E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim për lehtësimin e procedurave të kalimit në pikat kufitare, pa cënuar në asnjë rast sigurinë

Sot, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me disa ministra të kabinetit, në të cilin u diskutua lidhur me masat që duhen ndërmarrë për lehtësimin dhe reduktimin në maksimum të burokracive në kalimin e kufirit, duke mos cënuar sigurinë.

Kryeministri u shpreh se tashmë Shqipëria është një destinacion turistik shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha  kërkoi nga institucionet përkatëse angazhimin maksimal,në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë, në pikat e kalimit kufitar, pa cënuar kushtet e sigurisë. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha  u shpreh se është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha agjencitë që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit. “Ju thirra që të gjykojmë dhe të dalim me një vendim, në rast se është e nevojshme me një vendim qeverie, ose me  një marrëveshje të përbashkët midis të gjitha agjencive, që ushtrojnë kontroll në pikat e kalimit të kufirit.”

Duke vlerësuar sistemin e kontrollit në pikat doganore të Morinës dhe Muriqanit, Kryeministri  kërkoi që të ndiqen të njëjtat praktika edhe në pika të tjera, duke lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur fluksin e të ardhurve në këto ditë sezoni turistik.

Kryeministri kërkoi nga ministrat e pranishëm  ndjekjen e shembullit  të vendeve të tjera, të cilat ofrojnë praktika të standardeve të larta bashkëkohore, në kontrollin e kufijve, që lehtësojnë burokracitë dhe ruajnë sigurinë.

Në takim merrnin pjesë Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve Sokol Olldashi, Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana, Zëvendësministri i Financave Florian Mima, Drejtori i Doganave Endri Pema, si dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Agron Kuliqi.


27/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›