Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës z. Jose De Carvjal, me rastin e përfundimit të misionit të tij në këtë detyrë. Në fil
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës z. Jose De Carvjal, me rastin e përfundimit të misionit të tij në këtë detyrë.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano vlerësoi kontributin e zotit De Carvjal në favor të promovimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve tona, për të cilat bashkëbiseduesit u shprehën se "janë në nivele të shkëlqyera". Më tej Zoti Nano rikonfirmoi vullnetin politik të Qeverisë Shqiptare për dinamizimin akoma më të madh të marrëdhënieve shumëplanëshe mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Lidhur me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike Kryeministri Nano çmoi mbështetjen e Spanjës në këtë proces integrues të Shqipërisë në institucionet e BE-së deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim –Stabilizimit.
Në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik Shqipëri- Spanjë bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion për thellimin e angazhimit dhe gjetjen e mekanizmave dhe hapësirave ligjore për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike në fusha me interes reciprok, si dhe u evidentua fakti se është rritur interesi i biznesit spanjoll në Shqipëri, edhe në funksion të dimensioneve të reja rajonale në të cilat po integrohet tregu shqiptar.
Kryeministri Nano ftoi kompanitë më të mëdha spanjolle të marrin pjesë dhe do të jenë të mirëpritura në procesin e privatizimeve strategjike të ekonomisë shqiptare.