Ne do të vendosim së shpejti sistemin e integruar tatimor, taksën on-line dhe elektronike. Janë hequr barrierat doganore dhe janë bërë hapa shumë serioze në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit.

Një përpjekje e madhe dhe e gjithanshme po bëhet për të vendosur vendin në moshën dixhitale. Kjo është një detyrë e vështirë. Shqipëria ka një shkallë penetrimi të papranueshme të kësaj teknologjie, por vendi po punon me insistim dhe vendosmëri për të kapur plotësisht moshën dixhitale, si leva e Arkimedit, që të shkëputet me shpejtësi nga qindra dhe mijëra lidhje të panevojshme.

Përmenda regjistrin elektronik që do vendosim së shpejti, por krahas tij janë doganat elektronike, taksat, prokurimet, shkollat; së shpejti hapet tenderi për sistemin më të avancuar të identifikimit të qytetarëve, karta e identitetit dhe pasaporta dixhitale; po bëhet dixhitalizimi i arkivave të pronësis; programi i internetit për shkollat po ecën me shpejtësi dhe do të kompletohet brenda vitit 2008. Të gjitha këto përpjekje kanë dhënë rezultate të prekshme. Shqipëria i përngjan një ndërtese në ndërtim, ku jo të gjithe elementët, e projektuar nga arkitekti, mund ti shohësh me syrin e parë, por rezultatet janë të dukshme.

Institucionet ndërkombëtare besojnë se ne jemi në një shkëputje realisht të fuqishme dhe se ekonomia shqiptare ka fituar një entuziazëm të admirueshëm. Më lejoni të jap disa fakte: Krediti për ekonominë rritet me shpejtësi shumë të madhe dhe ky kredit në masën 70 për qind i është adresuar biznesit; indeksi i kërkesës është shumë i madh; indeksi i shitjes është dyshifror; vitin e kaluar eksportet janë rritur me 20 për qind dhe në katër muajt e parë të këtij viti, pavarësisht nga aplikimi i marrëveshjes Ad Interim me BE-në, eksporti është dyfishuar në krahasim me katërmujorin e parë të viti 2006; parashikohet një rritje ekonimike 6 për qind, por jami bindur se do të jetë më e madhe.

Duke i lënë mënjanë statistikat, disa tregues të tjerë janë shumë herë më të rëndësihëm se këto që citova, siç ajo e pranisë suaj sot këtu. Midis jush ka përfaqësues të kompanive të mëdha të rajonit dhe të Evropës, që parashikojnë investime dhe projekte investimesh në Shqipëri prej miliarda euroshn në fusha të ndryshme. Projekte këto gjigande jo vetëm për këtë vend të vogël me mundësi të mëdha, por për rajonin në tërësi. Në vitin 2006 krahasuar me viti 2004, investimet e huaja për frymë u rritën 4 herë, nga 28 dollarë u rritën në 130 dollarë për frymë. Kjo rritje është e lakmueshme, por vlera absolute nuk është e pranueshme. Unë jam shumë i sigurt se ky vit do të njohë rritje shumë herë më të madhe.

Shqipëria ofron realisht mundësi të mëdha. Shqipëria ka stabilitet makroekonomik të admirueshëm. Treguesit e saj makroekonomikë janë identikë me ato të Finlandës. Ka një rritje ekonomike rreth 6 për qind, inflacion prej 2,4 për qind, deficit buxhetor 2,6 për qind. Por Shqipëria ka avantazhe të tjera shumë të mëdha. Ajo ka krahun e punës më dinamik, më të ri dhe më të leverdisshëm në Evropë. Vetëm pak muaj më parë kompani të mëdha italiane lanë Kinën për të vendosur sipërmarrjet e tyre dhe për të investuar në Shqipëri. Unë e konsideroj këtë një vendim shumë të mençur. Shqipëria ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer. Briri perëndimor i gadishullit është porta e Evropës drejt Ballkanit dhe porta e Ballkanit drejt Evropës.

Shqipëria ka poptenciale dhe burime të mëdha natyrore. Bregu i saj, ndër më të bukurit, është në tërësi i pashfrytëzuar. Malet janë të paprekura. Vendi është një ndër më të pasurit në Evropë në ujëra dhe është shfrytëzuar vetëm 6 miliard kw/h potencial ujor. Ndërkohë që 14 apo 15 miliardë të tjera janë për tu shfrytëzuar. Shqipëria është vendi i depozitave të mëdha minerale, një nga vendet më të pasura në Evropë në krom, nikel, baker, si dhe minerale të tjera.

Me standartet që ne po vendosim, me barrën fiskale më të ulët, me parqet industriale në krijim e sipër, ne realisht ju ofrojmë mundësi të mëdha dhe asnjëherë nuk duhet të shikoni tek tregu kufijtë e Shqipërisë. Marrëveshja, e nënshkruar në Bukuresht, krijon një zonë të tregtisë së lirë nga Kroacia në Moldavi. Ndërsa marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit po zbatohen çdo ditë e më shumë.

Ndaj duke ju uruar suksese, shpresoj të ndiqni shembullin e shkëlqyer të dhjetra e dhjetra kompanive të mëdha që iu bashkuan biznesit shqiptar gjatë këtij viti. "San Paulo IMI", Societe Generale, Banka Popolare, janë tre bankat që u vendosën me shpejtësi në Shqipëri. Unica dhe Aspis i janë bashkuar tregut të sigurimeve. Gjithashtu EVN, Vatech, Strabag, Alpine, General Electrik, konsorciumi ACG, Falcione dhe një listë e gjerë kompanish shumë të rëndësishme kanë nisur gjatë këtij viti punën në Shqipëri në sistemin bankar, në atë të sigurimeve, në prodhimin e çimentos, në sektorin energjitik. Disa prej tyre kanë përfituar nga nisma "Shqipëria një euro", e cila është përfshirë tërësisht në ligjin e partneritetit publik, privat.

Edhe njëherë dua tu përshëndes përzemërsisht për praninë tuaj këtu, për nderin e madh që i keni bërë Shqipërisë me besimin që i keni dëshmuar.
Ju faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›