E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë në zyrat e reja të degës së PD-së, në Vlorë

Kryeministri Berisha vizitoi  të premten pasdite Vlorën ku u ndal fillimisht në zyrat dhe ambientet e reja, të rikonstruktuara të degës së PD-së, së këtij rrethi. Kryeministri zhvilloi aty një  takim me  kryesinë e Partisë Demokratike të Vlorës ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe nënkryetari i PD-së, zoti Astrit Patozi, Kryetari i PD-së degës Vlorë, zoti Ardian Kollozi, Prefekti i Qarkut, zoti Eduart Velçani, Kryetari i Këshillit të Qarkut, zoti Anesti Dhimojani, si dhe drejtues dhe anëtarë të PD-së.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Unë ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju uroj gëzuar rikonstruksionin  e ndërtesës së re të degës së PD dhe shpreh bindjen se ky proces do të vazhdojë në të gjitha strukturat e PD-së për fuqizimin  e tyre me prurje të reja, konsolidimin  e tyre me vlera në këtë parti, e cila ka mision të madh përpara, mision të madh, “Shqipëria, vend i zhvilluar , Shqipëria vend që ecën i sigurtë në projektin e saj evropian, integrimin e saj në BE”.

Ne jemi aktualisht në një moment shumë të rëndësishëm për vendin, momenti i zgjedhjes së presidentit të Republikës, si  një forcë politike që konsideron ligjin dhe shtetin ligjor themel të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ne vendosëm që në fillim dhe u përcaktuam për  një proces tërësisht kushtetues. Bazuar në këtë proces ne kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar dhe  e vërteta është që rrallë ndonjëherë nuk ka ndodhur që një kandidat të mbështetet nga personalite të të gjithë spektrit politik. Dhe unë besoj se fryma dhe germa e kushtetutës kërkojnë që personaliteti, burri apo gruaja që përzgjidhet apo emërohet në këtë detyrë duhet të ketë virtyte, duhet që të ketë aftësinë, duhet të ketë integritet, duhet që në provat  e tij ta ketë faktuar veten një shërbëtor i vërtet i kombit dhe vendit të tij. Po në përputhje me kushtetutën, e cila parashikon që në tre raundet  e para, duhet që kandidati apo kandidatja të marrë tre të pestat, ne bëmë përkujdesjen më të madhe për të përzgjedhur një kandidat, i cili nuk mund te refuzohej për anësinë e tij partiake, një njeri i cili, një jurist, një diplomat që nuk ka qenë qoftë edhe nje ditë të vetme në forcën kryesore politike të mazhorancës, por ka qenë një shërbëtor i vërtetë i kombit të tij, i vendit të tij, një përfaqësues i shkëlqyer i diplomacisë shqiptare në kohën që ishte në mision diplomatik, një përfaqësues i shkëlqyer i drejtësisë shqiptare për kohën që është ngarkuar, por edhe një nga pedagogët më të shquar të universiteteve tona nga vitet ‘80 deri në ditët e sotme, i cili ka shkolluar dhe dhjetëra e qindra studentë që sot punojnë në të katër anët  e vendit me respektin më të thellë për profesorin e tyre. Pra procesi i përzgjedhjes ju garantoj që është më i qytetëruar dhe më i përgjegjshmi që është bërë në historinë e këtij vendi. Vendet  e qytetëruara, vendet  e pjekura natyrisht nuk ecin me lista për vendin e kreut të shtetit se ai nuk është vend liste, ai është vend i individit, i personalitetit më të shquar të mundshëm që besohet dhe në këtë kontekst kjo është një risi shumë pozitive. U nxorën mësime nga praktikat  e shkuara. Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja  e presidentit të republikës ka qenë absolutisht  e padenje sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin fortunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në atë proces dhe që kemi marrë pjesë edhe në procesin tjetër e kemi ndjerë veten të turpëruar nga ajo procedurë aspak dinjitoze dhe njeriu kur gabon nxjerr mësime dhe nuk përsërit të njëjtin gabim. Cili ishte procesi këtë vit? Këtë vit  situata është tjetër dhe mësimet janë nxjerrë. Këtë vit PD ka një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, marrëveshje  e cila përcakton në një nen të saj se Presidenti i ardhshëm i republikës do të zgjidhet me konsensusin e PD dhe LSI-së. Kjo është marrëveshja, kjo do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin. Bazuar në këtë marrëveshje ne bëmë takimin  e parë me aleatët tanë dhe nuk diskutuam për asnjë emër, diskutuam për fushat. Menduam se tre janë fushat më të përshtatshme në të cilat duhet të përqendroheshim: politika, diplomacia, drejtësia. Në këtë frymë unë dërgova kryetarin e Grupit parlamentar dhe nënkryetarin e Partisë të ftonte kryetarin e Grupit Parlamentar dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PS, zotin Ruci në takim për të diskutuar për kriteret. Zoti Rama i cili është i interesuar me sa duket për pazar dhe jo për kryetar shteti, është i interesuar për përfshirjen e një pazari të vërtetë në zgjedhjen e kryetarit të shtetit dërgoi një editorial ku betohej se do të rrëzonte qeverinë dhe katër kushte ultimatum, pa të cilat ai nuk mund të fliste për presidentin  e Republikës. Natyrisht, praktika  e ultimatumeve është një praktikë e dështuar, ne nuk i bëjmë kujt, kurrë ultimatum. Ne jemi forcë demokratike dhe si e tillë nuk e njohim kulturën e ultimatumeve ndaj tjetrit. Natyrisht nuk pranojmë asnjëherë dhe nuk impresionohemi nga asnjë lloj ultimatumi. Këtij qëndrimi ne i dhamë këtë përgjigje që po ju jap ju sot dhe vazhduam në përputhje me marrëveshjen me LSI-në. Takimin e dytë në të cilin ne shqyrtuam dhe unë dua tu them këtu ju dhe qytetarëve të Vorës së Shqipërisë se kam qenë unë Sali Berisha që jam shprehur se kandidati nuk do të jetë një eksponent politik i PD-se sepse PS këtë  nuk mund ta mirëkuptojë dhe qëllimi ynë është një kandidat i cili do të votohet edhe nga opozita. Ky ishte edhe përcaktimi i Kushtetutës. Kushtetuta përcakton në raundin  e parë, të dytë dhe të tretë, tre të pestat. Mazhoranca jonë nuk i ka tre të pestat, ndaj dhe ne përzgjodhëm si aleat, një kandidat që sintetizonte në një, diplomacinë, botën universitare dhe drejtësinë dhe absolutisht dua tu them ju këtu dhe dua që ta dinë edhe qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se menjëherë sapo është përzgjedhur i kam kërkuar zotit Patozi që ti kërkojë takim zotit Ruci, të konsultohet me të, tja paraqesë kandidatin. Zotit Ruci i kërkoi takim, por takimi u përcaktua për të nesërmen. Përsëri unë i kërkoj zotit Patozi që sërish të lidhej me zotin Ruci sepse nuk duhej të merrej vesh nga media, pasi duhet të konsultoheshin, por përsëri zoti Ruci refuzoi takimin atë natë dhe tha se takimi do të bëhet vetëm ditën e nesërme në kryesinë e kuvendit. Natyrisht opozita ka të drejtën e saj të mbajë qëndrimet që do, por opozita dhe asnjë forcë politike nuk ka të drejtë të refuzojë  një kandidat , i cili përfaqëson vlera reale në të gjitha fushat ku ky zotëri ka qenë.

Kryetari i PS ka një problem shumë të madh. Problemi i tij i parë është se nuk fiton , së dyti dhe kur fiton nuk di se ka fituar. A mund të edukohet ai që të njohë se kush fiton? Në politikë nuk ka kurrë “të tërë ose asgjë”. Ti fiton diçka dhe tjetri diçka tjetër. Sigurisht që  unë do të doja që kandidati të ishte një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, por arsyeja kërkon që të respektosh kundërshtarin, kërkon që ti japësh atij mundësi të marrë pjesë në këtë proces të rëndësishëm , të tërhiqesh edhe nga ato që ke deklaruar vetë sepse ky është procesi i kompromisit dhe të arrish në një rezultante, por ai dhe kur fiton i duket sikur humbet sepse ka kulturën “E tërë ose asgjë”. Por nuk është kështu, për të gjithë ka diçka në këtë botë. Demokracia nuk është sistemi i përjashtimit  dhe pse e bën këtë sepse kërkon koka. Njëherë më kërkon kokën e Arben Ristanit. Po pse për të bërë pazare kokash  jemi apo po diskutojmë për presidentin? Herën tjetër kërkon kokën e Artan Lazes, i cili ka qenë kryetari Gjykatës së Gjirokastrës dhe për majtizmin e tij ka lënë gjykatën dhe është bërë anëtar i KQZ dhe tani më thotë le ti heqim të gjithë. Por nuk mund të hiqen kështu sepse ai është Komisioni qendror i Zgjedhjeve dhe në qoftë se ecim në këtë mënyrë që të përmbysim komplet një institucion, ku aty dy prej tyre, një nga PD dhe një nga PS kanë 13 vjet me një eksperiencë të shkëlqyer. Dakord po i heqim , por zgjedhjet kush do ti administrojë pasi dhe ato duan njerëz që i njohin.

Sot takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën  e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po cfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të patur një proces të suksesshëm urdhëro zotëri dhe më thuaj cila janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori kjo është të nisesh nga klisheja e armikut. Sigurisht që do ta përmend unë i pari sespe jam shumicë, sigurisht që do ta propozojmë ne të parët sepse kemi një marrëveshje, e cila thotë zgjidhni presidentin  e Republikës në mënyrë konsensuale, por kjo nuk e përjashton atë nga asgjë.

Pra kjo është situata, por sidoqoftë unë ju them ju se ky është një proces shumë serioz, ku ne mbështesim si maxhorancë plotësisht zotin Zaganjori sepse sic keni ndjekur ju vetë të gjithë debatin lidhur me këtë kandidaturë, nga i gjithë spektri profesional janë shprehur vlerësimet më pozitive. Tani këto janë çështjet më serioze, ti nuk mund të kandidosh një njeri , ta mbështesësh dhe të mos e mbshtesësh. Unë jam i bindur se vendi do të bëhet shpejt me presidentin e Republikës dhe do të bëjmë çdo gjë që proceset integruese të ecin përpara , do të bëjmë gjithçka që të gjejmë , të kompletojmë reformat që janë absolutisht të përfunduara. Ai deklaronte një javë përpara se ai(kryeministri) do ti lidhë reformat me presidentin, kur doli i lidhi vetë me presidentin, “hiq Ristanin thoshte” pastaj nga Ristani doli tek anëtari i vet i KQZ. Këta janë njerëz që sigurisht forcat politike mund të kenë vërejtje, por në tërësinë e vet kanë dhënë një kontribut të madh në administrimin e proceseve zgjedhore gjatë kësaj periudhe. Prandaj personat janë njëra anë, proceset dhe reformat duhet të ecin përpara. Zotëria e tij nuk do që vendi të ketë një president dinjitoz për frymën dhe germën e kushtetutës, por do një Pazar me Sali Berishën, ku ti venë kokat  e njerëzve, këtu Ristanin, këtu Lazen, por jo zotëri se nuk janë njerëzit gurë shahu që ti lëvizim sipas dëshirave tona. Ne duhet të zgjedhim presidentin dhe të kompletojmë reformën dhe kemi bërë shumë lëshime dhe ne do të bëjmë sepse ne duam të ecim në kompromis me opozitën.

Unë ju them ju se jam i gatshëm në çdo kohë se tani ai nxjerr pretekstin se jemi kthyer se ne jemi takuar me aleatët, por po të jetë puna për aleatët Dule deri dje ishte aleati ynë dhe historiku i PBDNJ është historiku si një parti e atyre përmasave që ka ndërruar tagrin, por është më shumë e spektrit të djathtë se asaj të majtë dhe kjo nuk do të thotë se unë nuk do të takohesha me zotin Rama, por ta marrë ai për fyerje se u takua me Vangjel Dulen ky është një inat që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën dhe politikanët.

Sot  do të inaugurojmë një segment të vogël por që e zbukuron atë segment rruge. Do të bëjmë c është  mundur të fillojmë me shëtitoren, duhet të bëjmë një shëtitore të bukur për 100 vjetorin dhe i kam kërkuar ministrit që të takohet me kryetarin e bashkisë dhe autoritetet lokale dhe ajo shëtitore do të bëhet, sikundër fatmirësisht janë siguruar fondet për By-pas dhe ka përfunduar projekti, i cili do të jetë një projekt shumë i rëndësishëm infrastrukturor për Vlorën.


01/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›