Kryeministri Rama pritet sot nga Kurti në Prishtinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë. Vizita është në përgjigje të ftesës së homologut të tij kosovar, Albin Kurti. Ky i fundit më 17 shtator i pati dërguar letër urimi zotit Rama me rastin e zgjedhjes për herë të tretë si kryeministër i Shqipërisë dhe e kishte ftuar ta vizitonte Kosovën, ndërsa kryeministri shqiptar ishte përgjigjur se do ta vizitonte sa më shpejt Prishtinën.
Vizita e kryeministrit Rama ndodh pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Sipas mediave Rama takimin e parë do ta zhvillojë me mikpritësin e tij Kurti, më pas do t’i takojë edhe krerët e politikës kosovare. Kryeministri shqiptar pritet ta dekorojë me medalje shkrimtarin Rexhep Qosja, ndërsa në Fakultetin Filologjik në Prishtinë do ta mbajë një debat me studentët.
Ndërkaq vizita e zotit Rama vjen në një kohë sutuata mes Kosovës dhe Serbisë është tensinuar dukshëm pas një vendimi të qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin në lidhjet me targat me Serbinë. Zoti Rama i ka dhënë të drejtë Prishtinës në raport me Beogradin. “Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë” shkruajti me këtë rast ai në Twetter.
Por situata është përkeqësuar ndjeshëm orët e fundit në kufirin kosovaro-serb. Qendra e Regjistrimit në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë reciprocitetin për targat.Serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin.
Në konteksin e këtyre zhvillimeve takimit Kurti – Rama do ti shtohen edhe çështja e Ballkanit të Hapur kur të dy palët kanë qëndrime kontradiktore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimin me kancelaren, Angela Merkel, në Tiranë më 14 shtator e ka bërë të qartë se Kosova përfundimisht nuk do të jetë pjesë e Open Balkan. Zoti Kurti e ka bindje se të ardhmes së Kosovës nuk i duhen nismat të tilla rajonale. Ai ka deklaruar se e vetmja çështje që e ndanë atë nga Rama është Open Balkan.
Por vetëm dy ditë më pas, më 16 shtator, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Rama i ishte kundërpërgjigjur Kurtit duke thënë se “Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, as një konspiracion rus dhe kinez për të ringjallur Jugosllavinë”.
Kryeministri i Shqipërisë këmbëngul se nisma për Ballkanin e Hapur “pozicionohet si një veprim për të arritur në destinacionin e dëshiruar: Evropa”. Për Ramën, mospjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë, me justifikimin se Serbia është armiku, “është thjesht një luftë imagjinare nga kolltuku”. Ndaj dhe takimi Kurti – Rama në Prishtinë pritet me interes të shtuar dhe shpresa për një përmirësim klime mes dy shteteve të shqiptarëve.