Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit
Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në nderim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.
Pasi vendosi një kurorë me lule në përkujtim të veprës së atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar, kryeministri Berisha u shpreh se sot ata nderohen me një ndiejnë krenarie të veçantë sepse kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë më të sigurta idealet e tyre të lirisë sesa në ditët e sotme. "Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, flamuri për të cilin ato ranë qëndron përkrah flamujve të kombeve të lira në Bruksel”, u shpreh kryeministri.
" Sot, tha kryeministri Berisha, ne i nderojmë ata me krenari të madhe, sepse shqiptarët si qytetarë janë më të lirë se kurrë në këtë 5 maj, lëvizin të lirë në shtetet Europiane, sepse jemi më afër realizimit të ëndrrës sonë integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe, Prefekti i Tiranës zoti Keltis Kruja,Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, Ministri Mbrojtjes Arben Imami si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Gjatë prononcimit të tij kryeministri tha:"Është dita e nderimit, e përuljes me mirënjohjen më të thellë para të gjithë atyre që flijuan gjënë më të shtrenjte, flijuan jetën, rininë, për të fituar pavdekësinë në altarin e kombit. Sot është dita e mirënjohjes së madhe, e respektit të madh.
Nderimit të pakufishme ndaj familjeve të të rënëve, të cilat kontribuuan në jetën e njerëzve të tyre më të dashur në lirinë kombëtare. Nderojmë sot të rënët e të gjitha kohërave. Sot ne i nderojmë ata me një ndjenje krenarie të veçantë, sepse kurrë ndonjëherë, nuk kanë qenë, më të sigurta idealet e tyre të lirisë sesa në ditët e sotme.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, flamuri për të cilin ato ranë, qëndron përkrah flamujve të kombeve të lira në Bruksel. Sot ne i nderojmë ata me krenari të madhe, sepse shqiptarët si qytetarë janë më të lirë se kurrë në këtë 5 maj, lëvizin të lirë në shtete Europiane. I nderojmë ata më krenarë se kurrë, sepse jemi më afër realizmit të ëndrrës sonë integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjaku sakrifica e tyre sublime, është një thirrje për të gjithë shqiptarët , të nderojnë, të respektojnë, të konsolidojnë liritë dhe vlerat e saj.
Data 8 maj është dhe dita e Europës dita e ngadhënjimit të lirisë në Europë. Shqiptarët shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur qeveritarët e tyre vendor. Nderimi më i madh që mund tu bëhet idealeve të lirisë, është që të votojnë sis qytetarë Europian, të përzgjedhin kandidatin dhe forcën politike që ata duan, por mbi të gjitha të japë secili kontributin e tij, për një proces zgjedhor dinjitoz dhe të merituar për një komb, që sheh të ardhmen e tij në Europë".
05/05/2011