Kryeministri Sali Berisha jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PD
“Në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në shtator do punoj me përkushtim të madh dhe për përgatitjen e lidershipit të ri bashkë me strukturat e PD dhe të ecim drejt fitores më të re që na pret”
Lideri historik i të djathtës shqiptare, kryesuesi i pluralizmit në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet e forumeve në këtë parti. Në një deklaratë dje për mediat, pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Berisha njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike. Mes dhjetëra simpatizantëve dhe mbështetësve demokratë që ishin mbledhur para selisë së PD, të cilët nuk kursyen mbështetjen e tyre ndaj liderit të tyre historik të së djathtës edhe përballë humbjes, Berisha deklaroi qartësisht se pranon rezultatin zgjedhor, ndërsa uroi kundërshtarin e tij politik për fitoren.
“Përgjegjësia e humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit bie vetëm mbi mua. Ndaj jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e Partisë Demokratike. Do të jem njëri prej jush, një anëtar i thjeshtë i Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha. Me bindjen se PD do të rivijë në pushtet, Berisha u shpreh se në mandatin tjetër do të realizohen të gjitha premtimet e bëra për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa bëri një panoramë të punës 8-vjeçare në krye të qeverisë. Shefi i ekzekutivit vlerësoi projektin TAP, si historik për fatin ekonomik dhe zhvillimin e Shqipërisë.