Shqipëria zgjodhi të ecë Përpara
Megjithë klimën e panikut që mbolli opozita, shqiptarët votuan masivisht, me një përqindje historike pjesëmarrjeje, duke injoruar kasandrat që flisnin për prishjen e procesit zgjedhor. Deri në orët e vona të mbrëmjes, s’pati asnjë ankesë në procesin e dorëzimit të kutive të votimit apo për prishjen e integritetit të tyre. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të dalin sot pasdite me raportin paraprak, që pritet të jetë pozitiv, nëse gjatë paradites do ketë sinjale pozitive edhe nga procesi i numërimit të shpejtë të votave
Qytetarët përzgjodhën të ecin përpara. Pavarësisht pritës kriminale në qytetin e Laçit, në të cilën u vra një qytetar dhe u plagos kandidati i PD në qarkun e Lezhës, pas një shkëmbimi zjarri të disa njerëzve me bindje politike ende të papërcaktuara. Rezultatet e deritanishme sinjalizojnë pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë të bastioneve të Partisë Demokratike, duke rikonfirmuar edhe një herë se qytetarët kanë votuar për të ecur përpara me Partinë Demokratike. Sipas kryeministrit Berisha, të gjithë treguesit theksojnë se, “Partia Demokratike është fituese dhe ne jemi të gatshëm të udhëheqim Shqipërinë në katër vitet e ardhshme”. Kjo ishte dalja e parë dhe e vetme e kryeministrin mbrëmjen e djeshme çka forcoi bindjen e një rikonfirmimi të axhendës së tij liberale dhe ecjen përpara të projektit: për një Shqipëri të zhvilluar.
Ndërsa edhe Edi Rama me një zor të pashoq deklaroi fitoren pa filluar numërimi i votave duke bërë të njëjtën deklaratë që bëri në humbjen e 2009. Ndërsa aleati i tij, Ilir Meta i LSI-së teksa fliste për 20 mandate të partisë së tij, nuk kishte pikë gëzimi në fytyrë duke sinjalizuar një pafuqi elektorale. Padyshim modeli i bllokimeve, bojkoteve dhe konflikteve politike të Partisë Socialiste, është ndëshkuar bindshëm nga votuesit të cilët kanë zgjedhur të ecin përpara.
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu në një konferencë për shtyp përgëzoi punën komisionerët dhe vëzhguesve që garantuan dje zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, pamvarësisht incidenteve të blerjes së votës, frikësimit të votuesve dhe dhunës vdekjeprurëse të shkaktuar nga koalicioni opozitar. Pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit, Civitas Albania shpalli exit pollin e “Anzalonesearch”, kompani e cila i ka bërë edhe sondazhet për Barack Obamën, mbi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në vendin tonë. Fituese në këto zgjedhje sipas sondazhit të kësaj kompanie është Partia Demokratike me 42%, përkundrejt 40 % të Partisë Socialiste. Ky rezultat është në rang kombëtar. Po në rang kombëtar kompania në exit pollin e saj nxjerr fituese koalicioni e djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike me 48%, i cili ndiqet nga koalicioni i majtë i kryesuar nga partia Socialiste me 46%.
Sidoqoftë leximi i çdo vote do të përcaktojë fitoren e kryeministrin Berisha, që shërblehet për mandatin e tij të dytë, të cilën ka bërë shumë dhe premton të bëjë edhe më shumë. Përkundër tij, Edi Rama nuk jep asnjë shenjë normaliteti duke synuar të prodhojë një alibi paraprake nëse nuk i dalin llogaritë siç I kishim bërë pa hanxhinë, pra, qytetarin.