Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me banorë të Dhërmiut dhe të Himarës, me të cilët bashkëbisedoi për probleme të zhvillimit të kësaj zone b
Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me banorë të Dhërmiut dhe të Himarës, me të cilët bashkëbisedoi për probleme të zhvillimit të kësaj zone bregdetare, veçanërisht në infrastrukturë, zhvillimin social, arsimor etj..
Kryeministri siguroi për vëmendjen e plotë të qeverisë në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe përmirësimin e standardeve të jetesës, duke përmendur politikat konkrete sociale të qeverisë, në shërbim të komunitetit.
Gjatë takimit me banorët e Dhërmiut, Kryeministri Berisha siguroi se zhvillimi infrastrukturor i kësaj zone është në vëmendjen e plotë të qeverisë. "Ju keni krijuar punën nga shkëmbi dhe në rast se do të funksiononte ligji, në rast se Shqipëria do të shkëputej nga korrupsioni, në këtë bukuri përrallore do të zhvillohej turizmi dhe do të vërshonin vizitorë nga e gjithë Europa", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri i njohu banorët me projektet e qeverisë për zhvillimin e kësaj zone. AZoti Berisha bëri të ditur se "ka projekte të buxhetit të shtetit të cilat parashikojnë vazhdimin e rrugës drejt Himarës. Gjithashtu, qeveria ka edhe një numër të tjerë projektesh që shtrihen nga Palasa deri në Shën Vasil (Sarandë), për të gjithë fshatrat e zonës së Bregut. Këto projekte përfshijnë ndërtimin e ujësjellësave, rrugëve, shëtitoreve e qendrave. Këto projekte shkojnë deri në 36 milionë dollarë vetëm për fshatrat e zonës së Bregut, duke zhvilluar infrastrukturën e këtyre fshatrave, deri në Lukovë".
Kryeministri theksoi se këto projekte, "qeveria nuk i bën për qëllime elektorale, por sepse zhvillimi i vendit është i domosdoshëm".
Duke iu përgjigjur interesimit të banorëve për çështjen e pronave, Kryeministri Berisha u shpreh se prona është një problem themelor. "Ne jemi të vendosur të rikthejmë çdo pronë që është e lirë dhe të kompesojmë me çmim tregu çdo pronë që nuk mund të kthehet. Ky është qëndrimi ynë".
Ndërsa gjatë takimit me banorët e Himarës, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet, në mënyrë që të rrisë mundësitë që rruga të vijë sa më shpejt deri në Himarë. "Në të gjithë zonën, përfshi edhe Himarën, kemi një financim të veçantë, prej 300 milionë lekësh, për ndërtimin e ujësjellësave, trotuareve, shëtitoreve dhe qendrave, në mënyrë që të krijojmë infrastrukturën e përshtatshme për zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e sa më shumë turistëve në këtë zonë", vijoi Kryeministri.
Kryeministri tha se Qeveria do të angazhojë gjithashtu fonde të veçanta edhe për rrugët e zonave turistike. Gjithashtu, shtoi Kryeministri, qeveria po bën përpjekje të mëdha për zhvillimin e shkollave dhe përmirësimin e jetës së të moshuarve. "Unë ju siguroj se do ta ndieni ndryshimin. Për këtë jam i bindur", tha zoti Berisha
Duke u ndalur në çështjen e arsimit, Kryeministri vlerësoi se çështja e arsimit është ndër më të mëdhatë me të cilën përballet vendi. "Qeveria premtoi se do të dyfishonte numrin e studentëve dhe do të hapte universitete për të gjithë ata që dëshirojnë t'i ndjekin ato. Ne e mbajtëm këtë premtim.
Ndërkohë, po përballemi me një problem tjetër, pasi një përqindje e madhe e fëmijëve shqiptarë nuk kanë mundësinë të ndjekin shkollat e mesme, për shkak se këto shkolla në mjaft zona janë mbyllur. Ne do të punojmë që të gjithë fëmijët tanë të ndjekin shkollat e mesme. Ky është detyrimi ynë. Këtë cështje e kemi biseduar gjerësisht me Ministrin e Arsimit dhe Shkencës dhe i kam kërkuar atij të përgatisë një projekt me tolerancë zero kundër analfabetizmit. Por kjo nuk mund të realizohet pa ndërtuar edhe infrastrukturën e nevojshme dhe ambjentet e konviktet. Këto probleme janë objektiva madhorë dhe që nga viti i ardhshëm do të fillojë ndërtimi i konvikteve në të gjitha qendrat e banuara, për t'u krijuar mundësi fëmijëve të ndjekin shkollat e mesme. Kjo gjë është e rëndësishme edhe për Himarën, duke patur parasysh se Himara është një zonë e shtrirë", u shpreh Kryeministri.