Kryeministri Rama me Forcat e Armatosura: Rrogat do jua rrisim sërish, më e larta ndonjëherë

Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm sot në prezantimin e “Buxhetit 2022” për Ministrinë e Mbrojtjes. Kreu i qeverisë vlerësoi fort punën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe impakti që kanë pasur në momentet e vështira të vendit. Ai premtoi edhe vitin tjetër rritje pagash përpos rritjes që tashmë i është bërë prej 30%. Zoti Rama tha se kjo ishte rritja më e lartë e pagës që është bërë në ndonjë sektor, por sipas tij, komplet e merituar.
“Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë pas një periudhe shumë të gjatë kur Forcat tona të Armatosura mbetën prapa në aspektin e pagave, por kjo është një rritje e konsiderueshme. Ju thashë që do rrisim pagat, dhe sot pagat janë të shkruara me30% rritje për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Vitin tjetër do i rrisim përsëri. Se besoj që nuk ka asnjë arsye që FA tona për energjinë, për sakrificën dhe vlerën e shtuar, dhe potenciali që kanë për ta rritur kapacitetin profesional, të jenë mbrapa nga vendet e Aleancës, edhe pse ato janë vende më të fuqishme ekonomikisht se ne. Me këtë rritje pagash, nuk kemi më ushtrinë më të pakpaguar nga NATO. Në krye s’mund të jemi se e dini kush është në krye, nuk jemi as në mes, por nuk jemi më as të fundit. Ambicja është që brenda mandatit të tretë, të jemi diku në mes. Mund ta arrijmë dhe besoj se sëbashku mund ta arrijmë dhe kam parasysh atë që do marrim mbrapsht nga ky investim. Rritja e pagave është me larta ndonjëherë në një sektor. Më e lartë se paga që është rritur për Policinë e Shtetit. Kjo është për faktin që keni nderuar Shqipërinë,” tha Rama.