E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Ky proces zgjedhor, me pjesëmarrjen më masive deri më sot - dëshmi e besimit të qytetarëve tek qeveria

24-06-2013 / Gazeta 55

Berisha: Të hetohen deklaratat e dyshes opozitare për ngjarjen në Laç

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur pjesëmarrjen masive të qytetarëve në votimet për zgjedhjet parlamentare. Njëkohësisht, kreu i qeverisë përcolli një mesazh vlerësimi dhe punën e komisionarëve të të gjitha partive politike. “Përshëndes qytetarët për pjesëmarrjen më masive deri më sot. Por një përshëndetje të veçantë për komisionerët e PD dhe të gjitha forcave politike. Në tërësi komisionerët ishin në lartësinë e duhur, keqkuptimet momentale janë zgjidhur në kohë të shpejtë”, vuri në dukje Berisha. Ndërkohë që, gjatë daljes së tij publike pak minuta përpara përfundimit të orarit zyrtar të mbylljes së qendrave të votimit, Kryeministri kërkoi nga komisionerët që në përputhje me ligjin të mbajnë hapur dyert e këtyre qendrave nëse votuesit vijojnë të jenë në këto ambiente. Shefi i ekzekutivit u shpreh i bindur në fitoren e PD në këto zgjedhje. Sipas tij, pjesëmarrja e lartë në zgjedhje, tha kryeministri, është dëshmi e besimit të qytetarëve te qeveria. “Kam qenë, jam dhe mbetem i bindur te fitorja e merituar e Partisë Demokratike, fitore e shkëlqyer, sikundër deklaroj se PD është e vendosur të respektojë verdiktin e sovranit pa asnjë lloj hezitimi. Pjesëmarrja e lartë në votime është dëshmi e besimit te qeveria, për të vazhduar projektin e saj. Pjesëmarrja e lartë në votime është dëshmi tek procesi i votimit, për të cilin përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Gjithashtu është dëshmi e një gjendje shpirtërore të mirë të qytetarëve. Opozita ka një pjesë të përgjegjësisë dhe kërkon të përfitojë prej saj”, tha Berisha, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
Po në këtë deklarate nga selia e Partisë Demokratike, Berisha komentoi dhe qëndrimet e krerëve të majtë, lidhur me incidentin e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Laç. Berisha kërkoi që të administrohen deklaratat e politikanëve mbi këtë ngjarje dhe të shqyrtohen. “Nekropolitikanët rendën me vrap në vendngjarje duke synuar që të përfitojnë kapital politik. Në deklaratat e tyre nuk u dëgjuan as ngushëllime për familjarët e viktimës dhe shërime për të plagosurit. Madje u shprehën mirë se kjo ngjarje do të ndodhte. Për këtë arsyeje i kërkoj organeve të akuzës që të depozitojnë çdo deklaratë. Sepse ato që e dinin se do të ndodhte duhej ta parandalonin ato. Tensioni më kryesor në këtë proces është tek komisionerët dhe tek policët, të dalësh të lëshosh sharje dhe fyerje është akti më i shëmtuar. “Nëse ka qenë një krim i paralajmëruar dhe nuk e kanë ndaluar atëherë ata kanë përgjegjësi. Shpresoj shumë, që incidenti fatkeq të zbardhet. Policia dhe prokuroria të hetojnë të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje”- vuri në dukje kryeministri Berisha, i cili ngushëlloi dhe një herë tjetër familjen dhe të afërmit e viktimës. Ndërkohë që pavarësisht kësaj ngjarje, kreu i mazhorancës ka besim në marrjen e mandatit të pestë në këtë qark.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›