E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Po punohet në të gjithë trajektoren e unazës verilindore dhe juglindore të vendit

Gjatë vizitës dje në Kukës, Kryeministri Berisha inspektoi ecurinë e punimeve për ndërtimin e rrugës Kukës-Dibër, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 10 milion dollarë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë rrugë shumë të rëndësishme jo vetëm për banorët e kësaj zone me potenciale të konsiderueshme blegtorale, por edhe si një nga segmentet më të rëndësishme të unazës rrugore verilindore dhe juglindore të vendit.

“Kjo rrugë, - u shpreh Kryeministri - lidh 6 komuna të këtyre zonave, me potenciale jo të pakta blegtorale, por pak më tutje sjell më afër malin më të lartë të Shqipërisë dhe një prej maleve më të pasura, malin e Korabit dhe e bën atë të disponueshëm për të gjithë shqiptarët. Kjo rrugë është një nga segmentet më të rëndësishme të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, në të cilën punohet në të gjitha drejtimet, nga Tropoja drejt Kamit dhe sapo të përfundojë projekti Kam – Golaj, do të fillojnë edhe aty punimet. Po punohet edhe në segmentin Krumë-Kukës dhe Kukës-Peshkopi. Së shpejti fillon segmenti tjetër Gjoricë – Studen për të lidhur Peshkopinë me Librazhdin. Nga ana e Librazhdit, kjo rrugë ka ecur mjaft mirë, është arritur në Stërbleva dhe po shkohet më tutje. Kjo rrugë, që fillimisht dukej mjaft e largët, faktikisht po bëhet një realitet shumë shpejt. Ky është një projekt shumë i madh, pasi kjo unazë është qindra e qindra kilometra. Dua të përshëndes të gjithë banorët e këtyre zonave dhe i siguroj se qeveria disponon të gjitha fondet dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që ta përfundojë sa më shpejt këtë rrugë.”

Kryeministri Berisha ripërsëriti zotimin se qeveria do të bërë çdo përpjekje për të luftuar varfërinë, përmes krijimit të mundësive më të mëdha zhvillimore në zonat e varfra dhe punësimit.   

“Këto janë zona shumë të bukura, të cilat do të marrin një gjallëri të paparë me fillimin  punimeve të hidrocentralit të Skavicës. Pas Vjosës, degët e Drinit përbëjnë burimin më të madh ujor të vendit për hidrocentrale. Kapaciteti i tyre është lehtësisht nën kapacitetin e plotë të Vjosës. Janë 5 hidrocentrale në ndërtim e sipër, 15 të tjera janë në proces e sipër. Siç e shihni, ka një perspektivë reale punësimi dhe të ndërtimit më të mirë të jetës dhe të daljes nga varfëria. Qeveria ime e ka kapur dhe do ta kapë me përparësinë më të madhe luftën kundër varfërisë. Ne kemi lëvizur fuqishëm me pagat e pensionet, por tani do të lëvizim fuqishëm me zonat e varfra, për t’i ndihmuar banorët e tyre për një jetë më normale. Ky është zotimi ynë,” u shpreh Kryeministri. 


25/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›