E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Kombëtar i Territorit miraton vendime të rëndësishme në fushën e turizmit dhe energjetike

Sot, u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili miratoi disa vendime të rëndësishme në fushën e turizmit dhe energjetike.

Kryeministri Berisha, i cili drejtoi mbledhjen e KKT-së, i vlerësoi vendimet me  impakt të rëndësishëm jo vetëm në zhvillimin e turizmit dhe sektorit energjetik, por edhe në punësim. Kryeministri theksoi se me të gjitha projektet e miratuara nga KKT-ja, numri i të punësuarve shkon në rreth 10 mijë vetë. “Natyrisht, punësimi nuk mund të mos jetë qëllim ndër më kryesorët dhe shpesh edhe më kryesori dhe fatmirësisht, projektet që fillojnë janë realisht shumë premtuese për punësimin e qytetarëve.”  

Kryeministri Berisha kërkoi që të gjitha projektet turistike që paraqiten për miratim në KKT të respektojnë me rigorozitet kriterin e kateve, si dhe projektet në tërësi të përfshijë deklaratën e impaktit mjedisor.

Konkretisht, KKT-ja mori në shqyrtim dhe miratoi:

Plani i përgjithshëm vendor i Himarës.

Plani i përgjithshëm i Himarës, sipas hartuesve të tij, është hartuar mbi një koncept të ri zhvillimi, duke u bazuar në karakteristikat e saj si zonë turistike dhe kulturore.

Kryeministri Berisha e vlerësoi planin të rëndësishëm për shfrytëzimin e potencialeve të jashtëzakonshme turistike të Himarës, ndërsa ftoi të gjitha komunat e Bregut që nën këtë shembull të hartojnë planet e tyre lokale.

“Pas masterplanit të bregdetit Jon, - tha Kryeministri - tani është radha e planeve lokale dhe më vjen mirë që fillohet me Himarën, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe siç dëshmon ky plan, potenciali i saj mund të trefishohet. Plani përcakton se ku nuk duhet ndërtuar. Janë autoritetet lokale, të cilat kanë bërë kujdes, me mbështetjen e qeverisë, për të hartuar planin dhe ftoj të gjitha komunat e Bregut të ndjekin këtë shembull, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të njohë dimensione të reja.”

Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të kritereve të përcaktuara në këtë plan, që Himara të zhvillohet në përputhje me bukuritë e saj mahnitëse natyrore.  

Plani i përgjithshëm vendor i Lushnjës.

Kryeministri Berisha sugjeroi rikonceptimin e sheshit qendror të qytetit, i cili duhet të përcjellë simbolikën më të madhe historike të këtij qyteti, Kongresin e Lushnjës.

“Dua të theksoj se vendosja në qendër të Lushnjës e monumentit me kallinjtë e grurit ka pasur një qëllim të vetëm: për t’i fshehur Lushnjës, atë që ajo ka ngjarjen më të ndritur të historisë së saj dhe të dytën më të ndritur pas pavarësisë së vendit apo në fakt, pavarësia e dytë të Shqipërisë, siç është Kongresi i Lushnjës. Ai Kongres duhej të lihej në hije vetëm e vetëm se ata që u mblidhen atje dhe mbështetën atë Kongres u shpallën armiq, të hapur apo të heshtur, të diktaturës e diktatorit më vonë. Ndaj mendoj se sheshi duhet të rikonceptohet në këtë funksion. Lushnjën duhet ta simbolizojë ai kontribut i madh që ka në historinë kombëtare, pasi në tërësinë e  vet, janë kontributet historike ato që zënë më shumë peshë në përfaqësim,” - u shpreh Kryeministri.

Pus shpimi dhe infrastrukturë ndihmëse për kërkimin e naftës të kompanisë Petromanas.

Drejtuesit e kompanisë Petromanas informuan se projekti parashikon ndërtimin e infrastrukturës për ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe shesheve të shpimit për dy puse, brenda vitit 2012: në zonën e Shpiragut afër Beratit dhe në zonën e Shkodrës, me vlerë fillestare investimi 48 milion dollarë.

Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se miratimi i këtij studimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me investime në fushën e hidrokarbureve, një fushë ku Shqipëria po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe.

“Kjo kompani [Petromanas] riktheu Shell në Shqipëri dhe shpresat për gjetje të mëdha nafte janë reale. Pusi i Shpiragut është pus i thellë mbi 6 mijë metra dhe optimizmi i Shell dhe Petromanas është sipas tyre, i bazuar dhe i madh.

Shqipëria gjithnjë e më shumë po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe në fushën e hidrokarbureve. Fakti që rikthehen sërish në Shpirag dëshmon se të dhënat janë gjithnjë e më bindëse për fusha të mëdha të reja nafte në Shqipëri. Ndaj dua të përgëzoj kompaninë Petromans e Shell dhe ata që kanë bërë studimin, të cilët fillojnë së shpejti punimet në këto puse, me besim dhe shpresë të madhe se do të ketë gjetje shumë të rëndësishme.

Për gazetarët të cilët nuk mund të mos pëlqejnë apo kërkojnë skupin edhe aty ku nuk është, dua të them se ky shpim ndodh e kjo rrugë ndërtohet pikërisht në fshatin e Edi Ramës. Fshat, të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë. Madje as nuk pranon se është nga Mbreshtani. Është një zonë shumë e bukur, me një shpat fantastik. Është një zonë me qershi e ullinj nga më të bukurat në Shqipëri. Piktori doli i dështuar, pavarësisht nga peizazhi atje,” - u shpreh Kryeministri.

Hidrocentrali Bënç Tepelenë, qarku Gjirokastër.  

Projekti parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve të njëpasnjëshëm në kaskadën e lumit të Bënçës, me gjatësi lineare prej 8 kilometra. HEC-i parë do të ketë një prodhim mesatar vjetor energjie prej 11 milion kilovat/orë, me vlerë investimi 4 milion euro. HEC-i i dytë do të ketë një prodhim vjetor mbi 19 kilovat/orë, me vlerë investimi 6.5 milion euro.

Hidrocentrali në pellgun e Okshtunit, qarku Elbasan dhe qarku Dibër.

Projekti konsideron në ndërtimin e 10 hidrocentraleve me prodhim mesatar vjetor prej 150 milion kilovat/orë dhe vlerë investimi 4.1 miliardë lekë. Projekti pritet t’i japë një impakt të përgjithshëm zhvillimi zonës, veçanërisht me rrugët e komunikimit që do të lidhin të gjitha fshatrat e këtij pellgu, ku do të ndërtohen HEC-et. 

Hidrocentrali “Koka 1”, në komunën Martanesh, qarku Dibër.

Projekti parashikon ndërtimin e një hidrocentrali me prodhim vjetor prej 12.3 milionë kilovat/orë.

Pas prezantimit të këtyre projekteve, Kryeministri Berisha kërkoi nga Sekretari Teknike që vendimet për HEC-e që presin për miratim në KKT të kenë përparësi absolute, pasi kjo fushë përbën “drejtim e alternativë themelore për ne”.

“Sot janë në ndërtim e sipër 100 hidrocentrale, janë përfunduar 46 dhe interesi për ndërtimin e hidrocentraleve është gjithnjë në rritje. Kjo përbën një nga zhvillimet më pozitive e të rëndësishme të vendit. Këto hidrocentrale ndërtohen që të gjitha me kontributin e sektorit privat, pra, nuk janë vepra që rëndojnë mbi shpatullat e taksapaguesve,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se në këtë mënyrë Shqipëria po ecën drejt objektivit madhor: “superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme, ndryshe energjisë jeshile, në rajon.”

Studim urbanistik pjesor për zonë hotelerie dhe rezidenciale, pjesë e parcelës 9A, zona e Gjirit të Lalëzit.

Studimi parashikon ndërtimin e banesave individuale dhe hoteleri, duke ruajtur kriteret e ndërtimit në zonat bregdetare si në lartësinë e numrin e kateve, koenficentin e shfrytëzimit të territorit, sipërfaqet e gjelbra etj..

Studim urbanistik pjesor me sipërfaqe 7.3 hektarë, brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit. 

Ky studim ka si objektiv krijimin e kushteve për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, që ruan bukuritë e zonës dhe respekton mjedisin. Edhe ky studim parashikon zona rezidenciale dhe zona hotelerie. Një veçori e studimit është shfrytëzimi i energjisë së rinovueshme, nëpërmjet përdorimit të paneleve diellore apo të sistemeve ngrohje-ftohje duke përdorur energjinë gjoetermike.

Në përfundim të paraqitjes së këtyre dy studimeve, Kryeministri Berisha theksoi se përpjekjet janë përqendruar në dy drejtime: në ndërtimin me përparësi të kapaciteteve turistike dhe së dyti, ndërtimi i qendrave të banuara, sipas parimit “kombi sytë drejt detit’.

“Siç e shihni po ecet në dy drejtime drejt bregut. Drejtimi i parë është ai turistik, ndërtimi me përparësi të madhe i kapaciteteve turistike dhe drejtimi i dytë është kombi me sytë drejt detit. Në fakt, tani për tani kemi të bëjmë me një relativizim të këtij drejtimi, se ajo që po përfiton nga ky parim është borgjezia e re, e cila në verë po vendoset në këto zona. Sidoqoftë duhet të shihet mundësia që zonat rezidenciale, me potenciale ekonomike duhet të jenë një realitet intensiv në bregun shqiptar. Bregu shqiptar është në masën 92 përqind i pandërtuar dhe përbën një rast unik që kombi të orientohet drejt detit. Ndaj unë vlerësoj faktin se në këto projekte, ne miratojmë zona rezidenciale, edhe pse nuk realizohet plotësisht qëllimi, pasi këto rezidenca janë kryesisht të borgjezisë së re, e cila nuk pranon të quhet as borgjezi – kjo ka pak rëndësi se është në planin semantik – e rëndësishme është që të bëjmë gjithçka që t’i japim akses sa më të gjerë dhe në mënyrën më të planifikuar e studiuar mundësisë së vendosjes në brigjet e deteve e liqeneve të vendit të qendrave të banuara,” – tha Kryeministri.  

Detyra e projektimit dhe studimit urbanistik pjesor të zonës turistike prej 97 hektarë, në fshatin Greth, komuna Kryevidh.

Projekti do të synojë realizimin e një investimi për ndërtimin e një qendre turistike në bregun e Adriatikut, në komunën Kryevidh, në jug të zonës së Spilleut. Në projekt parashikon zona rezidenciale dhe hotelerie, ndërtimin e ambienteve rekreative, ndërkohë që ruhen koeficientët e shfrytëzimit të territorit  dhe lartësia e kateve, të lejuara për zonat turistike.

10. Plani urban i komunës Synej, Kavajë.

Plani urban i komunës Synej përfshin zonën që ndodhet në jug të qytetit të Durrësit, e konsideruar një zonë me potencial të madh turistik,  që shtrihet midis zonave turistike Golem, Karpen dhe Vil Bashtova. Ajo zë një sipërfaqe prej 700 hektarë, ku përfshihen ndërtimi i një fshati turistik, me struktura të karakterit hotelier dhe rezidencial, ndërtimin e fushave të golfit dhe të një porti jahtesh me kapacitet akomodimi në rreth 900 jahte. Plani ruan lartësinë maksimale të ndërtimeve deri në 3 kate, densitet të ulët dhe sipërfaqet e gjelbra. Karakteristikë e kësaj zone janë edhe sipërfaqet e mbjella me ullinj.

Dy projektet e fundit, Kryeministri Berisha i konsideroi shumë të rëndësishme për shndërrimin e Kavajës në një pol të rëndësishëm turistik në bregun e Adriatikut.

“Kjo është një nga zonat më të bukura e më tërheqëse në të gjithë bregun e Adriatikut, e cila i ka të gjitha kushtet e një ekoturizmi të veçantë. Një zonë me investime rreth 500 milion euro dhe me kapacitet të madh rezidencial e turistik. Me këto dy zona, Kavaja shndërrohet në një nga polet më të rëndësishme të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Nga Spillea gjer në Karpen janë brigjet ndër më të bukurat e Adriatikut. Distanca me Tiranën dhe Durrësin, pastërtia e detit dhe prodhimet e cilësisë më të lartë e bëjnë bregun e Kavajës një nga brigjet më interesante dhe më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit,” – u shpreh Kryeministri. 

11. Instrumenti strategjik sektorial i MITIK.

Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, MITIK paraqiti instrumentin strategjik sektorial për funksionimin e antenave të transmetimeve të komunikimeve elektronike e radiotelevizive për territorin e parkut kombëtar të Dajtit.

12. Detyra e projektimit për zgjerimin e Masterplanit të Velipojës dhe studimit urbanistik të zhvillimit turistik të zonës bregdetare Pulaj, shtesë  e ristudimit urbanistik të zhvillimit turistik dhe i mbrojtjes së bregut të detit në Velipojë, komuna Velipojë.

Sipërfaqja e studimit është 1.5 hektarë dhe synon mbylljen e pjesën fundore të studimit të pjesshëm urban. Studimi respekton Planin Rregullues të Velipojës dhe parashikon ambiente rekreative, zona shërbimesh, zona të gjelbra, si dhe ngritjen e zonave elitare të turizmit, fshat turistik, zona rezidenciale dhe zona hotelerie.   


01/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›