E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në ceremoninë e promovimit të librit me kujtime “Vitet shqiptare ’43-45” të Kolonelit anglez David Smiley

03-10-2012 / Gazeta 55

"Parathënia e librit, mirënjohje për ndihmën britanike gjatë LDB-së"


Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në promovimin e Librit me kujtime “Vitet shqiptare ’43-45” të Kolonelit anglez David Smiley, i cili përmban kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri. Në librin, e përfshirë në kolanën “Skripta manent”, financuar nga fondacioni “Patricia Nugee”, përshkruhen dy misionet e kolonel Smiley-t, në vitet 1943 dhe 1944 me luftëtarët e rezistencës shqiptare. Për nga ngjarjet dhe personazhet e trajtuara, libri përbën një ndihmesë për historiografinë shqiptare, e trajtuar në mënyrë të njëanshme gjatë viteve të diktaturës. Kryeministri Berisha i cili drejtoi për të pranishmit një përshëndetje, përgëzoi botuesit për përzgjedhjen e një autori, i njohur si një burrë i jashtëzakonshëm dhe një legjendë e gjallë e oficerit britanik në përpjekjet dhe mbështetjen e popujve të tjerë në luftën për liri. Kryeministri Berisha tha se parathënia e dedikuar nga ai, për këtë libër, ndonëse nuk i kushtohet direkt David Smileyt është një mirënjohje e thellë dhe një vlerësim i sinqertë i rolit që Daivid Smiley dhe misionarët ushtarakë britanikë luajtën në zhvillimet në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Dejvi ishte pjesëmarrës në Kuvendin e parë të Partisë Demokratike në shtator të vitit 1991. Ai ka ndjekur në vijimësi zhvillimet në Shqipëri. Dua të theksoj se parathënia nuk i kushtohet direkt atij, por ai do të ishte i kënaqur, po ta lexonte atë, pasi është një vlerësim dhe një mirënjohje e sinqertë për Dejvin”, vuri në dukje Kryeministri. Sipas tij, ish-gjenerali së bashku me grupin në të cilin ai bënte pjesë, organizuan, financuan dhe armatosën shqiptarët në rezistencë duke i nxjerrë ato në krahun e fitimtarëve.  Por, në vlerësimin e Kryeministri Berisha, nuk mund të mos evidentohet dhe përpjekja e pareshtur e këtij grupi në bashkimin e shqiptarëve, për t’i bërë ballë pushtuesit. Bashkim i cili edhe pse solli fitoren u pasua me kalimin e Shqipërisë në diktaturë.   Sipas kreut të qeverisë, “rrallë herë në histori mund të gjejmë një grup të kufizuar personash, që me efiçencën e tyre, me trimërinë, guximin, ia dolën të organizojnë një rezistencë të armatosur në Shqipëri, e cila e rreshtoi Shqipërinë nga ana e aleatëve të Luftës së Madhe, e cila i nxori shqiptarët në krahun e fitimtarëve”. “David Smaili ishte një njeri me një intelekt të jashtëzakonshëm. Për kontributin e tij në luftën çlirimtare të shqiptarëve ai u dekorua dy herë me Kryqin e Meritës nga qeveria e Madhërisë së saj. Natyrisht ai u dekorua dhe me urdhrin ‘Skëndërbeu’, të cilin e meritonte plotësisht”, theksoi kryeministri Berisha.   Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, misionarët ushtarakë britanikë, oficerët e ushtrisë apo të forcave speciale në Shqipëri, organizuan, financuan armatosjen, stërvitjen e njësive të ushtrisë çlirimtare shqiptare. “Ata bënë gjithçka dhe cilido që lexon kontributin e tyre gjen një përpjekje të jashtëzakonshme për të bashkuar shqiptarët në këtë luftë. Ata janë organizatorët e Mukjes. Bënë një përpjekje të jashtëzakonshme që të gjitha fraksionet, të gjitha rrymat të bashkoheshin”, tha Berisha. Kryeministri nënvizoi se, “asnjë prej misionarëve britanikë nuk e imagjinonte se Shqipëria do të përfundonte në një sistem diktatorial infernal. Dhe pikërisht për këtë arsye ata u angazhuan me pasion për të ndihmuar shqiptarët në kulmin e shtypjes diktatoriale të tyre. Me rënien e perdes së hekurt ata qenë ndër vizitorët e parë që erdhën në Shqipëri, me një dashuri të madhe për këtë vend. Së bashku organizuan varrezën e të rënëve britanikë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Kryeministri Berisha. Në ceremoni merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadori britanik në vendin tonë, Nicholas Cannon, presidentja e fondacionit zonja Patricia Nugee.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›