E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Rama njofton anulimin e Ligjit për Investimet Strategjike: E ka përmbushur misionin

Gjatë punimeve të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, Kryeministri Edi Rama ka adresuar zhvillimet më të fundit lidhur me projektin e Zvërnecit dhe ndryshimet e pritshme në legjislacionin mjedisor dhe ekonomik të Shqipërisë. Kreu i qeverisë theksoi se çdo hap po hidhet në koordinim të ngushtë me Komisionin Evropian, duke konfirmuar anulimin e ligjit për investimet strategjike dhe përshtatjen e ligjit për zonat e mbrojtura me standardet e BE-së.

Vlerësimi mjedisor për Zvërnecin dhe roli i Komisionit Evropian

Projekti i Zvërnecit është ende në fazën e përgatitjes dhe vlerësimit mjedisor. Kryeministri sqaroi se dizajni nuk është finalizuar dhe garantoi se gjithçka do të jetë konform direktivave evropiane. Duke vlerësuar rolin e Komisionit Evropian si një institucion objektiv dhe të bazuar në të dhëna, ai u shpreh:

“Në këtë botë, informacioni apo sistemeve shumë kaotikë informacioni dhe pikëpamjeve mjaft të debatueshme, ku e vërteta gjen gjithmonë e më pak hapësirë, e gënjeshtra dhe gjysmë të vërtetat e të vërtetat e rreme, gjejnë gjithmonë e më tepër hapësirë, Komisioni mbetet në fakt ai që mban fort objektivitetin sepse Komisioni punon bazuar në fakte, punon bazuar në të dhëna, punon bazuar në burime të verifikuara.”

Për sa i përket zhvillimit në terren dhe shqetësimeve të ngritura, kreu i qeverisë theksoi zbatimin e rreptë të procedurave.

“Projekti është ende punë në vazhdim. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund deri më tash sepse nuk është finalizuar dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces e sipër. Gjithçka po bëhet sipas rregullave qysh prej ditës së parë”, theksoi kryeministri.

Sipas tij, çdo zhvillim i ardhshëm do t’i nënshtrohet vetëm rregullave të Bashkimit Evropian.

“Do të kërkojmë vetëm diçka që do t’i bëjë të gjithë krenarë që e kanë këtë gjë në mes të Europës. Në të kundërt nuk do të ndodhë.”, deklaroi Rama.

Ndryshimet legjislative, Investimet Strategjike dhe Zonat e Mbrojtura

Një pikë kyçe e deklaratës ishte qartësimi i qëndrimit të qeverisë mbi dy ligje thelbësore. Kryeministri njoftoi mbylljen e ciklit për ligjin e investimeve strategjike, duke e ndarë atë qartësisht nga fati i ligjit për zonat e mbrojtura.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike që është diçka për të cilin kemi disa kohë për të cilin kemi rënë dakord sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vet dhe po punojmë ngushtësisht edhe me Komisionin për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj.”, tha ai.

Lidhur me ligjin për zonat e mbrojtura, Rama deklaroi se ky akt nuk do të shfuqizohet, por do t’i nënshtrohet amendimeve specifike për t’u përputhur plotësisht me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Evropian që ka kërkuar këtë, ligji për zonat e mbrojtura, është një nga ligjet më të mira që kemi.”, sqaroi Rama.

Për të shmangur keqinterpretimet mbi termat e përdorur në këtë proces, Kryeministri theksoi:

“Na duhet të trajtojmë pjesë specifike të cilat duhet të jenë në pajtim të plotë më standardet e Bashkimit Evropian dhe edhe për këtë, ndërkohë që flasim, po punojmë me Komisionin, por shfuqizim nuk është një fjalë që e marrim si fjalë për të qenë në përputhje. Nuk është shfuqizim. Është miratim 100% në përputhje me standardet evropiane.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›