E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri britanik Keir Starmer vjen nesër në Tiranë, pritet nga Edi Rama

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer do të vizitojë ditën e nesërme Shqipërinë, ku do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare, ku midis tyre do të zhvillohet një konferencë e përbashkët në orën 12:40

 “Ditën e nesërme (15 Maj) në orën 12:40 (në Kryeministri), Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin britanik, Keir Starmer”, theksohet  në njoftimin e Kryeministrisë.

Ditën e djeshme, Starmer uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren të cilën e cilësoi si historike.

“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, shkroi Starmer në një postim në rrjetin social X.

Starmer vjen një ditë para zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 maj.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian pritet të mbledhë liderët e vendeve evropiane dhe të theksojë rëndësinë e Shqipërisë si një partner strategjik për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.

Këshilli i Europës ka publikuar agjendën e Samitit, që organizohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Agjenda – E premte, 16 maj 2025

10:00 Ardhja e personaliteteve
11:00 Ceremonia e hapjes
11:30 Fotoja familjare
11:45 Seanca e parë plenare
13:00 Dreka zyrtare
14:30 Tryezat e rrumbullakëta sipas tematikave
15:45 Takimet dypalëshe midis krerëve të delegacioneve
17:30 Mbyllja e seancës plenare
18:30 Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe homologes daneze, Mette Frederiksen

Sipas agjendës së publikuar bëhet me dije se “udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të  ardhmen e Evropës”. Më pas do të zhvillohen tre tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë. Tema e takimit është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, mbrojtjen e demokracisë, si dhe përgatitjen dhe aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme.

“Samiti është strukturuar rreth diskutimeve në tri tryeza tematike, përkatësisht: sigurimi i Evropës dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike, Evropë për 600 milionë qytetarë: rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë evropiane përmes, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, një Evropë e hapur me kufij të sigurt: adresimi i sfidave të lëvizshmërisë dhe nxitja e fuqizimit të të rinjve,” thuhet në njoftimin e Komunitetit Politik Evropian.

Së bashku me Presidentin Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›