Kryeministri Berisha në Shkodër: Vota për “Aleanca për qytetarin”, votë për integrimin në Evropë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm paraditen e sotme në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Shkodrës, ku për kryetar të kësaj bashkie në emër të koalicionit “Aleanca për qytetarin” kandidon z. Lorenc Luka.
Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Shkodra i ka dhënë Partisë Demokratike në vite, Kryeministri Berisha ftoi qytetarët shkodranë dhe të mbarë vendit që me votën e tyre ta shndërrojnë 8 majin në festën e madhe të demokracisë shqiptare, në festën e idealeve evropiane të qytetarëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.
Më gjerësisht në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh
“Qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
Qytetare dhe qytetarë të fitores!
Zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë,
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, respektin më të madh, nderimin më të pakufishëm ndaj jush, shkodraneve dhe shkodranëve, që i qëndruat më besnikë se kushdo tjetër idealeve të lirisë, besimeve të mëdha të njeriut, vlerave shpirtërore dhe hyjnore të qytetarit e të qytetërimit perëndimor.
Sot vij tek ju për t’ju sjellë përshëndetjet më të përzemërta, por edhe frymën e flakën e fitores, dritën e saj që po ndriçon nga Saranda në Kukës, nga Tropoja në Gjirokastër, që si kurrë në historinë e saj pret 8 majin, Ditën e Evropës, si ditën e saj, si ditën e vlerave, ditën e idealeve të saj.
Qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
8 maji është dita e zgjedhjes që ju kurrë nuk e gabuat. Ju çdo votë, në tërë ekzistencën tuaj të lirë, e dhatë për vete, për Shkodrën, për të ardhmen, për Shqipërinë. Këto vite në rrugën e lirisë kanë qenë vite të vështira, me mundime, me sakrifica, por edhe vite me dinjitet, vite që kanë pasur si dritë të pashuar sakrificën sublime të qytetarëve tuaj, qindra e mijëra shekuj burgje e jetë të flijuara për idealet më të larta njerëzore. Por këto vite kanë qenë vitet e sukseseve më të mëdha në historinë e këtij qyteti, në historinë e këtij kombi, sepse ne, qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, u ngritëm nga hiri si Feniksi dhe në 20 vjet Shqipërinë e ngritëm në këmbë, Shkodrën e mbarë Shqipërinë e bëmë që sot të ecë e sigurt drejt të ardhmes së saj. Ne jemi njerëzit e sukseseve të mëdha të jetës së gjithsecilit. Sot ne mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi anëtar të Aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Besimi juaj tek liria, vendosmëria juaj për të ndërtuar idealet e lirisë, bëri të mundur që sot ne të jemi anëtarë të NATO-s. Ne sot mblidhemi këtu më evropianë se kurrë në tërë qenien tonë, lëvizim të lirë në kontinentin që jetojmë prej shekujsh dhe mijëvjeçarë. Sot ne jemi më krenarë se kurrë me njëri - tjetrin për sukseset tona, sepse Shqipërinë që rropatej e rrokullisej në honet e mjerimit e ngritëm dhe tre vjet me radhë qëndron në krye të rritjes ekonomike të Evropës. Sot ne mblidhemi më krenarë se kurrë si njerëz të një suksesi të madh, sepse Shqipërinë e panjohur nga bota e shndërruam këtë vit në destinacionin turistik kryesor, Rozafën e turizmit botëror. Ne jemi gratë e burrat, djemtë e vajzat, që udhëhiqemi nga realizmi. Ne e dimë se kemi bërë shumë, por asnjëherë nuk jemi të kënaqur, sepse duam që çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit të bëjmë më shumë. Unë jam këtu për tu zotuar para jush se për sa kohë t’i besoni Partisë Demokratike, kjo parti, kjo qeveri, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit do t’i shtrojë vetes pyetjen: çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shkodrës, çfarë të bëj më shumë për qytetarët e Shqipërisë? Ne jemi të bindur se sado që të bëjmë nuk arrijmë kurrë të bëjmë atë që ju keni bërë dhe bëni për Shkodrën, keni bërë dhe bëni për Shqipërinë.
Qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
8 maji është zgjidhja dhe zgjedhje për të sotmen e të ardhmen tuaj. Jam këtu për t’ju garantuar ju se me Lorenc Lukën, me të gjithë qeveritarët vendorë të bashkive dhe komunave të qarkut të Shkodrës, në katër vitet që do të vijnë do të bëjmë realitet ëndrrën tonë, ëndrrën e vajzave dhe djemve të saj, për një Shkodër të zhvilluar, për një Shkodër europiane, për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri evropiane. Vota më 8 maj për Lorenc Lukën, për “Alternativën e qytetarit”, është para së gjithash votë për punësimin tuaj, është votë në mënyrë që energjitë, talenti, fuqia, entuziazmi juaj të derdhet në të mirën më të madhe tuajën, të familjeve tuaja, të Shkodrës sonë të dashur. Vota më 8 maj për Lorenc Lukën, për “Aleanca për qytetarin” dhe Partinë Demokratike, për çdo qytetar të parë tuajin në komunat e bashkitë e tjera, është votë për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ne që shembëm murin e Berlinit në Shqipëri, që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, që hoqëm vizat dhe lëvizim të lirë, nuk ka mur që nuk shembim. Ne ecim të sigurt në rrugën tonë drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë. Vota më 8 maj për Lorenc Lukën, për qytetarët e tjerë të parë të komunave dhe bashkive tuaja, është votë për infrastrukturën më modernë në Shkodër, në komuna, në të katër anët e këtij vendi. Ne që asfaltuam 8 mijë kilometra rrugë në Shkodër e në mbarë Shqipërinë do t’i japim Shkodrës dhe Shqipërisë infrastrukturën europiane më moderne në rrugët e saj. Vota për Lorenc Lukën, për qytetarët e parë të komunave e bashkive të tjera, është votë për Shkodrën universitare, për Shkodrën e dijes, për Shkodrën e kulturës, për Shkodrën e krijimit. Ju garantoj se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e investimeve të mëdha në kampusin e universitetit tuaj, në institucionet tuaja kulturore, artistike, në mbarë shkollat e kopshtet në qytetin dhe rrethin tuaj. Vota juaj më 8 maj për Lorenc Lukën, për qytetarët e parë të komunave dhe bashkive të tjera, është votë për Shkodrën turistike, për të bërë Shkodrën një nga polet më të rëndësishme të turizmit në Europën Juglindore.
Qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
Ne jemi të bindur se në rrugën tonë bëjmë gabime, se në rrugën tonë kemi edhe të meta, por ka një gjë për të cilën ne nuk gabojmë kurrë dhe nuk gabojmë për besimin tek ju, te forca, te energjitë, të mendja juaj e ndritur, te përkushtimi, te dinjiteti, te ndershmëria juaj.
Ndaj dhe për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Shkodra është e para, Shqipëria është e para.
Ju ftoj juve, ftoj mbarë shqiptarët, që të shndërrojnë 8 majin në festën e madhe të demokracisë shqiptare, në festën e idealeve evropiane të qytetarëve të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.
Me 8 maj Shkodra dhe Shqipëria do të votojnë blu, do votojnë Evropë!
Rroftë Shkodra!
Rroftë Shqipëria!”
04/05/2011