E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano do të niset sot për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Fatos Nano do të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, më 29 Mars,

Kryeministri Fatos Nano do të niset sot për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Fatos Nano do të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, më 29 Mars, në Shtëpinë e Bardhë, ku do të diskutohet mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pjesëmarrjen e saj në Planin e Veprimit për Anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut, sëbashku me Kroacinë dhe Maqedoninë, vende të cilat tashmë, me Shqipërinë, kanë nënshkruar Kartën e Adriatikut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar kështu përshpejtimin e hapave për anëtarësim në NATO. Po në këtë ditë, në Shtëpinë e Bardhë do të organizohet ceremonia në kuadër të pranimit të shtatë vendeve të Grupit të Villnius, në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Shqipëria po bashkëpunon tashmë me Maqedoninë, Kroacinë dhe Shtetet e Bashkuara, në kuadër të Kartës së Adriatikut. Prezenca e Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, rikonfirmon edhe njëherë se vendi ynë do të vazhdojë të luajë rolin e saj aktiv për sigurimin e stabilitetit, paqes dhe të demokracisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe, më gjerë, me pjesëmarrjen e saj aktive në misionet paqeruajtëse në Irak e Afganistan dhe kudo ku do të kërkohet angazhimi i saj në luftën dhe goditjen e terrorizmit.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Fatos Nano do të zhvillojë gjithashtu takime të rëndësishme me autoritetet më të larta të administratës amerikane, përfaqësues të drejtësisë amerikane, me senatorë dhe kongresmenë, me drejtuesit e institucioneve financiare që asistojnë Shqipërinë, si dhe me drejtues të kompanive të njohura amerikane të cilat janë angazhuar tashmë me projekte të rëndësishme infrstruktururore në vendin tonë.

Kryeministri Fatos Nano do të takohet gjithashtu edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në të gjitha këto takime Kryeministri Nano do të bëjë të njohur objektivat kombëtare dhe rajonale që ka Shqipëria, në rrugën e progresit të saj.

Ndërkohë, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave që u zhvillua sot, u miratua projektligji "Për ratifikimin e Protokollit ndryshues të Konventës Europiane për shtypjen e terrorizmit". Ky Protokoll, i parë në serinë e instrumentave ndërkombëtarë që kanë si qëllim luftën kundër terrorizmit, synon forcimin e kësaj lufte, duke respektuar edhe të drejtat e njeriut. Elementi më i rëndësishëm i tij është zgjerimi në mënyrë të konsiderueshme i listës së krimeve që depolitizohen për qëllime të ekstradimit, duke mbuluar në këtë mënyrë të gjitha krimet e parashikuara në konventat e Kombeve të Bashkuara që trajtojnë antiterrorizmin.

Ndërsa është duke u përgatitur, me asistencën e partnerve nderkombetar, dhe pritet të kalojë së shpejti në një nga mbledhjet e afërta të Këshillit të Ministrave projektligji "Për masat kundër financimit të terrorizmit". Ky ligj, që po përgatitet, i lejon qeverisë shqiptare që të marrë masa për bllokimin e përkohshëm, apo sekuestrimin e pasurive të terroristëve. Ai, gjithashtu, i lejon qeverisë të përmbushë detyrimet e saj si nënshkruese e dokumentave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i jep qeverisë mjetet e nevojshme në luftën kundër terrorizmit dhe grupeve terroriste, si dhe financuesve të tyre.

Në përfundim të deklaratës për shtyp, i pyetur mbi protestat e fundit të opozitës Zëdhënësi i Kryeminisrit u përgjigj:

Në lidhje me protestat berishiane komenti i vetëm është që këto janë dështimi i paralajmëruar i radhës i liderit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme të 2005-ës. Kryeministri dhe Qeveria janë të vendosur të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët progresivë në këtë vend për zhvillim dhe integrim dhe për Shqipërinë nuk ka kthim prapa.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›