Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një tur inspektimi në zonën ndërtimore të terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". Kryeministri ndoqi nga afër progresin e

Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite një tur inspektimi në zonën ndërtimore të terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". Kryeministri ndoqi nga afër progresin e bërë në ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve dhe rrugën e re hyrëse për në aeroport Kashar-Rinas.
Ky projekt është një ndër investimet e mëdha në Shqipëri, i cili menaxhohet nga Tirana Airport Partners mbi bazën e një marrëveshjeje koncesioni. Për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, sëbashku me terminalin e ri të Kargos dhe rrugën hyrëse po investohen rreth 50 milion euro. Projekti po zbatohet nga kompani shqiptare në përputhje me standartet ndërkombëtare. Punimet parashikohet të përfundojnë në pranverën e vitit 2007. Terminali do të ketë një kapacitet fillestar prej një milion pasagjerësh në vit me mundësi zgjerimi të mëtejshme deri në 3 milion pasagjerë.
Në këtë tur, Kryeministri shoqërohej nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha dhe drejtues të Tirana Airport Partners.
Kryeministri e vlerësoi këtë investim dhe punimet e kryera të rëndësishme për konsolidimin e traditës shqiptare në fushën e ndërtimit dhe që do të sjellë një shërbim krejt të ri për shqiptarët dhe të gjithë ata që do të vizitojnë Shqipërinë nëpërmjet aeroportit "Nënë Tereza". Ndër të tjera, Kryeministri theksoi:
"Dëshiroj të përshëndes e përgëzoj përzemërsisht Airport Partners, ndërtuesit, inxhinierët dhe projektuesit e këtij terminali modern në të gjitha aspektet dhe për të gjitha punimet komplekse, të cilat i japin jo vetëm një shërbim tërësisht të ri e cilësor qytetarëve shqiptarë e të huaj, por edhe një imazh krejtësisht tjetër të vendit për të gjithë ata, të cilët duan të vizitojnë Shqipërinë.
Ky aeroport ndërtohet mbi bazën e një marrëveshjeje. Kam shumë kënaqësi se ky është konçesioni më i suksesshëm i vendit dhe kam besim se ky konçesion i suksesshëm do të pasohet nga suksese të tjera në fushën e konçesioneve aq shumë të domosdoshme për modernizimin e vendit.
Aeroporti do të përmbushë nevojat e Shqipërisë dhe për shumë vite që vijnë. Sëbashku me rrugën, terminalin e Kargove dhe mjediseve të tjera është një investim prej 50 milion. Ky projekt po zbatohet tërësisht nga kompani shqiptare, të cilat dua t'i përgëzoj ato dhe punëtorët e tyre për punën shumë serioze që kanë bërë. Ata kanë arritur të zbatojnë me përgjegjësi e kompetencë një projekt të tillë jo të thjeshtë për Shqipërinë.
Shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë aksionerët e Airport Partners, kompaninë Hochtief, Fondin Shqiptaro-Amerikan dhe të gjithë ata që kanë financuar këtë vepër të rëndësishme dhe që me padurim presin ta inagurojnë. Është tepër pozitiv fakti se nuk ka shtyrje dhe do të jetë sipas standarteve. Kompania Hochtief që kur ka marrë në menaxhim aeroportin ka instaluar standartet më të mira të sigurisë, të cilat kanë një rëndësi jetike për transportin ajror dhe sigurinë e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera.
Edhe një herë dëshiroj t'i përshëndes përzemersisht dhe t'i falenderoj me respekt e mirënjohje për punën që kanë bërë në një kohë të shkurt dhe i siguroj se qeveria do t'i mbështesë me të gjitha mundësitë për të lehtësuar punimet e tyre."
• Më pas, Kryeministri inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës së re hyrëse Kashar-Rinas me gjatësi 7 kilometra dhe gjërësi 7.5 metra. Rruga përfshin segmentin e ri të autostradës Tiranë-Durrës, urën mbi linjën hekurudhore dhe urën e re mbi lumin e Tiranës.
Duke përgëzuar Airport Partners dhe kompanitë ndërtuese për punën e kryer, Kryeministri ndër të tjera theksoi:
"Dua të përgëzoj Airport Partners për këtë investim shumë të rëndësishëm prej 8 milion euro dhe kompaninë ndërtuese, një ndër më të suksesshmet e seriozet në fushën e ndërtimit, veprat e së cilës janë të standarteve ndërkombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, sepse krijimi i një tradite në ndërtimin e rrugëve është ndër traditat më të çmuara për një vend. Nëpërmjet kësaj kompanie dhe kompanive të tjera ky ndërtim ka kaluar në një stad të ri. Ne si qeveri ndërmorëm një hap të rëndësishëm duke ulur disa pragje burokratike që pengonin kompanitë shqiptare për të dëshmuar kapacitetet e tyre, sikundër dhe këto kompani vijnë në rritje. Tashmë aeroporti dhe zona përreth bëhet me dy rrugë, njëra të sjell në kryeqytet dhe tjetra të çon drejt veriut e jugut. Në këtë mënyrë krahas ndërtimit të aeroportit modern, edhe lidhjet e tij po modernizohen."