Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në takimin me Shoqatën e Kryetarëve të Njësive Bashkiake për decentralizimin. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Ministri i Pushtetit
Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë sot paradite në takimin me Shoqatën e Kryetarëve të Njësive Bashkiake për decentralizimin. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit Ben Blushi, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Bashkim Fino, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, si dhe Kryetarët e 11 Njësive Bashkiake të kryeqytetit.
Gjatë këtij aktiviteti Kryeministri Fatos Nano mbajti një fjalë, në të cilën u shpreh:
Është pjesë e detyrës, por edhe një kënaqësi të takohem me ju sot, me shoqatën e kryetarëve të njësive bashkiake të bashkisë së kryeqytetit. Është mëse normale që pas 4 vjetësh, pra për periudhën që përligji ndarjen e Tiranës në 11 minibashki me aktin ligjor nr.8654 të 31 korrikut 2000, të jemi këtu për të shqyrtuar me qetësi efektet e kësaj ndarjeje dhe për të gjykuar bashkërisht, shpresoj me të njëjtin sens, se çfarë duhet të përmirësojmë sot e tutje, duke e konsideruar këtë realitet dhe këto marrëdhënie me një vizion më të gjërë, në kontekstin e të tëra reformave për decentralizim, që kemi ndërmarrë dhe jashtë interesave të vogla apo shijeve personale.
Unë mbetem besinik dhe i mendimit se ndarja e bashkisë së Tiranës në 11 njësi bashkiake, padyshim duke ruajtur dhe bërë më me përmbajtje unitetin e bashkisë së Tiranës si njësi vendore bazë, ka shërbyer dhe besoj se do të na vetshërbejë në të ardhmen për të përmirësuar nivelin e shërbimeve, duke i afruar pranë komuniteteve dhe njëkohësisht për të rritur besueshmërinë dhe përgjegjësinë e kësaj administrate vendore ndaj nevojave dhe detyrimeve të jetesës në komunitet.
Kemi marrë një përvojë funksionale të kryeqyteteve europiane, përvojën e mirëadministrimit të tyre, e cila na sjell në vëmendje se midis tre formave të autoritetit të njësive bashkiake, pra midis autoritetit të plotë ekzekutiv, atij të kufizuar dhe honorifik, për kushtet tona, siç parashikon dhe ligji i sotëm, ne kemi zgjedhur dhe do vazhdojmë të mbajmë edhe për të ardhmen autoritetin e kufizuar, duke i aplikuar natyrshëm kompetencat bazë të delegimit, të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.
Është ky Këshill që duhet të hartojë dhe të ndjekë kalendarin e plotësimit të kuadrit të nevojshëm delegues mbi bazën e ligjit për bashkinë e Tiranës dhe natyrshëm të propozimeve përkatëse të kryetarit të bashkisë së Tiranës, në konsensus me shoqatën tuaj, të kryetarëve të njësive bashkiake. Unë besoj se në këtë drejtim ka një prapambetje relative. Burimi i saj lidhet edhe me nevojat për të konsoliduar dhe në këtë funksion për të përqëndruar për një periudhë të caktuar autoritetin tek bashkia e Tiranës, e cila gjithashtu, duhej të konturonte dhe fizioniminë e plotë për ju, për njësitë bashkiake.
Jemi në kohën e përshtatshme për të ndërmarrë reforma decentralizimi të mëtejshëm, që jo vetëm rrisin lehtësinë menaxhuese të veprimtarisë së bashkisë së Tiranës, rrisin rolin e saj përgjithësues dhe kontrollues, por forcojnë rolin e njësive bashkiake në mënyrë komplementare për t'i afruar më shumë shërbime komuniteteve.
Natyrshëm do t'i rekomandoja Këshillit Bashkiak të Tiranës në një nga mbledhjet e afërta të marrë në shqyrtim në parim fillimisht dhe, më pas me aktet e nevojshme kalendarin dhe shpejtësinë e kalimit dhe delegimit të kompetencave në njësitë bashkiake të Tiranës, në përputhje me ligjin për bashkinë e kryeqytetit. Ky proces është pjesë integrale e reformave për decentralizim të ndërmarra nga qeveria dhe vjen në platformën e dokumenteve që Komiteti Ndërministror i Decentralizimit ka përcaktuar për vitin 2005 me hapa të rëndësishme së paku në tre drejtime kryesore:
Drejtimi i parë- Thellimi i procesit të decentralizimit të fiskut, duka ia kaluar të gjitha atributet e taksave të biznesit të vogël, qeverisjes vendore.
Nuk mund të emocionohemi për të kuptuar që ndërmarrja e këtij hapi, që është ende në diskutim për kolaudim edhe në disa qeveri të vendeve të rajonit tonë, na bind të shqyrtojmë dhe rezultatet e arritura në periudhën e aplikimit të pjesshëm të kësaj reforme. Të ardhurat vendore nga transfertat e pakushtëzuara, taksat dhe tarifat vendore në vitin 2003 faktit janë rritur, përkundrejt faktit 2002, 1.9 miliard lekë ose 13.5% më shumë. Në të ardhurat e parashikuara për 2004 është vënë objektivi për 2.4 miliard lekë më shumë se realizimi i faktit të 2003 pra 16% rritje. Natyrisht kjo ka dhënë fryte. Njësitë e qeverisjes vendore kanë përfituar 4.3 miliard lekë më shumë se në 2002, kur nuk aplikohej ky hap i rëndësishëm i reformës së decentralizimit fiskal.
Kjo ka sjellë rritjen e autonomisë buxhetore të njësive të qeverisjes vendore, sepse 64.4 % të të ardhurave të buxheteve të tyre aktualisht, qeverisjet vendore i sigurojnë nga të ardhurat që i sigurojnë vetë dhe kjo synohet të rritet edhe më tej në të ardhmen për të ardhur tek nivelet e autonomisë financiare të vendeve të BE, që është 80 me 20%.
Krahas këtyre arritjeve duket se ka probleme. Më lejoni të kërkoj dhe nga ju gjithashtu, të përballemi më mirë dhe me kurajon që jep ligji me evazionin fiskal në biznesin e vogël, sepse ky është burim jo vetëm potencial, por edhe real për të shtuar të ardhurat dhe për të luftuar korrupsionin e vogël në dukje, por që ka vlera të mëdha. Duam ta reduktojmë evazionin, prandaj kërkohet decentralizimi i autoritetit dhe i kontrollit mbi fiskun. Nuk besoj se mund ta kapërdinim kollaj, që në vitin 2003 vetëm për taksën e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve dhe transaksionet imobiliare u krye një defiçit prej 380 milion lekë. Ndaj këtyre organeve për 2005, sipas ligjit, do të ketë jo vetëm penalitete institucionale për ta kompensuar këtë defiçit, por ato do të penalizohen edhe me titull personal, kush shkakton defiçitet. Po të llogarisësh një minimum rrjedhjeje prej 100 mijë lekësh në vit dhe, kjo ndodh rëndom në biznesin e vogël, për vitin 2004 në total njësive të qeverisjes vendore do t'u mungonin 1.3 miliard lekë. Prandaj për 2005 duket do të duhet t'i bëjmë planifikimet mbi bazën e potencialeve reale dhe jo me rritje mekanike 5 % a 8 % ndaj vitit paraardhës. Kjo është rritje reale e autonomisë financiare që na kërkon ta garantojnë me rritje të përgjegjësive për të mbuluar nevojat e financimit të kërkesave për shërbime cilësore ndaj komuniteteve nga njësitë e qeverisjes vendore.
Drejtimi i dytë i platformës së decentralizimit që kemi shqyrtuar dhe ndajmë me ju, lidhet me procesin tashmë të njohur të administrimit autonom të ujësjellësave nga autoritetet vendore, që po shoqërohet me transferimin e pronave publike në zotërimin e tyre.
Unë po e ndjek drejpërsëdrejti dhe kam gjithashtu në krah në këtë funksion Ministrinë e Ekonomisë, e cila po përshpejton punën për transferimin e aksioneve, që transferimi të bëhet efektiv. Kurse njësitë e qeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve në Ministrinë e Rregullim -Territorit dhe Turizmit po përshpejtojnë punën për të identifikuar problemet që duhen zgjidhur, që siç kemi vendosur në 2005 të arrijmë të përmbysim raportin e banorëve në favor të atyre që kanë të zgjidhur përfundimisht furnizmin me ujë të pijshëm.
Drejtimi i tretë, por jo më pak i rëndësishmi, sepse ka efekt të madh për autoritetin vendor, edhe për t'i prerë rrugën veprimeve abuzive, është transferimi i kompetencës së investimeve për arsimin parauniversitar dhe për ato të shërbimit parësor të shëndetit, nga 2005 në përgjegjësi menaxhuese të njësive të qeverisjes vendore.
Autoritetet vendore janë sigurisht më të ndjeshme dhe prandaj më thithëse për investimet dhe besoj se nuk do të lejojnë të digjen rreth 27% e fondeve që qeveria ka caktuar për vitin 2004 për këta sektorë për shkaqe banale apo interesa të ngushta të disa administratorëve të dikastereve.
Natyrshëm do të ndaj me ju dhe një nga angazhimet kryesore të vitit të ardhshëm, përgatitjet për zgjedhje, sepse jemi të vendosur për të realizuar deri në detaje rekomandimet e OSBE/ODHIR-it që përmirësojnë administrimin dhe procesin zgjedhor. Kjo është një detyrë komplekse dhe nuk mund të lëmë "dopio 6" në dorën e askujt. Ky proces kërkon aktivizimin e shumë aktorëve që nga politika dhe legjislativi, tek ekzekutivi qendror dhe vendor, shoqëria civile dhe natyrshëm larg kësaj detyre nuk mund të rrini ju, organet, autoritetet dhe administratat e qeverisjes vendore.
Dua sot t'ju rikonfirmoj besimin si drejtues të njësive bashkiake të kryeytetit dhe të vetë bashkisë së madhe të Tiranës për këtë veprimtari me vlera të gjithanshme për të realizuar brenda muajit shkurt 2005 adresorin e plotë e të saktë të kryeqytetit.
Besoj se kemi të njëjtin shqetësim dhe angazhim për të mos pranuar në 2004 të kemi më 60% të qytetarëve të Tiranës pa adresë të saktë. Adresa është kontakti fillestar për komunikim midis njerëzve dhe në përgjigje të kësaj janë mbyllur zyrat e adresave që kishim kohë më parë, prandaj në Tiranë ka me dhjetra pallate të pahipotekuara ku banojnë qytetarë që në dokumentacionin zyrtar konsiderohen si anonimë dhe pastaj bëhen mish për lloj lloj topash politikë. Unë jam i informuar se është bërë diçka pas daljes së urdhërit tim nr.46 të 10 Shkurtit të këtij viti me sistemin e adresave, në njësitë e qeverisjes vendore.
Jam këtu për të theksuar shqetësimin se ritmet janë shumë të ngadalta se edhe pas 5 muajsh nga dalja e këtij akti ekzekutiv vazhdohet të punohet me një regullore të sistemit të adresave të vitit 1950. Duket se ka një gjykim të gabuar rëndom për rolin e adresave. Do të sjell në vëmendjen tuaj se një nga shkaktarët e anomalive në zgjedhje buron pikërisht tek mungesa e adresave të sakta për qytetarët dhe për pasojë anomalitë në listat e zgjedhësve dhe kopjimet e tyre në qendrat e votimit.
Qeveria e drejtuar prej meje është e angazhuar plotësisht për zgjedhje sa më pak të kontestueshme për elementë materiale, pra realë, që kanë të bëjnë me organizimin dhe administrimin e së drejtës për zgjedhje nga institucionit që ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Prandaj kemi nisur të marrim masat e duhura edhe për pajisjen e shtetasve me karta identiteti të kohës, mbështetur në modernizimin e sistemit të gjendjeve civile, si dhe kontrollin përmes instrumenteve ligjore dhe në bashkëpunim midis autoriteteve që ngarkon ligji, të listave të zgjedhësve, për t'i pastruar nga rekordet fiktive të dubluara apo të njerëzve që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes sepse kanë vdekur. Në këtë funksion dhe në shërbim të tyre është vënë dhe sistemi i plotë dhe i saktë i adresave për t'u bërë pjesë integrale e sistemit të gjendjes civile. Prandaj ministria që drejton z.Blushi në koordinim me Ministrinë e Financave duhet të shohë mundësinë që qysh këtë vit të bashkëngjisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile një strukturë monitorimi dhe kontrolli provizor në këtë proces deri sa të normalizohet gjendja.
Natyrisht do t'i rekomandoja dhe bashksië së Tiranës dhe bashkive të tjera qendër qarku, që në një kohë sa më të shpejtë të rihapin dhe të rivënë në punë zyrat e adresave, sepse janë ato që mund të drejtojnë shumë mirë dhe procesin e azhornimit të listave të zgjedhësve, për të përputhur vendqëndrimin e qytetarëve me qendrat e votimit. Besoj, krahas proceseve të tjera që ka shfaqur publikisht bashkia e Tiranës, është në nderin dhe mundësitë e saj dhe të njësive bashkiake mbështetëse, që ky proces të bashkëshoqërohet me infrastrukturën adresore të qytetit, si pjesë e rëndësishme e dekorit modern të kryeqytetit, shpresoj pse jo edhe të dixhitalizuar.
Njësitë bashkiake duhet të ndihmojnë, sepse e kanë mundësinë, nën drejtimin e bashkisë së Tiranës për legalizimin e banesave, sipas dispozitave ligjore të miratuar kohët e fundit.
Shpresoj që do të jemi racionalë në kuptimin dhe zbatimin e kësaj detyre. Prandaj të heqim dorë nga sherret pa kuptim për kompetenca, edhe pse në thelb janë pikërisht këto përplasje që sjellin zhvillim, kur priren nga interesi i punës.